Nga: ANILA JOLE*
TIRANE- Gazeta greke ‘Kathimerini’ bën një analizë kritike të zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Njohësi i mirë i çështjeve të Ballkanit, analisti Stavros Tzimas kritikon disa nga qëndrimet e të dyja palëve dhe bën apel që dy vendet të lenë pas përplasjet e të shohin përpara dhe për këtë mendon se duhet guximi i liderëve respektivë.

Më poshtë shkrimi i plotë:

“Qëndrimi i palës shqiptare për kufijtë detarë dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga partia e çamëve, bëri që temperatura në marrëdhëniet shqiptaro-greke të pësojë përsëri rënie. Athina e mori kërkesën e Tiranës për rishikimin e koordinatave të kërkimit të naftës në Jon, si një sfidë të drejtpërdrejtë për kufijtë. Deklarata e kryeministrit Rama pas atyre të përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme greke për praktikat diplomatike e qeverisë shqiptare, dikton të njëjtën tendosje politike. Pavarësisht se kush ka më shumë të drejtë, është e rëndësishme që tonet, nga hiçi, janë ngritur mjaft. Sic ndodh zakonisht në jetën politike të Shqipërisë, në çdo fushatë zgjedhore ‘etnopatriotizmi’ përdoret për përfitim të votave, dhe sidomos kur përmendet Greqia, ky ‘etnopatriotizëm’ bëhet edhe më efikas.
Tirana mund ta shtrojë çështjen e hartave përpara Komisionit të Përbashkët dhe nëse nuk merr përgjigje të kënaqshme, atëherë ka çdo arsye të përshkallëzojë lëvizjet, por në vend të kësaj ajo zgjodhi të angazhohet në demarsh formal me Ramën përballë elektoratit.
Athina e pa te arsyeshme të flasë hapur për një politikan të parëndësishëm, dhe sigurisht u përball me ‘block-un’ e Ramës, që tha se ‘askush nuk mund të më thotë se kë do zgjedh nënkryetar të tretë të Kuvendit’. Dhe formalisht ka të drejtë. Ja, mendoni pak, një protestë shqiptare, se Aleksis Tsipras vuri në qeverinë e tij Panos Kamenos, që shqiptarët e konsiderojnë nacionalist…
Kjo situatë, ku grekët dhe shqiptarët ngrenë tonet edhe për vogëlsira nuk mund të vazhdojë. Ata duhet më në fund të gjejnë një rrugë të përbashkët, dhe të lënë mënjanë ato që i ndajnë. Rama dhe homologu i tij serb Vuçiç tejkaluan në Tiranë “historinë më delikate”, atë të Kosovës dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar. Është e domosdoshme që të lemë përleshjet dhe të shohim sesi të ecim përpara së bashku si fqinjë të mirë. Rruga e kthimit të Greqisë për në Ballkan kalon nëpërmjet rifillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rruga e shqiptarëve për në BE kalon nëpërmjet Greqisë. Udhëheqësit duhet të guxojnë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: