Kryeministri Edi Rama tha në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story”, në News24, se plani A i qeverisë ka në fokus njerëzit me ndihmë ekonomike, ata që kanë biznes të vogël dhe janë të vetëpunësuar dhe pensionistët.

Sipas kryeministrit, në këtë situatë lufte të koronavirusit, më të fortët, më të shëndetshmit dhe më të kamurit duhet patjetër të sakrifikojnë për ata që janë më të dobët, më pak të kamur e më pak të shëndetshëm.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Qeveria shqiptare ka ndërmend të mbrojë konsumatorët?
Rama: Çmimet në luftë rriten, nuk bien, është gjëja më imediate. Ne kemi garantuar ushqimin e popullit, kemi një marrëveshje pothuajse të finalizuar për të krijuar stok maksimal. Në fund të luftës, nëse mbetet një pjesë, qeveria do ta marrë dhe do ta fusë në rezerat e shtetit. Pra, nuk do të kemi problem furnizimi. Përsëris vetëm që kjo është luftë. Gjyshërit tanë shkuan në luftë, duke humbur jetën, këtu kërkohet të mos dalësh nga shtëpia kot dhe të kuptosh që në shtëpi nuk mund të kesh të njëjtin standard me të cilin je mësuar.

Pyetje: Ka një miratim për planin A, por vlerësohet i pamjaftueshëm. Shumë veta thonë pse biznesi i madh po lihet jashtë?
Rama: Mendoj që në luftë më të fortët, më të shëndetshmit, më të kamurit, patjetër që duhet të sakrifikojnë më shumë për ata që janë më të dobët, më pak të kamur dhe më pak të shëndetshëm.

Pyetje: Kompanitë e mëdha thonë se mund të paguajnë punonjësit për një muaj, dy apo tre, por…
Rama: Thuaji atij t’i paguajë për këtë muaj e të mos heqë punonjësit nga puna, pastaj shohim e bëjmë. Nuk mundet dot në këtë situatë, që kush ka më shumë, të kërkojë të marrë më shumë. Këto nuk janë problemi jonë. Problemi ynë janë punonjësit dhe sigurisht që ne jemi këtu, nuk i kemi mbyllur kapakët e planit. Por, e përsëris, është shumë e rëndësishme në këtë moment, që të mbështeten ata më të dobtit, që janë ata me ndihmë ekonomike, ata që kanë një biznes të vogël dhe janë të vetëpunësuar dhe pensionistët. Ne do të hedhim më shumë se 20 milionë euro për pensionistët që në fillim të prillit, do ta bëjmë patjetër. As ata që po humbasin vendin e punës nuk do t’i lëmë vetëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb