Prej disa vitesh jeton dhe luan në Spanjë, ndërkohë që sezonin e fundit është bërë pjesë e skuadrës së parë të Atletikos së Madridit, duke u stërvitur nga “El Çolo” Simeone.

Keidi Bare, flet si spanjoll dhe tregon recetën si mund të arrijnë kuqezinjtë që të bëjnë mrekullinë kundër iberikëve. Mesfushori tregon mënyrën e mësuar nga trajneri Simeone, kur bëhet fjalë për t’ia dalë kundër të mëdhave.
Bare
Kombëtarja do të luajë kundër Spanjës, si “spanjoll” që jeni, çfarë ndjesie keni rreth saj?

Unë do të kisha shumë dëshirë të luaja kundër Spanjës, sepse jam edhe tifoz i tyre. Megjithatë, “i duruari, i fituari” thotë një shprehje. Kam besim që do të vijë edhe dita ime. Uroj që Shqipëria të marrë rezultat pozitiv.

Sa shanse ka, sipas jush, për ta bërë këtë gjë?

Është shumë e vështirë dhe për këtë duhet të jemi realistë, për forcën që ka Spanja e cila ka yjet e futbollit botëror, por asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë dhe asgjë nuk është e pamundur.

Stërviteni me Simeonen, çfarë keni mësuar për sfida të mëdha?

Duke qenë pjesë e ekipit të parë, kam punuar shpesh me trajnerin Simeone dhe kam mësuar shumë gjëra prej tij.

Po Kombëtarja çfarë mund të marrë prej “çolizmit”, për të ndalur ndërthurjen Real-Barcelona?

Për të vijuar logjikën e asaj që po thosha për trajnerin, kam më- suar nga Simeone që duhet punë e madhe gjatë gjithë kohës dhe përgatitje maksimale në çdo aspekt për një ndeshje. Prej tij kam mësuar që duke sakrifikuar deri në sekondën e fundit, duke derdhur shumë djersë e duke qenë të përpiktë me detyrat që jep trajneri, mund të arrish të ndalësh edhe skuadrat e mëdha. Këtë duhet të bëjë edhe Shqipëria për të ndalur Spanjën.

A keni biseduar me Kokën apo Saul?

Po, kemi biseduar në një nga ndeshjet e fundit për Spanjë-Shqipëri. Më thanë vetëm që “do t’ju mundim”. Kaq!

A do të ndikojnë zhvillimet politike, meqenëse jetoni në Spanjë?

Preferoj të mos përfshihem në diskutimet politike. Megjithatë, them që sportistët nuk janë politikanë, vetëm zbatojmë detyrat taktike.

Kejdi, një tjetër grumbullim me U-21, si është atmosfera?

Atmosfera në këtë ekip është shumë e mirë, si gjithmonë. Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh dhe të gjithë djemtë punojnë për një qëllim të përbashkët, që të arrijmë Europianin. Gjithsesi, e dimë faktin që është një rrugë e gjatë, ndaj jemi përqendruar te ndeshja e radhës.

Çfarë ndodhi në ndeshjen e fundit, u bëtë protagonist negativ…

Për fat të keq, isha unë ai që shkaktova penallti, por pa kurrfarë qëllimi. Thjesht rrjedhshmëria e aksionit më bëri që të rastis aty dhe të isha unë shkaktari në fund të ndeshjes. Megjithatë, futbolli i ka të tilla gjëra dhe duhet pranuar edhe kështu. Gjithsesi, më duhet ta shoh në aspektin pozitiv: të punoj shumë, duke mësuar nga gabimet.

Sa të lidhur e shihni U-21, me lojtarë nga kampionate të ndryshme?

Jemi shumë të lidhur me njëritjetrin dhe nuk na mban bashkë vetëm fanella e Kombëtares, por edhe miqësia. Në këtë ekip kombëtar, nuk ka rëndësi individi, por mbizotëron grupi. Përderisa jemi të gjithë në Kombëtare, do të thotë që e kemi merituar dhe nuk ka rëndësi se nga cili kampionat vijmë.

Përkundrazi, më bëhet qejfi kur shoh edhe futbollistë nga kampionati shqiptar, i cili ka përparuar shumë. Aq më tepër, ndiej kënaqësi kur shoh ekipet shqiptare që kanë sukses në Europa Ligë dhe uroj që të shtohen sa më shumë në të ardhmen.

Keni publikuar së fundmi lidhjen me vajzën e trajnerit të dytë…

Futbolli dhe karriera janë gjëra të ndryshme nga jeta private. Nuk dua të flas asgjë rreth saj.

Por është diskutuar edhe në mediat e huaja…

Ju lutem më mirëkuptoni! Jeta private është e imja. (p/sport)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb