Kazakistani rrezikon të ndezë zemërimin e Vladimir Putini pasi ka dalë hapur duke pranuar se do të ofrojë përkujdesje dhe strehim për mijëra burra dhe familje ruse që po braktisin vendin, nën ethet e frikës nga rekrutimi në luftë, pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm nga kreu i Kremlinit.

Presidenti i ish-shetit anëtar të BRSS, Kassym-Jomart Tokayev edhe pse një mik i liderit të Moskës lëshoi gjithashtu kritika të heshtura për luftën e Putinit, duke thënë se “integriteti territorial i shteteve duhet të ruhet”, në një kohë që lufta në Ukrainë vijon.

Presidenti kazak foli në një kohë që Ministria e Brendshme në Astana zbuloi se pothuajse 100,000 rusë kanë kaluar kufirin në gjashtë ditë që kur Putin urdhëroi të thirreshin burra në moshë luftimi për t’iu bashkuar frontit.

Ditët e fundit kanë filluar të vijnë shumë njerëz nga shteti fqinj, pra nga Rusia. Shumica e tyre vijnë për shkak të mungesës së opsioneve për shkak të situatës së pashpresë në shtëpi. Ne duhet të kujdesemi për ta dhe t’i kushtojmë vëmendje sigurisë së tyre. Kjo është një çështje politike dhe humanitare. Në një situatë kaq komplekse, para së gjithash duhet të tregojmë humanizëm, durim dhe organizim. Nuk kemi krizë, nuk kemi panik. Qeveria duhet të bëjë punën e saj”, tha Tokayev.

Fjalimi i Tokayev shënon aktin më të fundit të kundërshtimit nga një vend që ka qenë aleat i ngushtë i Moskës në të kaluarën dhe është zhurma e fundit e pakënaqësisë nga shtetet satelitore të Rusisë në Azi ndërsa fuqia e Putinit zbehet.

Duke dhënë një fjalim publik nga Turkestani, Tokayev kërkoi “unitet, sens të përbashkët dhe durim” gjatë asaj që ai e quajti një situatë globale “shumë të tensionuar”.

Nëse i humbim këto vlera, vendi ynë do të jetë në rrezik të madh. Integriteti territorial i shteteve duhet të ruhet. Ky është parimi bazë… Një luftë në shkallë të gjerë po ndodh rreth nesh. Duke marrë parasysh këtë, ne duhet së pari të mendojmë për sigurinë e vendit tonë. Nëse kufiri ynë është i paprekur, nëse nuk ka sulm nga jashtë, do të kemi paqe, unitet, stabilitet dhe rritje. Gjëja më e rëndësishme është që ne duhet të jemi në paqe me vendet fqinje”, shtoi më tej kreu i shtetit kazak.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb