Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Itaka ty të dha udhëtimin e bukur./ Pa të nuk kishe rrugës si të dilje./ Nuk ka gjë tjetër për të dhënë më./ Të varfër në e gjetsh, Itaka s’të ka mashtruar./ Me kaq përvojë, i mençur si je bërë,/ tash do ta kesh kuptuar ç’kuptim paskan Itakat”. (Kostandin Kavafis, “Itaka”, përktheu Aristotel Spiro). Adrian Paci u rikthye dje në ‘Itakë’, në një formë krejt origjinale. I ulur këmbëkryq, bashkë më dëgjuesit e tij (se nuk kishte karrige), në një qoshe të katit përdhes të Piramidës, artisti pamor rrëfeu udhëtimin e tij, në kohë dhe në vepra. Ishte një lloj rrëfimi, i shtruar, ku ndërhynin imazhet, fjala dhe kujtimet: prej fëmijërisë, të afërmve, familjes, martesës, fëmijëve të tij, ikjen nga Itaka, rikthimin për të ikur prapë dhe mandej, frika nga vdekja, përjetimi dhe fitorja mbi të, ndjesi kohësh të ndryshme, që ikurazi kanë lënë gjurmët e veta. Zanafilla qëlloi të jetë koha kur qe student, punët e para. Ajo që u quajt ligjëratë, ishte në fakt një rrëfim, ku shpalosi atë çfarë fshihej prej artit të tij, atë që e nxit, atë që e tërheq.

STUDENTI DHE BIRI I ARTISTIT
Bisedën e tij për vitet studentore e parapriu një pjesë filmike e viteve 1970-1980, ku studentët punonin në skulpturë. “E kam mbaruar Institutin e Arteve në vitin ’91 dhe ishte një situatë kur studentët kërkonin diçka tjetër, pedagogët kërkonin diçka tjetër. Unë në atë kohë kisha pedagog Edi Hilën, Edi Ramën, dhe në një farë mënyrë ata pretendonin që t’i iknim disi këtij lloj heroizmi ballor, që kishte lidhje me trajtimin e figurës, propagandës dhe ideologjisë që kishte sistemi. Nga ana tjetër duhet të them se shkolla shqiptare, përveçse e llojit propagandistik, ishte shkollë e tipit akademiktradicional. Më kujtohet se ne në shkollë studionim syrin e Davidit, hundën dhe buzën e Davidit, këmbën e tij etj.”, kujtoi ai, jo pa nënqeshje mbase. Në këtë pikë, ishte momenti që ai të tregonte se lidhja shpirtërore me artin qe e hershme, e arsyeja ishte i ati, i ndarë herët nga jeta. Prej tij, ai solli disa vizatime të cilat i konsideroi të veçanta. “Kam pasur një lidhje intime me artin e asaj kohe, sepse im atë ishte artist, ishte piktor. Si shumë piktorë të tjerë, i bëri kur shkonin për të vizatuar nëpër miniera, fabrika, kantiere dhe pastaj nga vizatime transformoheshin në piktura dhe në tablo. Këto vizatime kishin një lloj ndjeshmërie, sinqeriteti dhe trishtimi, që e humbisnin në tablonë finale”, tha ai. Ashtu, duke harruar emrin e tij sot, kujtoi se dikur, herët kur qe çunak, e kishte pasion të hapte dosjet e të atit. E ato kohë, vitet 1980-1990 Pacin e lidhin me kujtime për t’i ikur realizmit socializmit, por përpjekjet shpesh pengoheshin. “Ishte një plak, xha Kadriu, që e kishim si model. Prisnim të flinte ai që ta pikturonim ne se lëvizte. Në këtë pikturë timen (ku dukej një vajzë elegante) përveç kësaj modeles, ishte me tone blu figura e xha Kadriut dhe kishte një atmosferë që pedagogët nuk ma pranuan. Më thanë bëje më të vogël, me tonë më të ngrohta. Erdhi Edi Rama dhe më tha: ‘Pac, nëse do që të kalosh klasën apo që të mos kesh probleme të paktën zvogëloje dhe bëje me tone më të ngrohta. Bëj një vajzë të re’. Por me këtë kalova (qesh)”.

RRËZIMI I ‘IDHUJVE” DHE ZHGËNJIMI
Një prej punëve të prezantuara prej tij ishte një pikturë e viteve ’90, kur nuk kishte më ndërhyrje nga pikëpamja ideologjike, a si tha ai, “kur nuk të merrte më kush në burg, nuk mbeteshe më në klasë, por ti mund të ishe i lirë që të bëje çfarë të doje”. E teksa dukej se u çlirua, më 1992, ai ikën në Itali, ku filloi të vizitonte muzetë e arteve. Paci riosh e i ‘pamësuar’ me artin e Perëndimit, zbuloi se llojin e pikturës që ai bënte, e gjente në sektorin e viteve ’60. Kuptoi jo vetëm se kishte studiuar në një shkollë të prapambetur, por se edhe guximi që kishte pasur ishte një guxim, koha e të cilit kishte perënduar. Nuk e gjente më veten, ai i kishte folur së shkuarës, e kishte dashur të shkuarën, po ajo nuk ishte më. Gjithë ç’kishte besuar, kishte rënë, zhgënjimi e kishte përfshirë dhe tashmë duhej gjetur, ‘një dashuri’ e re. Atëherë, kur nuk i besohej më formulës së komunizmit, filloi të kërkonte një formulë të re, atë të momentit, atë të tijën. “Situata post-moderniste ishte një situatë që e kishte rrëzuar totalisht mundësinë për gjetjen e një formule, kur gjërat janë të përcaktuara qartë, pikat e formulimit janë të përcaktuara qartë dhe shprehje të tilla, se çdo gjë mund të jetë një vepër arti, çdokush mund të jetë një artist, për mua ishin totalisht konfuzionale, më mbushnin me konfuzion”, tha ai duke kujtuar se në këtë kohë u njoh me forma, të cilat kërkonin që të thyenin barrierat mes artit dhe jetës. 1997,

KOHA E DËSHPËRIMIT
Edhe pse e kishte lënë Italinë për të jetuar në Shqipëri, vendos të riikë prej këtej. “U ktheva në Itali, me time shoqe dhe me vajzat e mia të vogla, duke lënë një vend totalisht në kaos. Shqipëria në atë kohë ishte një vend që të dëshpëronte. Një nga qëllimet tona kur shkuam në Itali ishte që t’u krijonim vajzave një lloj situate më të hareshme, një ambient më paqësor. Një ditë shikoj vajzën trevjeçare që po u tregonte disa përralla vajzave të veta dhe në këto përralla, ajo në mënyrë shumë spontane bashkon dëshirën e saj për të luajtur dhe për të shpikur histori dhe personazhe, duke marrë si moment edhe situatën e vitit 1997”, tregon Paci, duke kujtuar se në atë moment, filloi të bëhej video- artist, çka u bë më pas një ndër format e tij të shprehjes, si tek “Bleieve me, I am an artist”, apo tek “Piktori”, ku tregon Shqipërinë e kioskëzuar. Mes shumë kioskave është ajo e një artisti ku përveç pikturave, gjeje viza, false sigurisht, për certifikata false që piktori arrinte t’i realizonte brenda pikturës së tij, certifikata false e lindjes dhe e vdekjes, reklama për parti, VC për burra, etj. atëherë, Paci porositi certifikatën e tij të vdekjes.

RAPORTI ME VDEKJEN
Artistët në kohë e vende të ndryshme kanë pasur raporte të ndryshme me vdekjen. Disa kanë shkruar gjatë për të, sigurisht para se të ndodhte, disa e kanë paralajmëruar, disa kanë dashur të dinë se si është ajo dhe janë rrekur të gjejnë mënyra. Sot, kur lexohen shkrimet a poezitë e Pier Paolo Pasolinit, shumëkush mendon se ai i parapriu vdekjes së tij duke aluduar për Ostian (ku u gjet i masakruar) në shkrimet e tij. Pasolini është një ndër ata artistë me të cilin Paci ka dialoguar fort. Vetë Paci rrëfeu dje se në një periudhë të caktuar ai interesohej shumë vdekjen. Nga kjo kohë, vjen video “Vajtojca”, që në veri sidomos, është traditë që një grua të paguhet për të qarë të vdekurin. Personazhi është vetë Paci, që vishet me kostum, bën të vdekurin dhe mbi të vajton ajo grua. Është një video disi e rëndë. Mbase më e rëndë se për një spektator që nuk e njeh ritin, është për një spektator që e njeh mirë ritin. Kjo punë, që është nga ato që të prek tepër, për Pacin ka qenë një çlirim.

KASETAT& MONITORI
Në Itali ku jeton, shpesh i ka ndodhur të shohë videon e dasmës së tij. I ka pëlqyer të luajë me të, të kompozojë dhe mandej vendosi që nisur prej saj, të lindin një seri pikturash.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: