Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se vendi i tij për momentin nuk është i prirur të ndërmarrë veprime sa i takon mosnjohjes së disa shteteve ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet që nuk e njohin, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai.

Në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, ai u shpreh se është shumë i keqardhur që situata ka ardhur deri në këtë pikë.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, tha ambasadori amerikan.

Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se SHBA ka dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe që të tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre. Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

Sipas Hovenierit, këto veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

“Rritja e gatishmërisë luftarake në Serbi nuk është shenjë e mirë”

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: