KAVAJE – Prokuroria e Kavajës dërgon për gjykim kërkesën ndaj ish-drejtorit të ALUIZNI-t, Kavajës, si edhe dy ish-punonjësve të këtij institucioni dhe administratorit të një hoteli, të akuzuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Sipas organit të akzuës, nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Ëngjëll Murrizi, në cilësinë e Drejtorit të ALUIZNI-t, Kavajë, si edhe shtetasja Brisilda Bilali, përgjegjëse e zyrës së urbanizimit në këtë drejtori, në kundërshtim me ligjin, kanë legalizuar në vitin 2013 objektin hotel 8-katësh të shtetasit Fatos Deliu.
Sipas prokruorisë, ky objekt nuk duhej legalizuar, pasi nuk kishte asnjë mundësi ligjore te legalizimit te tij për shkak të pozicionit në të cilin gjendet (pranë bregut të detit).

Nga ana e tij, administratori i hotelit, shtetasi Fatos Deliu, ka aplikuar në vitin 2010 pranë ALUIZNI-t me vetëdeklarimin për legalizimin e objektit të tij (hotel) me 2 kate. Por, në dosjen që gjendet pranë ALUIZNI-t, ky vetëdeklarim gjendet me 8 kate. Pra, konstatohet lehtësisht se ka pasur falsifikim të dokumentit të vetëdeklarimit, i cili fillimisht ishte deklaruar 2 kate pa leje për të cilat kërkonte legalizimin, ndërkohë që në dosjen e ALUIZNI-t gjendej një tjetër vetëdeklarim, por kësaj radhe me 8 kate.

Në këto kushte, shtetasi Fatos Deliu akuzohet për “falsifikim të dokumenteve”. Nga hetimi ka rezultuar se këtë falsifikim, ky shtetas e ka realizuar me ndihmën e specialistit të ALUIZNI-t, Indrit Gjuzi, i cili ka plotësuar dhe përfshirë në dosje, në mënyrë të kundërligjshme, dokumentin e falsifikuar të administratorit të hotelit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: