E nisën kampionatin keq, por tashmë flututojnë me një ritëm të çmendur! Kurbinasit e Armando Cungut kanë siguruar 6 fitore në 7 ndeshjet e fundit, seri e mrekullueshme që është ndërprerë në javën e 13-të ku u mposhtën në kryeqytet nga Partizani. Por bardhezinjtë e rimorën veten shpejt dhe tanimë e shohin veten në vendin e parë me pikë të barabarta me kampionët në fuqi!

Në takimin e luajtur pak çaste më parë në Kurbin, vendësit kanë fituar me një rezultat të pastër 4-0 ndaj Luftetarit, duke u konfirmuar dhe si skuadra me sulmin më të mirë në superiore, pasi në 15 javë kanë shënuar 26 gola, 14 prej të cilëve nga sulmuesi më i mirë i këtij kampionati Kirian Nuabueze.

Ndaj gjirokastritëve, rezultati do të çelet në minutën e 17-të nga Redon Xhixha, ndërsa dy minuta nga fundi i pjesës së parë Nuabueze lë shenjën e tij në këtë sfidë. Në pjesën e dytë braziliani Teko do të realizojë një dygolësh, fillimisht në minutën 53-të dhe më pas në të 72-ën, duke e bërë pasditen e Laçit një shëtitje të vërtetë.

Kështu Laçi ngjitet në vendin e parë me 25 pikë, po aq sa Partizani, por merr kreun për shkak të golavarazhit më të mirë, ndërsa i duhet të presë dhe përballjen Kukësi-Teuta për të mësuar në do të udhëheqë kampionatin pas javës së 15-të, ndërsa Luftëtari mbetet i parafundit me 8 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb