Komisioni Europian u ka paraqitur vendeve anëtare të BE-së një propozim për të zgjatur zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes tregtare postBrexit me Britaninë e Madhe deri në fund të prillit, njoftuan sot burimet mbështetëse.

Zbatimi i përkohshëm i këtij traktati, i përfunduar në fund të vitit 2020, pas negociatave të vështira, filloi më 1 janar.

Ky zbatim duhet të mbarojë në fund të shkurtit, më pas të shqyrtohet nga Parlamenti Europian në detaje, përpara ratifikimit të tij.

“Por BE ka nevojë për më shumë kohë për të përkthyer dokumentet në të gjitha gjuhët e saj zyrtare”, tha një zëdhënës i ekzekutivit të BE, për të justifikuar këtë kërkesë.

Deputetët europianë e filluan studimin e tekstit me 1 250 faqe në mes të janarit. Presidenti i PE, David Sassoli, i shkruajti në fund të Janarit presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, duke i kërkuar asaj që të propozojë këtë zgjatje.

Përfaqësuesi i kryeministrit britanik Boris Johnson për Brexit, David Frost, i tha një komiteti parlamentar sot pasdite se BE-ja e kishte informuar zyrtarisht BM për qëllimet e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb