Reagimeve për ndërhyrjen e paligjshme në ‘Prestige Resort’ i është bashkuar edhe Oerd Bylykbashi.

Ndërsa ka sjellë një shkrim në Facebook, Bylykbashi ka bërë një analizë të gjatë rreth situatës, ku edhe nuk kanë munguar kritikat për kryeministrin Edi Rama.

Ai më tej thekson se një shtet dallon nga një bandë jo thjesht sepse ka ligj apo se vetëm duhet respektuar procedura, por edhe sepse në fund flet gjykata dhe jo Kryeministri.

Reagimi:

Nuk është vetëm çështje prestigji në sytë e botës, por mbi të gjitha është çështje të drejtash.

Një turiste daneze në resortin “Prestige” përmblodhi live në TV thelbin e asaj që po ndodh sot: “Në një vend te civilizuar, kjo që po ndodh është e pabesueshme. Kjo është sjellje prej primatësh, prej kafshësh, jo prej njerëzish të rritur. Në vendin tim kjo nuk do të ndodhte. Kuptoj që ka një konflikt mes qeverisë dhe pronarit të hotelit dhe nuk njoh të gjithë çështjen. Por nëse kërkoni të hyni në BE, duhet të sillen ndryshe.”

Më kujtoi shprehjen ogurzezë të Ramës në fjalimin e tij të parë si kryeministër në shtatorin e 2013: Në një shtet që qeveriset keq, është e kotë t’i drejtohesh gjykatës dhe prokurorisë, ndaj ju premtoj që do të jem i drejtë.”

Ja ku jemi sot 9 vite më pas, kemi një shtet që qeveriset jo keq, por kriminalisht nga Rama. Gjykata e prokuroria janë në hallin se do shkarkohen sot apo nesër nga vetingu i kryeministrit ndaj është e kotë të shkoni e qaheni atje dhe po patët hall, ju paftë Zoti! Kush ende është në kufijtë mes naivitetit dhe budallallëkut, le t’i drejtohet gjyqtarit suprem kryeministër me atë platformën e bashkëqeverisjes.

Një shtet e dallon nga një bandë jo thjesht se ka ligj, jo vetëm sepse duhet respektuar procedura, por se në fund flet gjykata, jo kryeministri

Në një shtet të së drejtës, edhe ai që dyshohet për krim, ka të drejta të pacënueshme që ia garanton procedura dhe gjykata. Por në një shtet bandit ka më shumë rëndësi arrestimi në flagrancë që shpallet në TV, jo vendimi i gjykatës.

Përpara gjykatës edhe shteti edhe privati janë të barabartë. Nëse është shteti apo privati gabim, këtë e ndan gjykata, jo kryeministri. Përpara ligjit dhe gjykatës nuk ka as privat të pasur që ka më shumë të drejta se një privat i varfër. Por në një shtet bandit ku nuk ka gjykata, nuk ka garanci as i pasuri, kështuqë i varfëri nuk duhet të ketë asnjë shpresë dhe e fundit që i mbetet është të ikë emigrant.

Në një shtet si ai që përmend turistja daneze, është gjykata që mbron pronën publike si bregu i detit apo pronën private të të varfërit nga privati “strategjik” i qeverisë, apo mbron investimin e investitorëve që krijojnë zhvillim nga shteti i padrejtë dhe policët e tij.

Por falë reformës së shkëlqyer, gjykatat janë në kolaps. Bashkë me to kolapsoi e drejta e pronës, pavarësisht e vogël apo strategjike. Kolapsoi e drejta e fjalës së lirë, pavarësisht nëse media është e madhe apo e vogël. Para këtij Kryeministri nuk e ka prestigjin e njeriut të lirë as i varfëri e as i pasuri.

Le ta provojnë sot ata që sapo u cënuan të ankohen në gjykatë e do të kuptojnë se kur duhen mbrojtur të drejtat, shprehja “më mirë vonë se kurrë” ka çmim të hidhur. Ftoj ata që sot gjykojnë ata që po goditen, vetëm të presin radhën, se radha do t’u vijë edhe atyre në një formë apo një tjetër, herët a vonë.

Sigurisht Rama sot do të nxjerrë lukuninë e lalierave që do të stigmatizojnë pronarët e resortit dhe mediave që po sulmon, do na flasin për ligjin dhe shtetin që po ngrenë.

Danezja që nuk do të vijë më në këtë vend, me naivitet normal tha: “Nëse doni të futeni në BE duhet të silleni ndryshe”. Ajo nënkupton se në BE nuk të lejojnë të sillesh kështu. Pikërisht këtu është çelësi. Moj zonjë, kush tha që Rama do që të hyjë në BE? Kjo e sotmja, si shumë veprime të tjera, qartazi synojnë që vendet e BE të mos na qasin, të na mbyllin dyert e Europës. Kështu Rama, ky kampion i hapjes së dyerve të Ballkanit, të mund të vazhdojë i qetë.

Zgjidhja është protesta dhe shporrja me votë e kësaj bande që e quan veten qeveri!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb