KUKËS

Policia e Kukësit ka arrestuar 50-vjeçarin Agron Nika, i cili siç raporton më herët “BalkanWeb”, i kishte marrë 12 milionë lekë të vjetra bashkëqytetarit të tij 72-vjeçar, përmes kërcënimit se “Ke shkuar me gruan time, më ke turpëruar”.

Sipas policisë, arrestimi i 50-vjeçarit është bërë pas kallëzimit nga i moshuari F. Gj., se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, i ka marrë shumën e madhe të parave.

Njoftimi i policisë:

Ndalohet 1 shtetas, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. N., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i tij u bë pasi shtetasi F. Gj. ka bërë kallëzim se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, shtetasi A. N. i ka marrë një shumë të konsiderueshme lekësh.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb