Kazakistani ka vendosur të zbatojë karantinë shtatëditore në shtëpi për pasagjerët që vijnë nga vendet ku është zbuluar varianti Omicron i koronavirusit (COVID-19).

Në fjalën e tij në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, zëvendësministri i Shëndetësisë i Kazakistanit Marat Shoranov deklaroi se rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga 3 dhjetori për të parandaluar hyrjen e variantit Omicron në vend.

Sipas rregullave, do të kufizohet hyrja e të huajve që vijnë nga Afrika e Jugut, Botsvana, Lesoto, Namibia, Zimbabve, Mozambiku, Malavi, Madagaskari, Esvatini, Tanzania dhe Hong Kongu. Fluturimet drejt Egjiptit, ku trafiku i pasagjerëve është i lartë, do të pezullohen.

Pasagjerët që vijnë nga vendet ku është zbuluar varianti Omicron do të duhet të dorëzojnë një test PCR, edhe nëse kanë një pasaportë për vaksinimin kundër COVID-19.

Përveç rezultatit të testit PCR, për pasagjerët në fjalë do të zbatohet edhe rregulli i karantinës shtatëditore në shtëpi.

Shoranov tha se situata epidemiologjike në vend është nën kontroll dhe shkalla e infektimit me COVID-19 është ulur 2,8-fish në muajin e fundit.

Në 24 orët e fundit, Kazakistani ka regjistruar 645 infeksione të reja me COVID-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb