TIRANË

Gazetarja Rudina Xhunga ka folur në një lidhje ‘live’ me News24 për situatën që po kalon vendi. Xhunga shprehu nevojën e një komunikimi për atë që do ndodhë pas koronavirusit, për mënyrën si do hapet vendi dhe jo vetëm komunikimi i kryeministrit.

Sipas saj, televizioni shtetëror dhe ministria e Kulturës duhet të ishin në krye të një komunikimi pozitiv këtë kohë.

“Mendoj se është gjë shumë e mire pasi fasha e orarit është zgjeruar. Nuk besoj se do ketë njerëz që do dënohen 15 vjet burg për thyerje karantine, por mendoj se duhen disa masa që të mund të rrinë në shtëpi. Ne jemi një vend ku masat janë marrë në mënyrë rigoroze. Më duket debat i kotë 5-6 apo 10 vjet por di që njerëzit që thyejnë rregullat në mënyrë abuzive duhen ndëshkuar. Por nuk ka vetëm njerëz që abuzojnë por ka dhe njerëz që duan ta dinë çfarë do ndodhë pas koronës.

Ne kemi nevojë të komunikojmë për jetën pas COVID, për mënyrën si do hapet. Këtu mungon komunikimi. Mendoj që nuk mund ta bëjë kryeministri Edi Rama. Duhet të ketë njerëz të tjerë që flasin. A ka njerëz që mund të na komunikojnë nevojën për të shkuar përpara. Kemi nevojë për njerëzit e kulturës.
Televizionet duhet të hapin arkivat, e kam fjalën për televizionin publik. Është shkretëtirë, kemi nevojë. Nuk kemi nevojë vetëm për bukë. Kemi nevojë për ajër. Jo ajër mbytës, ‘do të të shkatërrojë, do të dënoj, do të sëmurë’. Kam filluar të ndihem e pasigurt. Kam filluar të ndiej pasiguri për këtë lloj klime. Vërtetë dorën nuk mund tua japim njeri-tjetrit por një buzëqeshja mund t’ia japim. Institucionet e kulturës çfarë presin. Është momenti më i mirë për ta për të treguar se ky vend bën kulturë. Pres nga televizioni shtetëror, ministria e Kulturës të ishin në krye të komunikimit pozitiv këto kohë”, u shpreh Xhunga.

Ajo tha se pa vaksinë do jemi të gjithë të prekshëm, do jemi të privuar nga liria por deri sa të dalë vaksina mund tua zbukurojmë jetën njerëzve.
Sa i përket qëndrimit pro apo kundër analizave sierologjike, që të tregojnë nëse ke qenë e prekur nga COVID apo a ke krijuar antitrupat e duhur, gazetarja e njohur u shpreh skeptike, duke treguar si shembull rastin e një personi në Maqedoninë e Veriut që edhe pse analizat e kishin nxjerrë negativ, ai kishte rezultuar më pas me COVID-19.
“Nuk jam person i duhur për t’i dhënë përgjigjen e duhur. Kam lexuar, jam informuar. Jam gëzuar madje që një analizë e tillë mund të më tregojë diçka. Uroj që ta bëjnë, por nuk jam personi i duhur për të dhënë përgjigje. Hyj tek njerëzit që them se i vetmi informacion i besueshëm është OBSH dhe qeveritë”, u shpreh Xhunga.

Sa i përket vaksinës për koronavirusin ajo tha se çdo gjë do kohën e vet dhe deri sa të bëhet jo vaksinë nuk mund të ketë liri të plotë.
“Kur zgjohem në mëngjes mezi pres të dëgjoj ndonjë lajm të mirë për vaksinën. Çdo gjë do kohën e vet. Do muaj të tërë, do pastaj të provohet, të rezultojë e duhura por nuk ka dyshim që ne mund t’i lejojmë vetes hapjes, por nuk do kemi lirinë e plotë pa dalë vaksina. Uroj që kur vaksina të dalë, të jetë mësim i mirë për nënat që kanë dyshime për t’i bërë fëmijëve vaksinën”, shpreh Xhunga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb