MAQEDONI E VERIUT

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim dhe për kritikët e Shengenit Ballkanik, teksa Kosova mungon në këtë nismë. Rama tha se s’mund të bëhet një karikaturë e BE-së dhe se s’mund të pritet konsensus për t’u takuar nga të gjithë sepse nuk e kemi luksin të humbasim kohë.

Ai theksoi se kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve dhe se nuk kemi parë se çfarë fitojmë nga bashkëpunimi, por kemi parë se sa keq heq tjetri nga konflikti.

“Ne përballemi si gjithë të tjerët por në kushtet tona me vështirësi ekstra për shkak të pasojave të pandemisë. Jo vetëm që ne në asnjë mënyrë nuk mund t’ia privojmë vetes këtë potencial, që e ka rajoni, që e ka bashkëpunimi mes nesh, por duhet të bëjmë çmos që të vrapojmë për të fituar një kohë të humbur që është marramendëse. Nuk kemi pse të presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e të katër lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në BE.

Ne duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë tani. Do ta bëjmë tani! Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë ekskluzive e Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë? Sa herë duhet ta përsërisim që cilido që dëshiron të na bashkohet mund të bashkohet. Por ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Këtë s’mund ta presim sepse ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE këtu që çohet njëri dhe thotë unë vë veton ju s’duhet të takoheni, ose çohet tjetri vë veton, ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë. Këtë nuk e bëjmë dot.

Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë se kemi humbur shumë, kemi humbur shekuj. Ne nuk mund ta bëjmë si ata dy ballkanasit që luftonin për sulltanin dhe u shquan në marrjen e një kështjelle. Sulltani kërkoi t’i takonte dhe t’i shpërblente, i tha ‘keni hipur të parët në kështjellë dhe keni vënë flamuri ne perandorisë, unë’, -tha- ‘s’kam kohë që t’ju dëgjoj të dyve, por i dyti të kërkojë çfarë të dojë dhe i pari do marrë dyfishin’. Ky i dyti tha ma hiq një sy mua, që t’ia hiqte të dy atij tjetrit. Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve. Nuk kemi parë se çfarë fitojmë nga bashkëpunimi, por kemi parë se sa keq heq tjetri nga konflikti.

Kjo histori është një histori e gjatë dhe he dhimbshme për të mos e lënë pas. Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Sertbisë se është e madhe dhe për t’i dhënë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi edhe që BE është një Jugosllavi e Madhe. Nëse BE është një Jugosllavi e Madhe, po kjo është Jugosllavi e Vogël. Po në fakt jo, kjo është as më shumë e as më pak po krijimi i një hapësire që jeton me parimet, me vlerat dhe mekanizmat e BE, në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjet e tij për t’u integruar në BE”, deklaron Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb