Kirurgu shqiptar i kolonës vertebrale në Nottingham të Britanisë së Madhe, Dritan Pasku, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Real Story” në News24, deklaroi se situata në shtetin britanik paraqitet e vështirë, për shkak të Covid-19.

“Situata në Britani paraqitet e vështirë. Kjo situatë ishte e pritshme dhe mendoj se gjendja do të vazhdojë kështu. Në Shqipëri u morën masa më të shpejta dhe të ashpra. Masat në Angli do i quaja në thonjëza demokratike, sepse nuk kemi kufizim kaq të madh.

Ne nuk jemi detyruar të shkojmë në punë, nëse e bëjmë punën në shtëpi. Më vjen mirë që mjekët shqiptarë kanë bërë një punë të mirë”, tha Pasku.

Më tej, Pasku deklaroi se nuk ka dijeni për shqiptarë që të kenë vdekur nga Covid-19 në Britani, kurse tha se ka pacientë që presin të bëjnë operacione dhe se situata është bërë më kritike, që pas pandemisë së koronavirusit.

Nuk kam dijeni për shqiptarë që kanë humbur jetën këtu ku jam, por në Londër do ketë. Problem është sidomos tek njerëzit e transportit publik, tek shoferët, personeli etj. Ne kemi pacientët tanë. Gjendja me koronavirusin bën që të kemi më pak kapacitete.

Kemi operacione, ose priten operacione dhe këta pacientë shkojnë më keq. Është krijuar një rreth i ngushtë vicioz. Kjo është dicka e rëndësishme”, u shpreh Pasku.

Në lidhje me gjendjen shëndetësore të kryeministrit Johnson, Pasku u shpreh se kreu i qeverisë është njeri dhe se ai mund të sëmuret, sikundër edhe pjesa tjetër e shoqërisë.

“Kryeministri është njeri, ka lodhjen e tij me gjithë punën që ka bërë kohët e fundit. Të gjithë personat afër tij dolën pozitivë. Ata u vetë-izoluan. Këtu në Britaninë e Madhe sekreti profesional është i shenjtë”, tha Pasku.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb