Në Kosovë ende janë aktive katër vatra të zjarrit nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë, Nehat Koqinaj zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe në Janjevë, Komuna e Lipjanit”, tha ai.

Komuna e Suharekës, që tri ditë është duke u ballafaquar me shpërthime të zjarreve në disa fshatra. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht situata është nën kontroll.

“Gjendja është nën kontroll, por duhet të përcillet situata pasi temperaturat janë shumë të larta, ka erë dhe aty për aty po shpërndahet zjarri. Momentalisht dëme kemi vetëm në një shtëpi, dëme ka në bujqësi, për fat të mirë zjarri është ndërprerë te zona industriale edhe te disa familje në fshatin Studençan. Jemi në gjendje gatishmërie, duke i falënderuar edhe vullnetarët të cilët po dalin në ndihmë aty ku ka vatra të zjarrit”, tha Muharremaj.

Këtë komunë, të martën në mëngjes e vizitoi kryeministri, Albin Kurti i cili bëri thirrje për kujdes të shtuar.

Ndërkaq, pas një ngjarjeje në Prishtinë, Kurti tha për mediat se komunat nuk kanë zjarrfikës të mjaftueshëm, pavarësisht se mund të kenë pajisje për shuarjen e zjarreve. Andaj ai tha se edhe komunat fqinje po i ndihmojnë komunat më të rrezikuara, por gjithashtu institucionet kanë kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë si dhe të misionit të KFOR-it.

“Besoj që mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë, por duke iu falënderuar qytetarëve, pra vullnetarëve, kemi arritur që tash për tash të mos kemi dëme të mëdha materiale dhe sidomos të mos kemi dëme në njerëz”, tha Kurti.

Aktualisht, autoritetet nuk kanë bërë ndonjë vlerësim për dëmin e shkaktuar nga zjarret në Kosovë. Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se këto njësi janë duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla tha se “kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.

Ai po ashtu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe autoritetet kompetente do të jenë të pakompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës. Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: