Deputeti i zgjedhur i PD-së në Tiranë Belind Këlliçi tha gjatë Kuvendit Kombëtar të PD-së kryeministri Rama shfrytëzoi fatkeqësitë që goditën vendin vetëm në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas tij, kreu i qeverisë nuk ndërtoi asnjë shtëpi të dëmtuar nga tërmeti derisa u sigurua se në këmbim do merrte votën e qytetarëve.

Këlliçi thotë se disa muaj para zgjedhjeve pezulloi procesin e legalizimit të pronave vetëm që t’i jepte ato gjatë fushatës zgjedhore.

“Plot 140 mijë të rinj e kanë lënë vendin tonë. Mjekë infermierë, studentë e talente të reja, n këto 8 vite kanë kërkuar punë, siguri azil. Shqipëria ndodhet në Europë vetëm gjeografikisht. Por jemi një vend afrikan. Edi Rama lufton meritokracinë dhe promovon njerëz me të shkuar kriminale, propozojnë ligje dhe marrin tendera. Me paratë e tyre të pista kriminelët vjedhin votat me qeverinë. E vetmja mënyrë për tu ndarë nga ky degradim janë zgjedhjet e ndershme. Për ta bërë këtë duhen njerëz të ndershëm. Rama shfrytëzoi fatkeqësitë natyrore. Nuk ndërtoi asnjë shtëpi derisa u sigurua që do merrte votat. Edi Rama la qëllimisht pezull mijëra legalizime banesash vetëm që t’i jepte gjatë periudhës zgjedhore. Kjo skemë u zhvillua në Kombinat e Yzberisht” – tha Këlliçi.

Fjala e Plote:
Demokratë të nderuar nga e gjithë Shqipëria! Qëndrestarë të Partisë Demokratike e të dashur të rinj të FRPD nga të 4 anët e vendit! I nderuar kryetar i PDSH, z. Lulzim Basha!

Një përshëndetje e përzemërt për të gjithë ju, zonja e zotërinj të sprovuar ndër vite, që i keni dhënë Partisë Demokratike vite jetë nga jeta juaj, duke e mbajtur sërish këtë forcë politike një forcë të madhe, vitale dhe alternativë e vetme zhvillimi e integrimi për Shqipërinë.

Përshëndetje ju të rinj, pedagogë, profesionistë, studentë, gjimnazistë, simpatizantë, që sillni frymë, kontribute dhe energji të reja në Partinë Demokratike. Kam nderin sot t’ju drejtohem si njëri prej jush.

Ne jemi një ekip që i rëndon fanella, sepse njohim vlerën dhe peshën e saj.
Njohim rëndësinë e alternativës sonë në historinë pluraliste të vendit. Që prej themelimit të saj historik, PD ka qenë kudo ku Shqipëria e ka hedhur hapin përpara. Ka qenë aty kur shqiptarët fituan liritë e tyre themelore; të shpreheshin pa drojë, të manifestonin pakënaqësitë, të flisnin me mendjen e tyre, e të kritikonin autoritetet qeverisëse në të gjitha nivelet.
PD ishte aty kur Shqipëria rivendosi kontaktet me botën e zhvilluar demokratike, kur fitoi lirinë e lëvizjes në Europë dhe anëtarësimin në organizmat më të mëdha Euro-Atlantike, me të cilat sot krenohen edhe kundërshtarët tanë politikë.

PD ishte, është dhe do të mbetet përjetë në anën e drejtë të historisë!

Partia Demokratike lindi si shpresa dhe ëndrra më e bukur e studentëve të Dhjetorit ‘90. Ajo e gjeti Shqipërinë në vitin zero dhe e drejtoi atë drejt Perëndimit shpresëplotë e të zhvilluar. Ne jemi një urë lidhëse për çdo shqiptar që beson te demokracia, tek ekonomia e tregut, tek aspirata kombëtare për një Shqipëri të zhvilluar si e gjithë Europa.

Por, për fatin e keq të vendit tonë, kjo aspiratë është ndalur prej vitesh. BE nuk i ka hapur negociatat me Shqipërinë, duke na dhënë një mesazh të qartë se kjo që kemi nuk është Shqipëria që duam. Korrupsioni në të gjithë sektorët, lidhja e pandashme e krimit me shtetin, diktati i oligarkisë mbi ligjet dhe parlamentin, hyrja e një kontigjenti kriminal në Kuvendin e Shqipërisë, të bëra së bashku, kanë shkaktuar deprimimin e ekonomisë dhe jetës shoqërore në tërësi.

Vendi ynë i bekuar me burime natyrore dhe njerëzore, nuk është më shtëpi për qindra mijra shqiptarë. Plot 140.000 të rinj kanë lënë vendin tonë në këto 8 vite. Bashkëkombasit tanë, fqinjët, miqtë dhe të afërmit tanë, paguajnë për t’u larguar nga atdheu i tyre. Mjekë, infermierë, inxhinierë, hidraulikë, hekurthyes, studentë, programues, talente të reja, i madh e i vogël, në këto 8 vite kanë kërkuar punë, siguri, drejtësi, azil, strehë, në tokë të huaj.

Shqipëria sot ndodhet në Europë vetëm gjeografikisht, pasi treguesit e saj janë tërësisht afrikanë. Në çdo raport ndërkombëtar, ne kemi në krah një shtet afrikan. Ndërkohë që truri i vendit prodhon dhe jep fryte në shtete të tjera, qeveria Rama lufton meritokracinë duke promovuar individë me 5 identitete, me të shkuar dhe të tashme kriminale, të cilët drejtojnë qytete, propozojnë dhe miratojnë ligje, japin dhe marrin leje ndërtimi, tendera dhe konçensione. Po përse zgjidhen këta individë dhe jo truri? Përgjigja është e thjeshtë:

Me paratë e tyre të pista, kriminelët blejnë vota për qeverinë, që kryeministri të vjedhë taksat, të bëjë kërdinë me konçensione e më pas t’i shpërblejë sërish me tendera korruptivë, në mënyrë që ata sërish të blejnë vota për të mbajtur Edi Ramën në pushtet.
E vetmja mënyrë për t’u ndarë nga ky degradim shtetëror, social dhe ekonomik, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Po për t’i organizuar ato, duhen së pari njerëz të ndershëm, politikanë të përgjegjshëm, njerëz që i druhen ligjit dhe e respektojnë atë.

E sigurisht, Edi Rama nuk është i tillë.
Ai bleu lirinë e shtypit me konçensione, lëshoi drejtorët e tij, ministrat dhe administratën publike, në shpërdorimin kolektiv më të madh të detyrës që ka njohur pluralizmi shqiptar. Mësyu në çdo lagje, rrënxë, fshat e qytet, për të blerë votën, vullnetin dhe dinjitetin e shqiptarëve që i varfëroi qëllimisht. E këtë më mirë se unë mund ta faktojnë banorët e zonës së Kombinatit, Yzberishtit, Unazës së Re, Kasharit, Yrshekut, Mëzezit, Vaqarrit, Pezës e Ndroqit.

Edi Rama shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore për të përfshirë në skemën e rindërtimit sa më shumë qytetarë. Ai nuk ndërtoi asnjë shtëpi derisa u sigurua se në këmbim të ndihmës, të prekurit nga tërmeti do t’i jepnin garanci për votën, ashtu sikurse ndodhi në zonën e Kombinatit, ku sot që flasim me qindra familje janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, në zona periferike të Tiranës dhe ende nuk dinë se çfarë do të bëhet me pasurinë e një jete të tërë, me banesat e tyre.

Ai la qëllimisht pezull prej vitesh mijëra aplikime për legalizime banesash, që t’i tundte ato gjatë fushatës elektorale, me të vetin zotin Lam, që jepte udhëzime të qarta partie sesi duhej vepruar me kujdes që vota mos t’i shkonte PD. Kjo skemë u aplikua masivisht në Yzberisht, Kashar, Kombinat e Unazë e Re; duke detyruar me qindra familje të votojnë për PS, si e vetmja mënyrë për të legalizuar shtëpitë e tyre dhe për të siguruar çatinë mbi kokë.

Jam dëshmimtar okular se si drejtorë të institucioneve publike, veçanërisht ato në varësi të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Transportit, drejtonin aktivitete elektorale gjatë orarit zyrtar të punës, në shkelje të hapur të ligjeve në fuqi. Organizonin takime me persona me influencë në komunitet, ku shpërndanin para për të blerë vota të qytetarëve, që ato para nuk i kishin parë e prekur ndonjëherë.

Në zonat zgjedhore ku unë pata nderin të isha drejtues politik dhe njëkohësisht kandidat për deputet, sinjalizoheshin përditë aktivitete të dyshimta të shitblerjes së votës. Bashkë me ekipin, ne vendosëm të monitoronim nga afër situatën, 24 orë në 24, ditë dhe natë, me një përkushtim të jashtëzakonshëm njerëzor, demokratët tanë, evidentuan dhe faktuan aktivitetet e paligjshme dhe krimet zgjedhore në zonat e Kombinatit, Unazës së Re, Vaqarrit, Pezës, Ndroqit, Kasharit, Yzberishtit e Mëzezit.

Aty ku patronazhistët identifikonin votë për PS, terrin disa vjeçar e zëvendësonte ndriçimi elektoral. Aty ku kishte votë të deklaruar për PS, shtegun e pluhurosur e zëvendësonte asfalti elektoral. Punimet kryheshin natën, shpejt e shpejt, për t’i shpëtuar vëmendjes së kureshtarëve, që kurrë më pare nuk kishin hasur me një fadromë të bashkisë. Pa tabelë informuese, pa bërë të ditur investitorin, kostot dhe afatin e punimeve, banorët gdhiheshin me rrugën e asfaltuar, dhe të ndërgjegjshëm se ai asfalt elektoral do të zhbëhet me shiun e parë të verës.

Erion Veliaj, së bashku me Belinda Ballukun, Toni Gogun, Eduard Shalsin dhe Plarent Ndrecën e uniformave të Policisë së Shtetit, kishin gjetur shkopin magjik. Banorëve nuk u thuhej më të bënin durim.

Çka nuk ishte bërë për 8 vjet, Rilindja mund ta bënte mrekullisht për një ditë, si me shkop magjik. Në të vërtetë ky asfalt elektoral, e çdo premtim tjetër rilindas, jetën e ka fare të shkurtër. Qëllimi i vetëm i bandës në pushtet ishtë krijimi i një perceptimi të rremë publik se Shqipëria është një kantier ndërtimi.

Ne denoncuam para dhe gjatë fushatës çdo krim zgjedhor, çdo shpërdorim detyre e shfrytëzim të punonjësve të administratës publike. Faktuam përdorimin e parasë publike për llogari të interesave elektorale të Edi Ramës, dhe i treguam shqiptarëve se asfalti dhe ndriçimi elektoral gjatë fushatës, ishin orvatje për të mbuluar parazitizmin e vjedhjen 8-vjeçare.

Në këtë fushatë ne kishim përballë jo vetëm individin Belinda Balluku, por ministrinë e saj. Kishim përballë aferën më të madhe korruptive që ka njohur historia e Tiranës, atë të Unazës së Re. Kur Lulzim Basha më besoi detyrën si Drejtues Politik në 4 zona të Tiranës, mendova a do t’ja dal dot të përballem me 2 ministra të qeverisë, Prefektin si dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të Sandër Lleshit. Por sigurisht që shtysa dhe forca ime ishit ju, ishin demokratët e thjeshtë, të rinjtë e palodhur dhe qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, të braktisur prej 8 vitesh nga qeveria, të cilët nevojën për ndryshim këtë herë e kishin jetike për ta dhe familjet e tyre.

Prandaj, ne nuk pritëm ditën e zgjedhjeve për të treguar të vërtetën dhe masakrën elektorale që gatitej prej kohësh, por kallëzuam për krime zgjedhore në SPAK Belinda Ballukun së bashku me këshilltaren e saj Laureta Omerin, të cilat e deformuan vullnetin e qytetarëve të Kombinatit e Yzberishtit, duke kthyer zyrat e Kadastrës në zyra të shtabit elektoral të Belinda Ballukut, duke legalizuar me qindra banesa përpara ditës së zgjedhjeve, në këmbim të votës në favor për PS.

Në SPAK nuk mund të mos kallëzohej dhe i famshmi kryekomunar Gentian Myrto, banditi më i madh i pronave që mund të ketë njohur ndonjëherë Vaqarri, Peza e Ndroqi; kryetari i komunës, i cili sot nuk flet me bashkëfshatarët e tij, për shkak se u ka grabitur pronën dhe mundin e një jete.

Pak ditë para zgjedhjeve, ekipi ynë kapi në flagrancë një makinë të mbushur me çertifikata pronësie, me çertifikata personale e familjare, aplikime për legalizime banesash dhe lista zgjedhësish me të dhëna personale, që përdoreshin nga funksionarë të shtetit për të blerë vota. Edhe pse ky rast u referua në Prokurori dhe Policinë e Tiranës, sot që flasim askush nuk mban përgjegjësi.

Ndërkohë që ne vijonim fushatën me të rinjtë derë më derë, Bashkia Tiranë shpërndante ushqime. Administrata e saj shihej në terren gjatë orarit zyrtar. Jam dëshmimtar okular i masakrës zgjedhore, por nuk jam i vetmi.

Ndaj bindjen se shumë nga të pranishmit, nisur edhe nga komunikimi që kemi me njëri-tjetrin, kanë parë të njëjtën situatë në zonat e tyre zgjedhore. E imja është vetëm një dëshmi më shumë, për masakrën elektorale të 25 prillit.
Miqtë e mi,
Një mundësi për ndryshim iu grabit Shqipërisë, por mbi të gjitha iu grabit të rinjve.
Fushata jonë kishte në thelb programin dhe ekipin. Kandidati ynë për Kryeministër Lulzim Basha, kërkoi votën e shqiptarëve për ndryshim duke harmonizuar bashkëpunimin e PD me grupet e interesit, me 12 kontrata që do i jepnin frymëmarrje ekonomisë dhe shoqërisë sonë, kurse Edi Rama kërkoi vazhdimësinë e këtij realiteti të trishtë që kemi. Realitet ku zgjedhjet vidhen, ku taksat vidhen, ku Shqipëria vidhet.

Dita e zgjedhjeve tregoi kërshërinë e shqiptarëve për të votuar masivisht, për të votuar ndryshimin dhe për të votëbesuar një Kryeministër normal.

Por, fatkeqësisht ndryshimi u ndalua me çdo mjet që pushteti kishte. Blerja e votës solli tjetërsimin e vullnetit qytetar. Shpërblimi me çertifikata pronësie, legalizime, përfshirje në skemën e rindërtimit, shërbyen si paterica që Edi Rama të mbante sërish veten në këmbë.

Prandaj sot, kryefjala e këtij Kuvendi duhet të jetë “Shqipëria”. Duhet të qëndrojmë të bashkuar për Shqipërinë!!! Të luftojmë për të kthyer demokracinë dhe legjitimitetin në Shqipëri, sepse kjo masakër elektorale nuk ka dëmtuar vetëm PD, por më së shumti qytetarët dhe gjithë vendin.

Por në këtë betejë, duhet gjetur edhe kurajo politike për të analizuar gabimet tona. Askush nuk është imun nga gabimi. Unë i pari. Prandaj çdo demokrat duhet ta bëjë analizën e zgjedhjeve nga vetja, nga detyrat dhe përgjegjësitë që ka marrë përsipër. Mirëpres dhe mirëkuptoj çdo kritikë të demokratëve. Fundja ata janë arsyeja e vërtetë se përse PD sot është e vetmja forcë antikomuniste në Europën Juglindore, e cila ende vijon të jetë alternativë qeverisëse.

PD është ekip dhe përgjegjësia është në ekip. Askush nuk duhet ta shohë ndeshjen nga tribuna. Duhet të jemi të gjithë në fushë. Po për këtë arsye, na duhet të mbështesim më shumë njëri-tjetrin. Prandaj i gjykoj të papranueshme sulmet në adresë të FRPD, që erdhën rrufeshëm gjatë garës për kreun e PD. Ne nuk jemi dekori i askujt! Këtë të mos e cojë ndërmend askush, sepse rinia është zemreku i kësaj partie. Kështu ka qenë gjithmonë, që në ditën e parë të themelimit, e deri në ditën e sotme, kur ne aderojmë në cdo organizatë rinore Europiane të djathtë dhe mund ta them me plot gojë, se energjinë dhe përkushtimin e forumit tonë rinor, do ta kishte zili cdo parti e jona simotër në Europë.

Të rinjtë gjatë kësaj fushate, kontribuan kuti më kuti në të gjithë vendin. Duke qenë se kjo është mbase hera e fundit që unë i drejtohem Kuvendit Kombëtar të PD si Kryetar i Forumit Rinor, dua të shpreh mirënjohjen time të pakufi për sakrificën e pashembullt të të rinjve demokratë në këto 8 vite opozitë, ku më shumë se 200 prej nesh, gjenden sot dyerve të gjykatave për shkak të procedimeve penale, sepse i vumë gjoksin dhe qëndruam në rresht të parë, të cdo beteje e përballje me regjimin.
Ndaj dua që sot të falenderoj edhe njëherë publikisht Kryetarin Basha, i cili përmes propozimeve e ndryshimeve statutore, rikonfirmoi dhe njëherë vullnetin e tij të qartë, që të rinjtë e FRPD dhe ata nën moshën 35 vjec, të përfaqësohen me jo më pak se 15% në Këshillin e ri Kombëtar.
Të dashur demokratë,
Egoizmi politik nuk është një dukuri e panjohur. Edhe mes nesh ka plot episode “hidh e prit”. Edhe në familje ndodh të kesh të preferuarin tënd, prandaj familja mbetet njësia e parë unitare e shoqërisë. I kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë e garës, sepse jam vetë produkt i një gare dhe kam kuptuar se garat fitohen vetëm në ekip. Zgjedhjet e brendshme në PD, treguan dhe njëherë vullnetin e anëtarësisë për të qëndruar të bashkuar, rreth një kauze që i shërben gjithë Shqipërisë, ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të rinjtë edhe njëherë folën qartë. Ata besojnë tek PD dhe Lulzim Basha, si e vetmja shpresë për të qëndruar e jetuar me dinjitet në vendin tonë.

Prandaj ambiciet tona le t’i veshim me përgjegjësi, dhe t’i japim vendit më të mirën e Partisë Demokratike, duke nisur nga sot, me vendimet dhe zgjedhjet e këtij Kuvendi Kombëtar. Le të shkurtojmë sa më shumë distancën midis shoqërisë dhe PD, duke njehsuar vlerat tona themel, lirinë, sipërmarrjen e lirë dhe mendimin ndryshe. Të pranojmë çdo kontribut, të mbetemi të hapur për çdo shqiptar që sheh tek ne ripërtëritjen e Shqipërisë.

Duke falenderuar dhe njëherë të gjithë demokratët e Kombinatit, Unazës së Re, Kasharit, Yrshekut, Yzberishtit, Mëzezit, Vaqarrit, Pezës e Ndroqit, komunitetin tim të dashur Tirons, si dhe të gjithë qytetarët që u angazhuan në betejën e 25 Prillit, duke falenderuar Kryetarin Basha që më dha privilegjin e të qenurit një prej Drejtuesve Politikë të PD, dua ta mbyll fjalën time me një falenderim të përzemërt e të sinqertë për të gjithë ata të rinj të FRPD, që në këto 8 vite opozitë nuk kanë rreshtur së luftuari për një Shqipëri më të mire; për arsim cilësor e për zgjedhje të lira e të ndershme. Ju keni qenë e jeni forca ime madhore, krenaria dhe shtysa ime, për të vijuar çdo betejë krah PD, krah interesit qytetar.

Në mbyllje të fjalës sime, dua të citoj një nga ikonat e politikës botërore këto 100 vite, Winston Churchill. Ai ka thënë se: “Pesimistët shohin vështirësi në cdo mundësi, ndërsa optimistët shohin mundësi në cdo vështirësi”.

Miqtë e mi demokratë,

Unë e di se shumica jonë sot janë të lënduar, të zhgënjyer, të trishtuar e më shumë se kurrë të prirur drejt largimit nga vendi. Demokratët kanë 8 vite që sakrifikojnë, luftojnë e besojnë tek një Shqipëri tjetër.

Ndaj sot dua t’u them me plot gojën se:

Po! E kemi një mundësi!

Po! Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve!

Edhe pak durim sepse Shqipëria do t’ju kthehet juve, fëmijëve tuaj, gjeneratës së re të lindur në liri, privilegj të cilin mos ta harrojmë kurrë, se na e mundësoi pikërisht Partia Demokratike e Shqipërisë.

Faleminderit për vëmendjen dhe punë të mbarë Kuvendit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb