TIRANE – Katerina Shkëmbi është 23-vjeçarja nga Pogradeci, e cila me protagonizmin e saj të spikatur u bë e njohur në “Big Brother 7”. Ajo hyri në shtëpinë e vëzhguar nga kamerat me krenarinë e një vajze që në 13 vite jetë në Itali, kishte provuar kënaqësinë para publikut si balerinë, aktore apo modele. Por për çudinë e të gjithëve loja që ajo bëri në këtë “reality show” zgjati vetëm pesë javë e gjysmë. Një protagonizëm që u shoqërua me përplasje të forta me rivalët brenda shtëpisë dhe jashtë saj.

Pas spektaklit deklaroi se iu rikthye modës në Itali, deri para një muaji kur u bë personazh i shtypit duke rrëfyer të vërtetat për ish-mikeshën këngëtare, Xhesika Ndoj. Po si ka shkuar jeta e Katerinës, e cila vazhdoi me bëmat e saj edhe pasi loja në televizion kishte mbaruar? Së fundi kam qenë në situatë të vështirë sentimentale sepse lidhja e saj e dashurisë me një djalë që ka qenë në burg, ose do të zgjaste përjetë ose do të merrte fund.
Se çfarë ndodhi me historinë e saj që ngjason një telenovelë plot peripeci e zhgënjime, Katerina e rrëfen për here parë për revistën “Story”. Ajo ka një këshillë për të gjitha vajzat që guxojnë të krijojnë lidhje me djem problematikë.

Dimë që për një periudhë ke qenë e përfshirë në një histori të fortë dhe delikate dashurie. Si do e përkufizoje këtë histori?
Histori e imja është shumë e thellë dhe dhimbshme njëkohësisht. Të flas për të nuk e di a më beson njeri, sepse është një lidhje më keq se ato që keni parë nëpër filma apo telenovela.

Pse çfarë ka për të mos u besuar?
Sepse i dashuri im ishte në burg, dhe deri sa isha në Shqipëri kam pritur enkas për të derisa të dilte. Kjo ishte dhe arsyeja pse qëndrova gati një vit në Shqipëri. Shkoja e takoja vazhdimisht në burgun e Fushë-Krujës kohët e fundit, pothuajse çdo javë. Kështu që burgu më ishte bërë si një shtëpi e dytë. Përveç kësaj kam sakrifikuar gjithçka tjetër për të….

Po tani ka dalë nga burgu, që thua ishte?
Po ka dalë. Unë bëra pjesën time. E ndihmova familjarisht për ta nxjerrë e për të qenë bashkë. Por njeriun që e mbajta në zemër për një vit e gjysmë, tashmë është larg meje. Për mua kjo lidhje ishte një sakrificë e madhe aq sa as vetë s’e kisha menduar ndonjëherë. Deri më sot nuk kisha sakrifikuar kaq shumë për dikë, duke luftuar e duke bërë të pamundurën.

Për çfarë sakrifikove kaq shumë?
Për të qenë një ditë të bashkuar dhe për ta jetuar si një çift i vërtetë në çdo aspekt historinë tonë. Në fakt dashuria është sakrificë, por sakrificat duhet të jenë të përbashkëta, të dyanshme dhe jo vetëm nga njëra palë. Por dashuria përveçse sakrificë duhet të jetë dhe diçka që t’i freskoj mendjen dhe zemrën njeriut. Gjithsesi asnjëherë nuk pendohem për çfarë kam bërë deri më sot. Shpresoj që një ditë të fitoj atë që meritoj dhe që të kem një kurorëzim me një “happy end”.

Pse çfarë nuk shkon si duhet në lidhjen tuaj?
Është larg e nuk ndodhet pranë meje, dhe më la me shpresa që një ditë do vijë të më marrë për të qenë bashkë. Por nuk mund të vazhdoj të pres me shpresa dhe duke vuajtur deri në infinit. Kam pritur më shumë se ç’duhet dhe në fund nuk ndodhen gjërat ashtu si prisja e doja unë.

Je duke e pritur ende?
Tani mund të them se u ndava përgjithmonë sepse ishte njeriu më i gabuar që kam njohur në jetë. Nuk dua të flas më shumë apo ta specifikoj në thellësi por me të vërtetë kjo lidhje me ka lënduar shumë. E ashtu siç e thashë në fillim ky rrëfim i imi është një mesazh për femrat që mund të kenë pasur histori të ngjashme. U them të hapin sytë mirë që në fillim dhe të mos u vijë keq për njerëzit me lloj-lloj problemesh, sepse disave edhe botën t’u japësh nuk u mjaftojnë e nuk ndryshojnë kurrë.

Çfarë i thua vetes kur e mendon çfarë ke përjetuar?
Unë dashurova një njeri me paraqitje të bukur, por me shpirt djalli dhe kapa fundin në çdo aspekt. Por gjithsesi gjithmonë çdo gjë mbetet një mësim për njeriun. Dhe i fortë është ai që të keqen e shkel me këmbë dhe rilind e nuk dorëzohet kurrë. Unë humba gjithçka për një person, kohë, sakrificë e ndjenja, pagova milionat për ta nxjerrë nga burgu e për të qenë bashkë me të dhe në fund fitova braktisje, zhgënjim, tradhti, lëndim e të gjitha.

E ke humbur besimin tek dashuria?
Nuk e kam humbur besimin tek dashuria. Mendoj se asnjëherë nuk i dihet, vetëm duhet marrë parasysh mirë që në fillim njeriu që zgjedhim të jetë pranë nesh. Nëse zgjedh njeriun e gabuar dashuria është është gënjeshtër, nëse fati të lidh me njeriun e duhur atëherë është gjithçka; respekt, sakrificë, dëshirë, vullnet, pasion të gjitha.

Nga ana profesionale me çfarë je angazhuar aktualisht në Itali?
Tani po përgatis një set të ri fotografik veror, ku do të prezantoj Katin që vjen e nxehtë ashtu siç është vera, dhe një Katerina gati për një aventurë të re. Kam shumë plane të reja, por do j’ua zbuloj pak e nga pak.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: