Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot një lajm ekskluziv për emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ në lidhje me sigurimin e vaksinave.

Nga kalja e Beratit, atje ku u zhvendos sot edhe emisioni i gazetares Nisida Tufa, kreu i qeverisë tha qeveria shqiptare ka siguruar 50 mijë doza të tjera ‘Astrazeneca’ nga një institut në Indi. Po ashtu Rama tha se janë siguruar 22 mijë doza Pfizer në prill, të cilat do të vijnë të ndara në tre transhe çdo javë.

Duke u ndalur tek sezoni turistik në vendin tonë, Rama tha se; “Unë besoj që ne do kemi një sezon turistik shumë të lehtësuar dhe do kemi mundësi që të krijojmë atraksion, po përgatitemi për vaksinimin e stafeve të hoteleve dhe nëse do t’ia dalim është një histori e madhe suksesi kjo.”.

PJESE NGA INTERVISTA
Si do të ecet me vaksinimin, a ka një plan?

Plani është shumë i qartë, ne kemi hyrë në fazën e planit të kombinuar sepse kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë dhe paralelisht për të moshuarit, për të cilët praktikisht kemi siguruar dozat ne tani po përpiqemi që të vazhdojmë, edhe pjesa e gazetarëve të terrenit, apo e atyre që janë në studio e kanë kontakt me të tjerë, është pjesë e planit dhe kështu që plani është i qartë, rëndësi ka të kesh dozat. Dhe ky është stresi im i përditshëm, që kur ka dal vaksina më është bërë jeta .. sa hap sytë ku do i gjej dozat e tjera dhe kur mbyll sytë ku jemi me dozat e tjera. Komunikimet e mia me Ogertën Benin janë frenetike sepse janë pjesë e këtij trekëndëshi, jemi në kontakte me palë të tjera, diku ecën, diku shkon më shpejt diku më avash..

Kur mbërrijnë dozat e tjera të Pfizer?
Ne kemi arritur të sigurojmë sërish rreth 22 mijë doza Pfizer në prill dhe më duket se janë të ndara në tre transhe çdo javë. Jemi duke përfunduar një negociatë me BE që më në fund falë angazhimit të presidentes së komisionit dhe komisionerit Varhelyi ka siguruar një sasi prej 600-651 mijë dhe aty ne po punojmë për kontratën, duhet të jetë lidhur dhe do të nisë edhe aty një sasi që do të ndahet në mënyrë të barabartë, besoj do kemi edhe aty rreth 100 mijë. Ndërkohë kemi marrë nga një institut i Indisë që prodhon Astrazeneca, për 50 mijë, këtë po e merrni ju si lajm ekskluziv dhe kjo është lufta nga Amerika në Turqi, nga Emiratet në Indi.

A kemi mjaftueshëm vaksina, kujtoj një deklaratë te mjekut Artan Koni, se nuk e ka marrë ende dozën e dytë të vaksinës Astrazeneca?
Unë nuk kam respekt për këta mjekët që bëjnë protagonistin televiziv për të tilla informacione dhe lajme. Nëse nuk e ka marrë për një arsye apo një tjetër e ka shumë të thjeshtë të drejtohet aty ku ai është, sepse është subjekt i Ministrisë së Shëndetësisë edhe të marri përgjigje. Por këta mjek që dalin nëpër tv e bëjnë protagonistin e tregojnë se ‘prit se jam edhe unë ketë e kam diçka për të thënë’, për këta nuk kam asnjë respekt.

Thoni se do jemi pa masa gjatë sezonit turistik ….
Kur themi pa masa, kam parasysh pa shtrëngesa të natyrës të orareve, unë shpresoj që njerëzit të vijojnë të kuptojnë që maska duhet mbajtur. Unë besoj që ne do kemi një sezon turistik shumë të lehtësuar dhe do kemi mundësi që të krijojmë atraksion, po përgatitemi për vaksinimin e stafeve të hoteleve dhe nëse do t’ia dalim është një histori e madhe suksesi kjo. Unë besoj që brenda majit do t’ia dalim të kemi gjysmë milioni të vaksinuar dhe gjithë qershorit ta përdorim po ashtu edhe me krahun e punës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb