Komisioni Evropian ka miratuar të martën rregullat në lidhje me certifikatën digjitale të Bashkimit Evropian për COVID-19, duke vendosur një periudhë të detyrueshme prej nëntë muajsh për certifikatat e vaksinimit për udhëtime brenda BE-së.

Në një deklaratë të lëshuar nga Këshilli Evropian, me këto rregulla për certifikatat e vaksinimit, do të garantohet që masat e udhëtimit të vazhdojnë të jenë të koordinuara ashtu siç kërkohet nga Këshilli Evropian pas takimit të tij të fundit më 16 dhjetor 2021.

“Rregullat e reja do të sigurojnë që kufizimet të bazohen në provat më të mira shkencore të disponueshme si dhe kriteret objektive. Koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për funksionimin e Tregut të Vetëm dhe do të sigurojë qartësi për qytetarët e BE-së në ushtrimin e të drejtës së tyre për lëvizje të lirë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KE.

Deri më tani në BE janë lëshuar 807 milionë certifikata digjitale për COVID-19. Me to, raportohet të jetë vendosur një standard global, me ç’rast deri tani 60 vende dhe territore në pesë kontinente i janë bashkuar sistemit.

“Rregullat e reja për udhëtimet brenda BE-së harmonizojnë rregullat e ndryshme midis Shteteve Anëtare. Kjo periudhë vlefshmërie merr parasysh udhëzimet e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, sipas së cilës rekomandohen doza përforcuese jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të ciklit të parë të vaksinimit. Certifikata do të mbetet e vlefshme për një periudhë mospagimi prej tre muajsh shtesë përtej këtyre gjashtë muajve për të siguruar që fushatat kombëtare të vaksinimit mund të përshtaten dhe qytetarët do të kenë akses në doza përforcues”, thuhet më tej në deklaratë.

Për të lejuar kohë të mjaftueshme për zbatimin teknik të periudhës së pranimit dhe për fushatat përforcuese të vaksinimit të Shteteve Anëtare, thuhet se këto rregulla të reja duhet të zbatohen nga 1 shkurti 2022.

Të martën e 21 dhjetorit, Komisioni Evropian ka njoftuar se njeh certifikatat për vaksinimin anti-COVID, të cilat lëshohen nga autoritetet në Mal të Zi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb