BRUKSEL-Situata ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm në Greqi që prej fillimit të vitit, me pjesën më të madhe të faktorëve ekonomikë të përkeqësuar si rritja ekonomike, deficitet, borxhi dhe inflacioni, sipas parashikimeve ekonomike të Komisionit Evropian publikuar sot.

Rritja ekonomike e Greqisë do të jetë vetëm 0,5 për qind këtë vit, në rënie krahasuar me parashikimet e fundit të muajit shkurt, kur Komisioni kishte parashikur një rritje me 2,5 për qind.

Qeveria greke, drejtuar që prej fundit të muajit janar nga e majta radikale e kryeministrit, Aleksis Cipras, kishte parashikuar një rritje prej 2,9 për qind këtë vit. Por ekonomia greke, që regjistroi një rritje të lehtë në mes të vitit të kaluar, u kontraktua sërish në fund të vitit 2014.

“Zhvillimi pozitiv u thye nga pasiguritë që prej njoftimit të zgjedhjeve të parakohshme në muajin dhjetor”, nënvizoi Komisioni Evropian, për të cilin mungesa aktuale e qartësisë për politikën e qeverisë përballë kreditorëve (BE dhe FMN) ka shkaktuar përkeqësimin e situatës.

Nëse rritja ekonomike do të mbështetet këtë vit nga konsumi, turizmi dhe industria detare, investimi do të ketë vështirësi, në klimën e degradimit të besimit, detajon ekzekutivi evropian.

Situata është degraduar gjithashtu në frontin e financave publike. Komisioni Evropian parashikon një deficit prej 2,1 për qind këtë vit dhe 2,2 për qind në vitin 2016.

Borxhi grek, tashmë më i larti në zonën euro, do të shpërthejë gjithashtu për të arritur në 180,2 për qind këtë vit, para se të ulet lehtë në 173,5 për qind në vitin 2016.

(a.n/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: