Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Krujës, Agron Lokën.

Berisha deklaroi se në këtë garë elektorale demokratët kanë përgjegjësi për shkak se në zgjedhjet e kaluara vendore “ia dorëzuan fitoren në zarf Ramës”.

Sipas tij kryeministri Rama u përpoq sërish që opozita deri në fund të mos garonte në zgjedhje, pasi  bëri gjithçka, duke iu referuar çështjes së vulës dhe logos së PD-së.

Ai vijoi duke thënë se qeveria po bën “gjenocid” ndaj shqiptarëve pasi sot në parlament prezantoi një tjetër taksë ndaj një grupi profesionistësh.

“Zgjedhjet e 14 majit janë më të rëndësishmet në vend që nga viti 1992, janë zgjedhjet e jetës sonë. Ftohemi në një mision historik në këto zgjedhje. Në Shqipëri është vendosur një monizëm i bazuar në krimin, vjedhjen e qytetarëve dhe drogën. Të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në dorën e një njeriu. Sot Rama kontrollon më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991. Sot ky despot, nuk njeh ligj e kushtetutë, njeh vetëm dëshirat e mendimet e tij. Ai kontrollon sot pushtetin ekzekutiv, vendor, drejtësinë, presidencën, policinë, ushtrinë, SHISH-in dhe së fundmi kontraktoi si vrasës me pagesë kundër opozitës kryezbuluesiin e FBI-së. E përdori atë si vrasës kundër opozitës me qëllim për të kontrolluar opozitën. Ky është monizmi i Edi Ramës. Ai dështoi në këtë vepër makabër sepse për ju idealet demokratike janë më të lartat.

Nuk ka të këqija më të rrezikshme se ato që të kapin gradualisht, kjo ndodhi me vendin në këtë monizëm. Demokratët kanë përgjegjësi pasi bojkotuan zgjedhjet lokale dhe ia dorëzuam me zarf pushtetin Ramës. Ne njohim dhe pranojmë gabimet, e caktuam në statut. Rama mendoi se e kishim formale atë ne, bëri gjithçka duke besuar se ne do i bojkotonim. Ne do marrim pjesë në zgjedhje dhe do fitojmë.

Ne duhet të bashkohemi me çdo shqiptar që ndjen minimumin e dashurisë për këtë vend. Shqipëria nuk ka pasur kurrë më shumë nevojë se për një grimcë dashuri nga ne. Kurrë ndonjëherë nuk është shkretuar me shpejtësi të rrufeshme si këto 8 vite, kurrë nuk ka humbur 35% të popullatës së saj, kurrë nuk ka humbur nëpër Evropë 937 mijë shqiptarë.

Sot kishte ardhur ligji për të larguar profesionistët nga Shqipëria, u vendoste një tjetër taksë 23%, vetëm spastrim. Ky është gjenocid i shqiptarëve ndaj shqiptarëve. Në konventën e OKB thuhet se gjenocid konsiderohet kur ti krijon kushte për largimin e tjetrit, këto janë kushte të llogaritura.

Para dy vitesh mbi 4000 mjekë ikën nga vendi, Rama u thoshte se presin të fillojnë punën. Tani jemi mjekë për frymë si në 1960-ën. Tirana ka shërbim shëndetësor ndër më të këqijtë në botë. Ligji për korsinë e shpejtë në shërbimin shëndetësor, kujtoni se është ambulanca, jo jo, është ai që paguan më shumë nga spitalet. Këto janë mendje të çmendura. Kush e bën këtë, ai që premtoi shëndetësi falas. Shërbimi është për ata që paguajnë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: