Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në studion e emisionit “Real Story” në News 24 se nesër pritet të merret vendimi final në lidhje me hapjen apo jo të shkollave.

Kryeministri tha se është gjetur një zgjidhje që të ruhet shëndeti i nxënësve dhe studentëve, por nga ana tjetër të mos humbet as viti shkollor.

“Kemi parë shumë vende që kanë vendosur të mos i hapin, Italia e fundit. Sot kemi pasur një diskutim me ministren, besoj nesër do kemi një vendim përfundimtar. Ideja është të mbrojmë vitin shkollor, Maturën Shtetërore dhe nxënësit të mos humbin vitin shkollor. Si do të bëhet kjo pa hapur shkollën? Nesër do detajohet.

Kujtoj që në zonën më të populluar të Shqipërisë Tiranë-Durrës ne në nëntor morëm goditje edhe nga tërmeti gjë që ka bërë të rritet shumë numri i nxënësve në shkollat e padëmtuara, ku hapja e procesit mësimor është faktikisht e pamundur, nga ana tjetër ne nuk duam të humbim vitin shkollor. Ne kemi hartuar një proces disi tjetër nga vendet e tjera. Besoj që do bëjmë dicka në këtë drejtim. Kemi skenar pozitiv qoftë për të mbrojtur shëndetin,qoftë për të mbrojtur nxënësit dhe qoftë për të mbrojtur vitin”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: