Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në takimin e Këshillit koordinues të qarkut Tiranë, takim i mbajtur në kuadër të zgjedhjes së strukturave të Partisë Socialiste, ka theksuar nevojën e pasjes së një procesi transparent dhe që sipas tij duhet të bëhet për ti hapur rrugë personave të cilët vërtetë janë të talentuar dhe jo t’i pritet rruga atyre për të mbështetur dikë tjetër.

Rama ngriti shqetësimin mbi faktin që pushteti politik i partisë në nivel qarku ka ngelur në duart e kryetarëve të bashkive, situatë e cila sipas tij nuk është normale.

Kryeministri ka bërë me dije se në kryeqytet procesi do të nisë që në fillim në nivel njësish bashkiake.

Ai ka zbuluar se qëllimi është që në fillim të vjeshtës të jenë të përcaktuar ata që i cilësoi si vija e parë e frontit, ndërsa në fund të vjeshtës të nisë korrigjimi në organizatë me qëllim që në zgjedhje të shkohet me një parti me energji të reja.

Kryeministri ka theksuar se PS-së i nevojitet të bëjë vetë edhe pjesën frymëzuese për të kaluar në procese të tilla e për të qenë më e mirë seç është, pasi një opozitë që ta shtyjë të jetë e tillë nuk ekziston.

“Është deputeti, kryetari i bashkisë apo e gjitha forca politike që e bën përballjen, flas për angazhimin e partisë në mënyrë sistematike në territor si zëdhënëse e gjitha atyre gjërave që na bëjnë bashkë si zëdhënëse e identitetit tonë qëllimeve tona dhe patjetër mënyrës si mendojmë për çështje të caktuara.

Faktikisht kjo nuk ndodh. Nëse ka diskutime politike në territor lindin dhe zhvillohen kur drejtuesit e qarqeve, deputetët apo mbase ministrat janë aty dhe mund të jetë një situatë e caktuar ku diskutohet një temë. Por përgjithësisht nuk diskutohet dhe kur ka janë të një natyrë teknike dhe të mbyllura në qerthullin e interesave të vogla aty. Kjo nuk mund të jetë më kështu. Duhet të ndryshojë dhe duhet ta nisim me këmbë të mbarë me këtë proces tani.

Duhet të garantojmë që procesi duhet të jetë i hapur. Të gjithë ata që mendojnë se mund të ofrojnë kandidaturën e tyre për të drejtues të PS fillimisht në 61 bashkitë e më tej në njësitë bashkiake, në Tiranë që në fillim me njësitë bashkiake, dhe nga ana tjetër për të qenë ne të gatshëm të identifikojmë me seriozitet kandidatët më të mirë të mundshëm.

Të kalojë në filter të dy-fishtë në atë të anëtarëve të partisë dhe komisionit të posaçëm që është ngritur për ti kaluar kryesisë propozimin për kandidaturat më të mira. Në radhë të parë kjo është çështje besimi, na takon ne këtu ta ndërtojmë këtë besim. është çështje serioziteti dhe na takon në ta ndërtojmë këtë e të mos bëjmë çka ndodhur në të kaluarën që i është mbyllur rruga dikujt për ti hapur atë dikujt tjetër që më vonë ka marrë mbështetje në Asamble.

Këto na kanë lënë pa lidership politik në nivelin vendor në parti. Lidershipin e kanë marrë kryetarët e bashkive. Dhe duke qenë jeta e lidhur edhe me interesat dhe duke pasur kryetarët e bashkive mundësinë të ndikojnë mes forcës së autoritetit dhe aftësisë për ti ardhur sipas avazin njërit apo tjetrit, është krijuar një situatë ku ata që mund të kenë vërtetë të talentuar, nuk e marrin përsipër ose edhe kur e marrin fiken, sepse nuk i jepet mundësia të lulëzojnë.

Ne e kemi të domosdoshme ta bëjmë këtë. Është puna jonë, e të gjithë atyre përfaqësuesve të partisë në nivel qarku. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhjet vendore. Për fat të keq u bë më shumë e zakonshme se e jashtëzakonshme të kemi mbi kokë gjëra të jashtëzakonshme që nuk i zgjedhim vetë por ndodhin dhe duhet të përballemi, tërmeti, pandemia, këtë situatën tjetër që nuk dimë sa do të zgjasë dhe si mund ta çojë procesin në aspektin ekonomik, social, marrëdhënieve ndërkombëtare, por zgjedhjet janë aty dhe duhet t’i bëjmë e fitojmë.

Për ti fituar na duhet të përsërisim gjithçka të duhur që kemi ditur të bëjmë deri tani por të shkojmë edhe më tej. Të vazhdojmë të ripërtërihemi, përmirësohemi, korrigjojmë çfarë nuk shkon dhe të bëjmë me sukses vetë çlirimin nga energjitë negative e kalimin në pozitive. Aq më tepër kur nuk kemi një opozitë që të sfidon e motivion të shkosh në këto drejtime. Duhet ta bëjmë vetë duke parë gjërat që nuk kanë funksionuar siç duhet, pasi mund të kthehen në problem të madh nëse vijojnë të bëhen.

Tirana është një sfidë e jashtëzakonshme për 1001 arsye dhe për 1001 probleme të jetës së përditshme që janë probleme të një komuniteti të gjerë e të larmishëm, e na duhet që në TR e kudo të kemi një parti që të ketë njerëz që të shtojnë kapacitetin komunikues të PS në territor, ta bëjë në mënyrë të vazhdueshme.

Ajo që mungon dhe që duhet ta shohim me shumë vëmendje është energjia e komunikimit të organizatave. Këtë e jep drejtimi i partisë në njësitë bashkiake, në territor, në bashki, nëse kemi një front të parë me kryetarët e bashkive që janë në lartësinë e sfidës, do të jetë një ndryshim total.

Nuk është proces i lehtë por i domosdoshëm. Është koha ta nisim tani, që të arrijmë që në fillim të vjeshtës të kemi vijën e parë të përcaktuar pak a shumë dhe deri në fund të vjeshtës ti kemi të rreshtuar në krye të partisë dhe të nisim më tej korrigjimin në organizatë e të shkojmë në zgjedhje me një parti me energji të re pozitive me kapacitet të rritur komunikimi me njerëzit.

E fundit që kam, është domosdoshmëria e përfshirjes në proces jo vetëm e deputetëve se janë të përfshirë dhe kontributorët kryesorë për shkak se janë fuqia bazë dhe në raste të caktuara e vetëme bashkë me kryetarët e bashkive për komunikimin politik, çka nuk është normale.

Duhen përfshirë me territore të përcaktuara edhe anëtarët e këshilleve bashkiakë. Është shumë proces voluminoz dhe kërkon angazhim dhe përfshirje me vëmendje, jo vetëm për të kaluar radhën. Është gjëja e duhur po nuk mjafton kjo. Duhet ta bëjmë të rezultojë e duhur në realitet”, tha kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: