Dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, do të zhvillojnë mbledhjen e radhës të përbashkët në fund të muajit nëntor.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi në përfundim të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, se në mbledhjen e dy qeverive do të rishikohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë mbledhjeve të kaluara të përbashkëta. Bëhet fjalë për 86 marrëveshje të tilla.

“Në javën e fundit të nëntorit do të jetë mbledhja e 7-të Shqipëri-Kosovë. Takimi do të zhvillohet në qytetin e Durrësit. Prej ditësh po punohet për realizimin dhe konkretizimin e marrëveshjeve. Në mbledhjen e sotme kemi skanuar të gjitha marrëveshjet, plot 86, të firmosura në të gjitha mbledhjet qeveritare. Bëhet fjalë për marrëveshje të lidhura e zbatuara, marrëveshje të lidhura, por që nuk janë zbatuar, si dhe marrëveshje që do të lidhen në mbledhjen e nëntorit. Në mbledhjen e dy qeverive do të preken marrëveshje, që do të firmosen, në fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik e konsullor, arsimi ,shkenca, kultura. Dy ministritë e Jashtme kanë krijuar një grup pune të përbashkët për rishikimin dhe zbatimin e marrëveshjeve në fuqi”, u shpreh ministrja Olta Xhaçka.

Deklarata e plote: 

Në mbledhjen e sotme në fokus të veçantë ishte dhe mbledhja e dy qeverive Shqipëri- Kosovë që do të mbahet në javën e fundit të nëntorit, në javën e flamurit. Do të jetë mbledhja e 7-të e përbashkët mes dy qeverive gjatë të cilës do të bëhët nje rikalim i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, përgjatë gjithë cikleve të mbledhjeve ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Bëhët fjalë për 86 marrëveshje të lidhura përgjatë gjithë kësaj periudhe. Sigurisht që vullneti për të çuar përpara këtë proces është shprehur edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Rama në Kosovë.

Në takimin e KM me kryeministrin Kurti, është dakordësuar që takimi do të zhvillohet, takimi mes dy qeverive do të zhvillohet në qytetin e Durrësit dhe prej ditësh po punohet përmes një kontributi të përbashkët për realizimin dhe konkretizimin e këtyre marrëveshjeve. Në fokus të diskutimeve në mbledhjen e sotme ka qënë edhe skanimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve të lidhura deri më tani.

Qëllimi është që të çojmë përpara këtë proces duke i dhënë një shtysë të re të gjitha atyre marrëveshjeve, të cilat për arsye të ndryshme objektive ose jo, nuk janë zbatuar, ashtu siç do duhet të kishte qenë. Dhe patjetër për të identifikuar fusha të reja, ku bashkëpunimi ynë mund të zgjerohet dhe të thellohet. Në mbledhjen e dy qeverive do të preken marrëveshjet të cilat do të firmosen, do të prekin fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik dhe konsullor, arsimi, drejtësia, shkenca apo kultura.

Për sa i përket dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, ne kemi vendosur tanimë krijimin e një grupi pune të përbashkët , për rishikimin, për përditësimin dhe për zbatimin e marrëveshjeve që kemi në fuqi por edhe për përpilimin e planeve të veprimit, për ti çuar ato përpara. Ndërkohë që prioritet i veçantë do ti jepet edhe siç e thashë identifikimit të fushave të reja, ku ka hapësira dhe mundësi për të lidhur marrëveshje të reja, që do ta çojnë bashkëpunimin tonë në një nivel shumë më efikas dhe shumë më intensive, në dobi të qytetarëve shqiptarë nga ky krah dhe ai krah i kufirit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb