Pas Taulant Ballës, fjala e sotme në kuvend e kreut të PD-, Sali Berisha është kritikuar edhe nga zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Ai ishte tepër i ashpër në akuzat e tij, duke thënë se ‘Sali Berisha ka vrarë më shumë se pandemia në Shqipëri’, duke risjellë në kujtesë vitin 1994, ku nënvizoi se u thye embargo dhe u furnizua me naftë Serbia.

“Rezultati i reformës është që sot besimi te sistemi është më i madhe sesa ka qenë dhe cilësia më e lartë. Punë në atë reformë ka ardhur duke u përmirësuar. Vini tani e shpikni e shpikni pafund, se propaganda e arrin baltën e vetë por faktet janë fakte. Vjen flet ai që ka vrarë më shumë se pandemia. Që nga Gërdeci, që nga 97’. Mbajtësi i vulës së thyerjes së embargos në ’94 vjen flet për pandemi e drejtësi. Ai e ka mundur pandeminë me vdekjet dhe prape guxon vjen këtu. Dhe ndonjëri nga këta, dikush e përqesh këtu nën buzë dhe ndonjëri e duartroket. E ka humbur të drejtën ai njeri të vijë këtu në Parlament e jo më të flasë”, deklaroi Ahmetaj.

Në vijim të fjalës së tij, zv/kryeministri u ndal te çmimi i energjisë, duke theksuar se qeveria ka subvencionuar biznesin dhe qytetarët.

“Çmimi sot në tregun ndërkombëtar është 452 euro megavati, pra qytetari duhet të paguante tetë herë më shumë. Por ai subvencionohet nëpërmjet faturës nga qeveria. Subvencionin i përmuajshëm… Doni një biznes të paliberalizuar, biznes që i quajmë tension i mesëm paguan 18.8 lekë dhe duhet të paguante 2.3 më shumë. Ja edhe një biznes i liberalizuar, djathtas dhe majtas nuk është në duart e tregut. Të mos harrojmë përpjekjen e qeverisë për të ndihmuar qytetarët në nevojë. Mos harroni se lufta në Ukrainë ka sjellë vështirësi ekonomike të konkluduara te inflacioni dhe ajo që bën qeveria për të mbajtur inflacionin në kontroll për të mos shkuar tek qytetarët nuk është përpjekje e thjeshtë. Sigurisht asnjë nga ne nuk ka shkopin magjik në dorë”, tha Ahmetaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb