Publikohet një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1977, ku ndodhet një raport-informacion i Sekretarit të Parë të rrethit të Tropojës, Hysen Papa, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, ku midis të tjerash ai informon për arrestimin e kooperativistit Zenel Buçpapaj, nga fshati Bujan i rrethit të Tropojës, i cili jo vetëm që bënte agjitacion e propagandë tek kooperativistët, duke u thënë se: “Tito është kokë e madhe dhe lufton për paqen”, etj., ai nuk pranonte të bënte qitje me tabelat, ku ishte koka e Titos! Relacioni i plotë i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, dërguar Komitetit Qendror, ku përveç akuzave ndaj anëtarit të partisë, Zenel Buçpapaj, jepen edhe disa të dhëna biografike për fisin Buçpapaj, ku një xhaxha i tij, që kishte shërbyer si ushtarak në Tiranë, ishte dënuar me burg politik, si “Bashkëpunëtor i Grupit puçist të Beqir Ballukut”!

Nisur nga lidhjet e shumta miqësore dhe farefisnore që kishin banorët e rrethit të Tropojës me ata të malësisë së Gjakovës dhe trevave të tjera të Kosovës, vëmendja e tyre ndaj Jugosllavisë së Titos ishte dhe më e madhe se e krahinave dhe rretheve të tjera më në brendësi të vendit, gjë të cilën e favorizonte edhe pozita gjeografike e atij rrethi veri-lindor, ku valët e kanaleve të televizioneve jugosllave dhe atij të Prishtinës, depërtonin më me lehtësi sin ë qytetin e “Bajram Currit”, ashtu dhe në të gjithë rrethin e Tropojës.

Nisur nga këto, natyrshëm që në biseda të ndryshme, ku hapur dhe ku nën zë, banorët e rrethit të Tropojës do të diskutonin me njëri tjetrin edhe për Jugosllavinë dhe udhëheqësin e saj, Josif Broz Tito, i cili falë politikës së të “paangazhuarit”, ku e kishte futur Jugosllavinë (apo siç e etiketonte propaganda zyrtare e regjimit komunist të Tiranës si “Bota e tretë”), që nga mesi i viteve ’70-të, e deri sa vdiq në 1980-ën, ishte në vëmendje të qarqeve politike botërore, gjë e cila u duk qartë edhe në varrimin e tij më 4 maj 1980, ku morën pjesë përfaqësues të lartë dhe kryetar shtetesh nga 120 shtete të botës, e gjithashtu nga 200 parti politike nga të pesë kontinentet.

Por siç dihet tashmë kjo gjë nuk vlente për Shqipërinë komuniste dhe Tiranën zyrtare, ku Josif Broz Tito ishte deklaruar botërisht nga Enver Hoxha, si “revizionist” dhe një nga “armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar”! Kësisoj, përmendja e emrit të tij, apo më saktë lavdërimet në adresë të Titos, ishin me pasoja të rënda për këdo, pasi as më pak dhe as më shumë, ato biseda me karakter politik konsideroheshin “agjitacion e propagandë” dhe shtetasit e ndryshëm që denoncoheshin për ato fjalë, dënoheshin me burg politik.

Kështu i ka ndodhur edhe Zenel Buçpapajt, nga fshati Dojan i Bujanit të Tropojës, i cili në vitin 1977, në biseda të ndryshme gjatë zborit ushtarak, ishte shprehur dhe kishte dhënë konsideratat e tij pozitive për Josif Broz Titon. Madje duke e konsideruar atë si “kokë e madhe” dhe politikan që “lufton për paqen” etj., etj. Por kjo “herezi” e tij është denoncuar në “organet kompetente” (Sigurimi i Shtetit), ku ai është arrestuar menjëherë dhe është dënuar me gjashtë vjet burg politik.

Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë shkrim, ku Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tropojës, Hysen Papaj, me anë të një letre që mban datën 17 dhjetor 1977, ka informuar Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi dënimin e Zenelit, i cili deri në momentin e arrestimit ishte dhe komunist me teserën e anëtarit të partisë në xhep.

Sipas dokumentit në fjalë, për dënimin e Zenelit bëhet e ditur se; “Tek ky njeri ka ndikuar drejt për drejt propaganda e armikut, shtypi, radiot dhe televizioni jugosllav, sidomos propaganda që ju bë Titos gjatë vizitës së tij në Kinë dhe se Zenel Buçpapaj kishte filluar pakënaqësitë e tij, pas dënimit të xhaxhait të tij, oficer madhor, me grupet puçiste”, gjë e cila rezulton të jetë e vërtetë, pasi xhaxhai i Zenelit, Rustem Arif Haxhiaj,(Buçapaj), ushtarak madhor në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, dhe i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, diku nga viti 1975, u arrestua si “bashkëpunëtor i Beqir Ballukut” dhe u dënua me 15 vjet burg politik.

Kjo gjë e rëndoi së tepërmi pozitën shoqërore dhe politike të familjes dhe gjithë fisit Buçpapaj, gjë e cila thuhet se u bë edhe shkaku kryesor që ndikoi në arrestimin dhe dënimin e Zenel Buçpapajt, në pragun e vitit të ri 1977. Këto dënime me burg politik të dy prej burrave më në zë të fisit Buçpapaj, të cilët nga komunistë u kthyen në “armiq të popullit”, dukej se “mjaftonin” që pjesëtarë të tjerë të atij fisi, të shikoheshin me sy tjetër nga regjimi komunist dhe pushteti popullor i asaj kohe.

Kështu sipas dëshmisë së djalit të Zenel Buçpapajt, Ademit, ndërsa i ati vuante dënimin në burgun e Ballshit, jo vetëm familja e tij që pati pasoja persekucioni, por ajo gjë u ndie dhe tek pjesa më e madhe fisit të tyre, si p.sh. te kushërinjtë e afërt, siç ishte Skënder Buçpapaj, letrar i ri në atë kohë, të cilit ju privua shkolla e lartë për disa vjet dhe u detyrua që të punonte në gurore si punëtor i thjeshtë dhe hekurkthyes për vite me rradhë.

Të njëjtin “fat” pati dhe i vëllai, Mujo Buçpapaj, gjithashtu letrar i ri dhe i vlerësuar për talentin e tij si poet dhe prozator, ku për shkak të biografisë, nuk iu botua një libër që ai e kishte dorëzuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë dhe për vite atij i’u mohua edhe e drejta e shkollës së lartë gjithashtu, siç ishte mohuar dhe Skënderit, të cilët mundën që të fitonin të drejtën e studimit, vetëm pas ndërhyrjes dhe ndihmës së madhe të shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, asokohe në funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e deputet në Kuvendin Popullor.

Relacioni i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, Hysen Papaj, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

KOMITETI I PARTISE RRETHIT Bajram Curri, më 27.12.1977

T R O P O J E

Nr. 872 Prot.

KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së

T I R A N E

Kohët e fundit u arrestua dhe u dënua me 6 vjet heqje lirije, Zenel Buçpapaj, anëtar partie që nga viti 1961, me gjendje kooperativist, me arsim 8-vjeçar dhe kurs Partie. I lartë përmenduri në një stërvitje ushtarake ka agjituar para një grupi rezervistësh duke u shprehur hapur se; “Tito është kokë e madhe botërore”, “Kia inatin dhe foli hakun”, është “njeri i zoti”, “Lufton për paqen”, etj.

Në kohën që bëhej qitja në tabelë ku ishte skicuar koka e Titos, nuk pranoi të qëlloj, gjoja nën pretekstin se nuk shihte nga sytë. Kur rezervistët e kundërshtuan dhe e kritikuan për pikpamjet dhe qëndrimin e tij, ai përsëri nguli këmbë në mendimin e tij për Titon.

Nga analiza që bëri organizata bazë, doli se Zeneli ishte kritikuar për indiferentizëm dhe inaktiv ndaj Partisë, nuk ka marrë pjesë aktive në debate e diskutime, është paraqitur si i fjetur në organizatën bazë.

Sa doli nga diskutimet, ai edhe herë të tjera ka pëshpëritur mendime të mjegullta për probleme të ndryshme teorike që janë rrahur në format e edukimit të Partisë, por nuk i janë vlerësuar duke i parë si diçka thjesht të nivelit gjoja të ulët të Zenelit.

Indiferentizmi dhe pakënaqësia e tij qenkan shtuar gjoja pas arrestimit dhe dënimit me heqje lirie të një axhës së tij, oficer me grupin e puçistëve. Edhe një axhë tjetër është dënuar për vjedhje.

Sa gjykojmë ne, tek ky njeri ka ndikuar drejt për drejt propaganda e armikut, shtypi, radiot dhe televizioni jugosllav, sidomos propaganda që ju bë Titos gjatë vizitës së tij në Kinë dhe pas saj.

Veprimi i tij u bë objekt diskutimi në organizatën bazë të Partisë, organizatën e Frontit, kooperativës, organizatave të tjera të masave dhe në njësinë ushtarake ku shfaqi fillimisht pikëpamjet. Organizata bazë duke u ballafaquar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, mbi kuptimin e presionit armik dhe zhvillimin e luftës së klasave në Parti dhe jashtë saj, në kushtet e rrethimit të bllokadës imperialisto-revizioniste, bëri një analizë me vlerë punës së saj për edukimin ideologjik të komunistëve dhe kooperativistëve, nxori përgjegjësinë dhe caktoi detyrat për forcimin e punës edukative me komunistët dhe kooperativistët të jetës së brendshme të organizatës bazë, kritikës dhe autokritikës, mprehjes së vigjilencën politike ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm.

Nga ky rast Komiteti i Partisë u mundua të nxjerrë mësime për forcimin e të gjithë punës ideo-politike me komunistët dhe me popullin, për njohjen më thellë të formave të luftës që përdor armiku, veçanërisht titizmi jugosllav.

Në kuadrin e luftës parandaluese kundër kriminalitetit, në frymën e letrës së Komitetit Qendror të Partisë dhe të analizës që bëri Komiteti i Partisë, po bëjmë një punë të veçantë në Parti e në masa për demaskimin e titizmit jugosllav, të veprimtarisë së tij armiqësore kundër vendit dhe rrethit tonë, lidhur ngushtë me të gjitha rrymat e tjera të revizionizmit Hrushovian, Kinez etj.

Me gjithë komunistët dhe masën e popullit kemi filluar të studiojmë në mënyrë të organizuar dy kapitujt e fundit të raportit të Kongresit të 7-të, artikullin “Teoria dhe praktika e revolucionit proletar”, “Biseda e shokut Enver me Çu En Lain”, “Hrushovi në gjunjë para Titos”, “Revizionizmi pa maskë”. Kemi itensifikuar punën me shtypin e përditshëm etj./Memorie.al

SEKRETARI I PARE I KOM. PARTISE RRETHIT

(Hysen Papaj)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb