TIRANË

Gazetari Habjon Hasani që ka publikuar pak ditë më parë një projekt të Sorosit për të ardhmen e Kosovës, ku përfshihej si alternativë edhe këmbimi i territoreve ka folur sot në “A show” në News24 për dokumentet që i ranë në dorë duke bërë dhe interpretimin e tyre. Ai tha se e ka marrë raportin nga një media që financohet nga Sorosi duke përshkruar tre perspektivat ku shfaqet dhe ideja e këmbimit të territoreve. Projekti është i vitit të kaluar dhe i hartuar nga ekspertë të pavarur serbë, një prej tyre këshilltar i Vuçiç të punësuar enkas.

“Pas takimit të Berlinit ku ishte zoti Thaçi, zoti Rama e zoti Haradinaj lexoj një artikull në media dhe disa komente poshtë. Një nga komentuesit anonimë kishte hedhur në koment përveç fjalëve të veta edhe një link të gazetës Zëri të Kosovës dhe thoshte diçka ka folur kjo gazetë për këtë raport.
Gazeta Zëri e Kosovës në shkrimin që unë pashë, i referohej një buletini përmbledhës të raportit, një përmbledhje në anglisht. Kërkova me emrin në anglisht të përmbledhjes dhe më del një shkrim i BalkanInsight ndër të tjera që e referonte. I shkruajta kryeredaktores së BI dhe ma nisi raportin në email, pra ka ardhur nga Beogradi raporti, nga BIRN media e financuar nga Soros vetë.
Ajo që unë kam konstatuar dhe që mendoj ka shumë rëndësi është kjo: Fondacioni Soros, dega Beograd ka kërkuar, ka porositur dhe ka financuar pesë ekspertë serbë ku drejtuesi i grupit të ekspertizës është një akademik i njohur, ndërkohë edhe ish-këshilltar i zotit Vuçiç dhe kanë hartuar një raport mbi perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të Kosovës dhe Serbisë.
Nuk është një think tank. Këta janë ekspertë të mbledhur individualisht. Nuk ishin një grup pune që funksiononin si të tillë para se të pajtoheshin. Këta janë marrë një nga një, janë të gjithë shtetas të Serbisë, kanë hartuar këtë raport. Ky raport hartonte tre perspektiva. Perspektiva 1: Ishte status quo, asgjë nuk lëviz, më e keqja e mundshme. Perspektiva 2 ishte një zbatim i detajuar i marrëveshjes së 2013 të Brukselit, që flet për autonomi të ndërthurur, të pushteteve lokale serbe dhe kombëtare kosovare dhe anasjelltas për territoret e tjera. Kjo ofronte dhe një lloj aksesi të kufizuar dhe të kontrolluar të interesave të kompanive serbe në Trepçe dhe ata thoshin që në rast të kësaj marrëveshjeje ne të avancojmë sa të kemi mundësi.
Është edhe opsioni i tretë, këmbimi i territoreve, ku Serbia do të japë disa territore shqiptare për të marrë në këmbim disa territore shqiptare me Trepçën, me një pasuri nëntokësore tepër të rëndësishme”, deklaroi Hasani.

Ai e interpretoi si një projekt që Serbia të fuste në dorë minierën e Trepçës.
“Studimi, nuk është thjesht mbi territore, por mbi Trepçën se si mund ta kemi Trepçën dhe këto janë opsionet. Unë kështu e kam lexuar”, u shpreh ai.

Hasani tha më tej se Presidenti i Kosovës mund të jetë shantazhuar me gjykatën speciale.
“Unë nuk e di a i ka detyruar, a ka bërë partneritet me ta apo është joshur sepse të tre udhëheqësit në Kosovë, në Serbi dhe Rama në Tiranë kanë valenca të ndryshme si në atë që përfaqësojnë në pushtetin e tyre, si atë që përfaqësojnë përballë fondacionit për shoqëri të hapur. Mendoj se është shteti serb që ka ditur të joshë Sorosin por nuk mendoj se Sorosi i ka detyruar ata.
Zoti Thaçi ndoshta ka qenë në një pozitë krejt tjetër. Mendoj se zoti Thaçi ka qenë nën presionin e institucioneve ligjzbatuese dhe sidomos Gjykatës Speciale dhe dyshoj që ndaj zotit Thaçi po, mund të ketë pasur një lloj shantazhi në distancë me Gjykatën Speciale që të ingranohej në këtë proces. Ndërsa zoti Rama mendoj se nuk ka nevojë fare për shantazh, zoti Rama është i vetmi kryeministër sot në Europë, se ka pasur dhe të tjerë që është 100% në predispozicion dhe 100% nën komandën dhe nën gatishmërinë absolute për t’i shërbyer këtij grupi interesi, që është fondacioni për shoqërinë e hapur”, deklaroi Hasani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: