Emisioni “Alert” në News 24 nga Granit Sokolaj trajtoi këtë të mërkurë një nga problematikat më të mprehta që prek jetën e kujtdo nga ne, sigurinë rrugore.  Po sa respektohen rregullat e qarkullimit rrugor nga këmbësorët shqiptarë? Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, që prej vitit 2014-të deri në fund të shtatorit të 2019-ës, janë shënuar 1365 viktima nga aksidentet rrugore.

Sipas INSTAT, në rreth 86.1% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve. Në një vëzhgim të Emisionit “Alert” dhe Qendrës “Alert”, arrihet në konkluzionin se çdo drejtues mjeti është i rrezikuar të përfshihet në aksident me këmbësorë apo biçikleta.

Për të diskutuar mbi temën “Këmbësorët e vdekjes!”, të ftuar në emisionin “Alert” ishin shefi i Sektorit të Analizës dhe Projekteve të Policisë Rrugore, Mitat Tola si dhe Specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti. Tola tha se aksidentet rrugore kanë kaluar në vendin e pestë në renditjen e shkaktarëve të vdekjeve, nga vendi I dhjetë që kanë qenë më parë.

“Bashkimi Europian por dhe pjesa tjetër e botës po përballen me fenomenin e aksidenteve rrugore i cili nga vendi i dhjetë që ka qenë si shkak kryesor i vdekjes së njerëzve, ka kaluar në vendin e pestë, dhe po synon të kapë vendin e tretë. 100 për qind aksidenti rrugor nuk mund të shmanget por ndërkohë mund të ulet me masa të shumëanshme nga aktorët kryesorë të sigurisë rrugore. Nëse do shikojmë statistikat, shikojmë se këmbësorët zënë rreth 36-38 % të të vrarëve në aksidentet rrugore në Shqipëri, në një kohë që mesatarja e Bashkimit Europian është  22-26%. Kjo tregon që nuk kemi një edukatë të ecuri në rrugë! Mënyra e marrjes së leje-drejtimit, rritja e shpejtësisë mesatare që në 2019-ën ka arritur në 80km/ë, dhe mungesa e harmonizimit të sistemit të sinjalizimit dhe sigurisë, çojnë në aksidente rrugore”, tha Tola.

Ndërkohë specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti e cilëson si alarmante situatën e sigurisë rrugore dhe shton se infrastruktura e dobët rrugore është një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve.

“Në vendin tonë gjendja është shumë alarmante! Viktimat e rrugës këto 3 javët e fundit janë shtuar shumë, është për t’u dhënë alarmi SOS.  Po pse bëhen aksidentet? Infrastruktura është shumë e dobët, nuk ka vendkalime këmbësorësh”, theksoi Ziçishti në Alert.

https://youtu.be/gU_agggn0Hs

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb