BRUKSEL – Një projektraport i miratuar sot nga Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Greqia ka neglizhuar në mënyrë serioze detyrimet e saj në menaxhimin e kufirit të jashtëm në zonën Schengen, njoftoi sot komisioneri evropian, Valdis Dombrovskis.

“Projektraporti arriti në përfundimin se Greqia ka shfaqur një mungesë të theksuar serioziteti ndaj detyrimeve të saj, me identifikimin e mangësive të rënda në kufijtë e jashtëm që duhet të ishin tejkaluar tashmë”, u shpreh zëvendëspresidenti i ekzekutivit evropian për shtypin.

Ky dokumet, i cili nuk është bërë ende publik, u miratua sot nga Komisioni Evropian. Ai është mbështetur mbi një inspektim të kryer nga ana e ekspertëve në muajin nëntor në kufirin grek me Turqinë.

Nëse do të miratohet me shumicë të cilësuar nga një komision vlerësues i përbërë nga shtetet anëtare të BE-së, atëherë do të ndërmerret një plan veprimi i Komisionit Evropian për propozimin e zgjidhjeve të mundshme për mangësitë e identifikuara në menaxhimin e kufirit të jashtëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb