Komisioni Europian miraton 50 milionë euro për të mbështetur Programin EU4Culture, të cilat do të shkojnë për restaurimin e monumenteve të kulturës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Ky fond është pjesë e një pakete prej 100 milionë eurosh, e miratuar edhe kjo sot në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare për rehabilitim dhe rindërtim pas tërmetit.

Ky financim është pjesë e premtimit të përgjithshëm të Komisionit Evropian prej 115 milionë Eurosh, të dhënë në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, në fillim të këtij viti.

Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilet dhe pajisjet, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësira më të mira. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë në kuadrin e programit ekzistues të rindërtimit prej 15 milionë eurosh të financuar nga Komisioni Evropian.

Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e siteve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumente, muze, biblioteka dhe vende arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe për zhvillimin ekonomik vendor.

I gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Rindërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe duke zvogëluar rrezikun e ardhshëm, si dhe duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masa e veçantë do të sjellë gjithashtu përmirësime në efiçencën e energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb