Kryeministri Edi Rama deklaroi se Komuniteti Politik Evropian duhet të funksionojë në mënyrë të tillë, që kur vjen fjala për sfida të jashtëzakonshme të përbashkëta, askush të mos lihet pas.

Rama deklaroi në fjalën e tij në panelin e Kongresit të Socialistëve dhe Demokratëve në Berlin, se “kemi pasur përvoja të tmerrshme me Bashkimin Europian kur nisi pandemia dhe kur Bashkimi Europian u mblodh me nxitim dhe nën trysninë e një angështie shumë të madhe për të nisur vaksinimin dhe në raundin e parë të vaksinimit, ne u harruam krejtësisht”.

Ai deklaroi se po të mos kishte qenë Turqia dhe Presidenti Erdogan, nuk do të kishim qenë në gjendje të vaksinonim askënd për një kohë mjaft të gjatë. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Kinën dhe njëfarë soji, edhe Rusinë.

“Ishte një moment shumë i frikshëm sepse pamë që në një situatë shumë të vështirë, Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekjeje”, tha Rama.

Rama ishte pjesë e një prej paneleve ku u diskutua gjerësisht mbi mënyrat e përballjes me sfidat e përbashkëta të së sotmes, nga inflacioni i luftës tek kriza e imponuar e energjisë, e me radhë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

-Zoti kryeministër, është nder edhe për mua që ndaj këtë skenë me ju dhe është nder, në fakt, për të gjithë ne. Atëherë, ju si kryeministër i Shqipërisë, si mendoni ose cilat janë përparësitë dhe prioritetet për vitet në vijim për bashkëpunimin europian?

Kryeministri Edi Rama: A mund të ma shpjegosh pse është nderi juaj?
-Është nder sepse ky është një politikan i vërtetë, është nder sepse ne njëherë kemi qenë nëpër takime në Zoom duke diskutuar për Ballkanin Perëndimor. Ju konsideroj gjithmonë një folës tejet interesant dhe nuk është sa për ta thënë në këtë skenë sepse mund të jeni mjaft provokues, çka më pëlqen si holandeze. Priresh të jesh shumë i drejtpërdrejtë, kështu që është një nder t’ju takoj ballë për ballë.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, le të themi që jam bindur tani. Po mendoja se cili do të ishte një kontribut i vlefshëm në këtë Kongres, ndërsa vij nga një vend që nuk është në BE, por është në E, në Europë dhe duke qenë pjesë e kësaj hapësire në zemër të Europës, në zemër të Bashkimit Europian, por jashtë Bashkimit Europian, që është Ballkani Perëndimor dhe mendova se nuk do ishte ide e keqe nëse do të përpiqesha të përcillja mesazhin se ajo çka nisi pak ditë më parë apo disa javë më parë në Pragë, në përpjekjen për ta bashkuar Europën përtej kufijve të Bashkimit Europian dhe për të përfshirë vende që në një mënyrë ose në një tjetër janë të lidhura, jo vetëm me fatin, thjeshtë me fatin e Europës, por gjithashtu me mënyrën sesi ecën përpara Bashkimi Europian.

Mbetet ende një pikëpyetje e madhe. Po, ky komunitet është i nevojshëm, e kemi parë sidomos në këto kohë që po bëhen gjithmonë e më tepër të përbashkëta, duke sjellë gjithmonë sfida të përbashkëta, por mënyra se si ky komunitet do të funksionojë në mënyrë të tillë që në përfundim të gjithë të shohin rezultate, si ky komunitet mund të funksionojë në mënyrë të tillë që kur vjen fjala për sfida të jashtëzakonshme të përbashkëta, askush të mos lihet pas dhe kontributi i askujt ndaj qëndrimit të përbashkët europian të mos merret i mirëqenë.
Kemi pasur përvoja të tmerrshme me Bashkimin Europian kur nisi pandemia dhe kur Bashkimi Europian u mblodh me nxitim dhe nën trysninë e një angështie shumë të madhe për të nisur vaksinimin dhe në raundin e parë të vaksinimit, ne u harruam krejtësisht.

Kështu që, na u desh të shihnim, si të tjerët rreth nesh nisnin të vaksinonin të moshuarit e tyre, infermierët, mjekët e tyre, ndërkohë që ne, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ishim kaq besimplotë e kaq shumë besnikë karshi Europës, ishim si peshku pa ujë. Çfarë mund të bënim? Na u desh të vraponim dhe t’i gjenim vaksinat pikërisht aty ku Bashkimi Europian thotë se vjen rreziku, Kina, Rusia dhe Turqia.

Në rastin e Shqipërisë, për shembull, po të mos kishte qenë Turqia dhe Presidenti Erdogan, nuk do të kishim qenë në gjendje të vaksinonim askënd për një kohë mjaft të gjatë. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Kinën dhe njëfarë soji, edhe Rusinë.

Ishte një moment shumë i frikshëm sepse pamë që në një situatë shumë të vështirë, Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekjeje.

Përsëri, ja ku jemi. Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë të gjithë komunitetin europian do të thosha. Dhe unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE sidoqoftë BE të zgjedhë të mbështesë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë.

Ne shqiptarët jemi njerëz shumë besnikë, qemë të fundit që tradhtuam perandorinë osmane edhe kur vetë osmanët vendosën të bënin diçka tjetër. Ishim të fundit që tradhtuam perandorinë sovjetike edhe kur të gjithë sovjetikët vendosën që nuk ishte një ide e mirë. Do të jemi te fundit që do të tradhtojmë perandorinë europiane edhe nëse BE do të shkrihet, por nuk duam sidoqoftë të merremi për të mirëqenë.

Kështu që mendoj se ka ardhur koha të shohim më në thellësi sesi kjo familje, familja socialdemokrate, ku meqë ra fjala, ka më pak solidaritet në vepra krahasuar me PPE sepse ata të PPE-së e mbështesin njeri-tjetrin verbërisht. Ne këtu në këtë familje duhet të shohim një herë nga njeri-tjetri dhe ne në fakt këtu e kontrollojmë dhe e shohim njeri- tjetrin kaq imtësisht sa ndonjëherë e bëjmë edhe nuk kemi solidaritet, megjithatë dua të them duke iu kthyer asaj që po thosha, që ka gjëra që janë të tmerrshme.

Nuk jemi vende të pasura dhe po shohim të rinjtë tanë, të rinjtë tanë më të mirë që largohen sepse nuk kemi të njëjtën qasje në sistemin europian të arsimit të lartë, që do të thotë universitetet tona nuk mund të krijojnë sinergjinë dhe të krijojnë rrugëtimin e përbashkët në universitetet në BE.

Nga ana tjetër, shohim që edhe ata që i paguajmë me paratë e taksapaguesve tanë që të bëhen mjekë e infermierë merren nga Gjermania menjëherë. Nuk duket e drejtë dhe nuk duket solidaritet europian që nga njëra anë të shohësh universitetet dhe të rinjtë e tu të vendit të lihen jashtë sistemit duke u larguar nga vendi sepse duan të bëhen pjesë e këtij sistemi dhe me shumë të drejtë dhe nga ana tjetër të shohim krahun tonë të kualifikuar të punës që merret nga tregu europian, natyrisht, e kuptoj që është tregu, por kjo duhet të jetë njëfarësoj e ekuilibruar me një lloj solidariteti në kuptimin që vendet tona duhet të marrin diçka në këmbim. Pra nëse nuk ka më gjermanë të rinj që duan të bëhen infermierë, jemi të lumtur të ndihmojmë, por po kështu duhet të ndihmohemi. Nuk mund të funksionojë vetëm në njërin kah.

Ka disa tema të tilla të cilat duhen trajtuar dhe unë shpresoj që ky komunitet i ri politik europian nuk është ai djathi delikat i fundmë francez për të shmangur pjatën kryesore. Por në fakt, të jetë pjata kryesore, jo vetëm për ata që janë BE, por dhe ata që janë vetëm E.

-Për ata që janë më të interesuar për idetë tuaja specifike, mund të rekomandoj artikullin tuaj të javës së shkuar në “Politico”.

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk ishte gjithçka që doja të thoja, ishte një lloj kompromisi midis meje dhe Mark Rutte, ishte një bashkëpunim shqiptaro-holandez që në fakt për mua dhe për ne ishte shumë interesante sepse vetëm pak vite më parë Holanda ishte forca më e e ashpër dhe më e padepërtueshme që nuk na linte të vazhdonim negociatat, por më në fund fituan zgjedhjet kështu që na shohin me një sy tjetër tani.

-Jam vërtetë e kënaqur për këtë.

– Zoti Kryeministër, edhe ju në fjalën tuaj folët për shembull për faktin që Europa nuk ka treguar rezultate gjithmonë dhe që edhe në muajt në vijim duhet të ketë më shumë solidaritet për shembull dhe për çështjen e energjisë edhe për vendet kandidate si Shqipëria. Atëherë, së fundmi ka patur dhe disa sulme kibernetike kundër Shqipërisë. Specifikisht në çështjet e sigurisë, c’bashkëpunim europian do të shikonit më tepër?

Kryeministri Edi Rama: Po, faleminderit për pyetjen! Së pari, më lini t’i shpreh mirënjohjen Sergeit, i cili sapo hyri tashmë në sallë. Kështu që, Sergei faleminderit shumë për gjithçka që ke bërë. Ke qenë pikë e jashtëzakonshme force dhe kuraje në kohë të vështira e kjo, jo vetëm sepse je një socialdemokrat bullgar, por shpresoj që kjo do të jetë fryma që do të transplantohet edhe tek socialdemokratët suedezë.

Më duhet t’ju them disa fjalë. Ne u përballëm me një sulm shumë të rëndë nga Republika Islamike e Iranit në përpjekje për të fshirë krejt të dhënat tona e për të shkatërruar tërësisht sistemin tonë të shërbimeve të ofruara në internet, që është një sistem shumë i zhvilluar në Shqipëri dhe vetëm dje, në udhërrëfyesin e zhvillimit digjital të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet e teta në Europë, në gjithë Europën, jo vetëm në Europën tonë që ka vetëm E dhe nuk ka B dhe e 19 në botë, çka nënkupton që kemi një sistem mjaft të sofistikuar të shërbimeve online që tashmë është pjesë e jetës së qytetarëve me një mori përfitimesh që eliminojnë pritjen në kohë, në radhë, eliminojnë ryshfetet.

Pra, ata goditën në një pjesë shumë strategjike të funksioneve tona të përditshme. Arsyeja lidhet me faktin që Shqipëria strehon disa mijëra pjesëtarë të opozitës iraniane sepse ne jemi një vend paksa ndryshe kur vjen fjala për solidaritet me njerëzit që kanë nevojë dhe nuk është rastësi që Shqipëria ishte i vetmi vend në gjithë Europën që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, sepse hebrenjtë në Shqipëri u mbrojtën dhe nuk ka asnjë dëshmi e të dhënë për asnjë hebre të vetëm të dorëzuar nazistëve.

Kur më pas makineria e tmerrshme e spastrimit etnik e Slobodan Milošević nisi veprimtarinë e saj të gjakatare në Kosovë, gjysmë milioni njerëz të zhvendosur prej saj u strehuan në Shqipëri. Së fundmi, largimi nga Afganistani ishte një histori tejet e rrëmujshme. Ne u hapëm dyert disa mijëra afganëve që askush nuk donte t’i merrte, edhe pse ata punonin për ne. Ishte një situatë vërtetë e sikletshme për t’u parë, që anëtarë të NATO-s që i kishin përdorur këta persona si si përkthyes, shoferë, si inxhinierë, ekspertë, e që i nxitën gratë të dalin, të flasin, të qëndrojnë e t’i dalin zot vetes, patën këtë ide të tmerrshme, jo vetëm të largoheshin, por të largoheshin edhe pa ta. Kështu që nuk mundëm ti shpëtonim të gjithë, por jam shumë krenar se ne shpëtuam shumë prej tyre.

Ishte edhe më e sikletshme të dëgjoje dhe se sa shumë u përgëzuam e sa kureshtarë ishin gazetarë nga mbarë bota që të dinin pse. Pra, ajo çka duhet të ishte rregulli, ishte një përjashtim dhe ky është turp për komunitetin e gjerë.

Kështu bëmë dhe me iranianët. Asnjë nuk donte t’i merrte. Vriteshin çdo javë në kampin “Liria” në Irak kështu që vendosëm që t’i hapnim dyert, por kjo erdhi me një çmim dhe çmimi ishte shumë i frikshëm.

Edhe pse sulmi nuk ia doli të fshinte të dhënat, ne ia dolëm që të rikthenim sistemet në punë, megjithatë, e dini? Morëm disa deklarata solidariteti ç’ka është gjë e mirë, por deri tani nuk po shohim më shumë se sa kaq dhe nuk dua që ta kthej në histori financimesh, por ka të bëjë edhe me financimet.

Ne jemi besoj, i vetmi vend në Europë që është 100% i gjelbër kur vjen fjala për prodhimin e energjisë. Në të njëjtën kohë jemi plotësisht të mbështetur në burimet ujore kështu që, kur Zoti nuk derdh lot mjaftueshëm, na duhet që të mbështetemi tek importet.

Nuk është mjaftueshëm që të bëjmë deklarata dhe t’u themi apo të përgëzojmë njerëzit kur sillen në mëmyrën e duhur, por duhet edhe të pyesim veten se sa po mundohen këta njerëz që të sillen në mënyrën e duhur, që të mos i lëmë që të shohin tjetërkund.

Kur vjen pjesa për botën kibernetike mendoj që do të përballemi edhe me të tjera, jo vetëm Shqipëria, por edhe të tjerët dhe më duket krejt surreale që Europa nuk ka ende një sistem të përbashkët të dhënave dhe një sistem të përbashkët reagimi kur vjen fjala për sigurinë.

Për ta përmbyllur, dua të ndaj këtu edhe anën tjetër të historisë që ka të bëjë me njerëzit që kërkojnë azil, të rinjtë që kërkojnë azil së fundmi në Britani. Qeveria britanike na thotë; ‘’Duhet t’i ndaloni’’. Po si mund të jetë puna e qeverisë së Shqipërisë që të verë rregull në kanal atje? Nuk e di. Ajo çfarë di është që nëqoftëse nuk ia dalim të shkojmë në origjinë, në burim të problemit, dhe nëqoftëse vazhdojmë të flasim për Europën demokratike, për vijën e përbashkët të demokracive kundër autokracive e kështu me radhë dhe pastaj të na mungojnë veprat kur vjen fjala për të vepruar së bashku, jo vetëm sa i takon solidaritetit, por edhe për objektivat e përbashkëta dhe në një kuptim të përbashkët, ne do të humbim shumë, sepse ka një avantazh të madh me të cilin përballen demokracitë kur luftojnë autokracitë e jo më kur bëjnë një luftë. Kufiri i dhembjes së personave që jetojnë në diktaturë dhe në regjime mizore është shumë më i lartë sesa kufiri i dhembjes së njerëzve që jetojnë në demokraci.

-Zoti kryeministër, ja ketë e urrej kur moderoj sepse ka vetëm dy minuta.

Kryeministri Edi Rama: Nuk duhet të kërkosh asnjëherë kufij kohe kur do të flasësh me burra nga Ballkani. Kurrë!

-Kam shumë për të mësuar nga ju.

Kryeministri Edi Rama: Ne vijmë nga një traditë ku flasim shumë dhe kam përshypjen që Margaret Thatcher e kishte me ne kur thoshtë që “Nëse doni të flisni, gjeni burra, në qoftë se doni të ndreqni gjërat, bëjeni me gratë”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: