Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë, të cilët ndanë pikëpamjet e tyre për çeshtjet më të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri, si dhe problematikat e arsimit në përgjithësi.

Studentët i thanë shefit të opozitës se mundi i tyre, shpenzimet e familjes për vitet e shkollës po shkojnë dëm, pasi në përfundimin e studimeve universitare, kanë pamundësi për të hyrë në tregun e punës.

“Unë për vete punoj në një call center dhe shumë shpejt do të diplomohem në Fakultetin e Drejtësisë. Teknikisht unë nuk do të mundem as të nxjerr të ardhurat, që unë kam investuar për të kryer këtë universitet. Mua minimalisht më kushton 2-3 mijë euro. Momentalisht unë po punoj full time, dhe arsyeja se pse unë po punoj me orar të plotë, është vetëm që unë të arrij të kursej të ardhura të mjaftueshme që në të ardhmen të mund të bëj masterin. Në rast se në një leksion supozohet të marrin pjesë 200 studentë, marrin a nuk marrin pjesë 30. 90 përqind prej tyre punojnë. Punojnë full time njësoj si unë. Shumicën i kam kolegë nëpër call center. Unë nuk do kem kolegë juristë, unë do të kem kolegë të call center, kamarierë. Sa bukur! Unë jap gjithë këtë investim, familja ime investon gjithë këtë kohë e mund për mua dhe unë dal një kamariere, banakiere në fund të ditës. Unë do të isha e gatshme për çfarëdolloj gjëje që të largohesha nga Shqipëria sot”, thotë Edona, studente e Fakultetit të Drejtësisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Sot në Shqipëri nëse nuk ke një mik në partinë që është në pushtet, ti nuk ke mundësi as të dëgjohesh. Mund të jesh një student shumë i mirë, një student ekselence, mirë që diploma nuk do të shihet, por as nuk do të kesh mundësi as të dëgjoheshe të gjesh një vend pune. Dhe detyrimisht do të bësh diçka që nuk ka lidhje fare me shkollën që ke studiuar, investimin që ke bërë prej pesë vitesh e ndoshta dhe më tepër. Pse të na shkojë kot gjithë ky investim?! Ne kemi nevojë për shumë më tepër frymëzim, më shumë mbështetje, dhe meritokracia, gjëja kryesore, duhet të dominojë mes nesh dhe jo korrupsioni”, thotë Elisabeta, një tjetër jurist e ardhshme që sheh shumë vështirësi në integrimin në tregun e punës.

Por për kryetarin e PD, ikja nuk është zgjidhja e duhur. Basha ftoi studentët dhe të rinjtë shqiptarë që të luftojnë për të qëndruar në vendin e tyre dhe të bashkohen që të pamundësojnë të keqen, që i shtyn shqiptarët të ikin nga vendi i tyre.

“Asgjë s’të bëhet si vendi yt. Sot në këto kushte, mund të duket se ajo është një zgjidhje dhe ndoshta mund të jetë edhe një zgjidhje afatshkurtër, por nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje afatgjatë të largohesh nga vendi yt, nga familja jote, nga shoqëria. Beteja kryesore e imja është që të pamundësojmë këtë pengmarrje të Shqipërisë, që i shtyn njerëzit drejt largimit dhe po i shtyn në veçanti të rinjtë drejt largimit të dëshpëruar”, apeloi Basha te të rinjtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb