TIRANË- Pas rrëzimit të rrethimit në Kodrat e Liqenit nga anëtarë të Shoqërisë Civile, aty ku bashkia parashikon të ndërtojë një qendër multifunksionale, një tjetër protestë është organizuar sot nga Partia Demokratike përpara Bashkisë së Tiranës, e më pas u zhvendos tek Kodrat e Liqenit. Shoqeria Civile theksoi se nuk është pjesë e protestës së sotme, që ka zgjatur rreth 2 orë e gjysmë. Tek Liqeni, protestuesit e opozitës shkulën rrethimin e ri që kishte vendosur Bashkia e Tiranës për ndërtimin e këndit të Lojërave tek Liqeni dhe e vendosën tek Bashkia.

Protestuesit qëlluan me vezë, domate e presh godinën e Bashkisë, në shenjë proteste ndaj taksave të larta, rritjen e çmimit të biletës së autobusit dhe ndërtimit të parkut të lojrave tek Liqeni. Ndërsa kolegu Mariglen Mërtiri raportonte nga vendngjarja në sfond dëgjohej muzika e parodisë së Agron Llakaj, kënduar dy ditë më parë Erjon Veliajt në emisionin e humorit ‘Al Pazar’. Po ashtu protestuesit mbajnë në duar edhe parrulla me tekstin “Të dinim për së mbari o Erionoo…”.

Më pas protestuesit qëlluan me vezë edhe tek godina e Kryeministrisë, ndërsa në protestë ndodhen edhe disa deputetë të PD-së. Më pas protestuesit marshuan drejt kodrave të liqenit, aty ku policia ka rrethuar me tela hekuri, vendin ku pritet të ndërtohet. Me të mbërritur, protestuesit nisën të shkulin gardhin e hekurit, ndërsa nuk ka munguar as përplasja me policinë. Pasi i e kanë shembur ata kanë nisur zhvendosjen e gardhit nga Liqeni drejt Bashkisë. Ndërsa të rinjte e FRPD-së nisën të mbjellin fidanë mimoze në vendin ku do ndërtohej parku.

PROTESTUESIT VENDOSIN GARDHIN TEK BASHKIA, BOGDANI: VELIAJ E VE TEK LIQENI, NE JA SJELLIM KETU
Ora 12:36-Protestuesit e opozitës pasi kanë rrëzuar gardhin rrethues tek kantieri i ndërtimit tek Kodrat e Liqenit Artificial janë drejtuar sërish për protestë tek Bashkia e Tiranës. Sipas gazetarit Mariglen Mërtiri, qytetarët kanë krijuar një rrethim, duke sjellë një kundër shembull ndaj veprimeve të Bashkisë së Tiranës, pasi kanë krijuar dhe një gardh. Sakaq, bëhet e ditur se kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në Londër që nga dita e djeshme. “Veliaj do të shemb parkun. Aty ku ai pret pemë, ne mbledhim. Aty ku ai vë gardh, ne gardhin ja sjellim këtu. Protesta do vazhdojë.”, tha Bogdani për mediat.

GARDHI ZHVENDOSET DREJT BASHKISË, THYHEN XHAMAT E MAKINAVE
Ora 11:49- Pas rrëzimit të gardhit, protestuesit kanë në plan të zhvendosin pjesët e rrëzuara nga Parku drejt Bashkisë. Ata nuk janë kursyer ndërsa kanë thyer xhamat e makinerive që punojnë tek parku, ndërsa njërën prej tyre e kanë rrëzuar, siç raportoi kolegu Mërtiri. Mësohet gjithashtu se telat e hekurit do t’i çojnë tek Bashkia, duke e quajtur kështu të përfunduar misionin e tyre për sot.

VIJON AKSIONI PER HEQJEN E RRETHIMIT
Ora 11:35-Protestuesit vijojne te qendrojne tek Kodrat e Liqenit, aty ku eshte projektuar te ndertohet kendi i lojerave. Protestuesit vijon te heqin pjeset e mbetura te rrethimit.

PROTESTA TE LIQENI, PËRPLASJE ME POLICINË, PROTESTUESIT PRISHIN GARDHIN RRETHUES
Ora 11:22- Kolegët Dorjana Bezat dhe Mariglen Mërtiri raportuan live nga protesta e opozitës. Sipas tyre, protestuesit me të mbërritur nisën të shembin gardhin e rrethimit në zonën ku parashikohet ndërtimi i parkut të lojrave. Edhe pse fillimisht pati një konfrontim me policinë, ata arritën të shembin gjithë rrethimin, ndërsa policia u tërhoq.

PROTESTUESIT I AFROHEN KODRAVE TË LIQENIT, NDËRPRITET PUNA TEK PARKU I LOJRAVE
Ora 11:07- Ndërsa protestuesit i afrohen Kodrave të Liqenit, mësohet se aty është pezulluar edhe puna për ndërtimin e parkut të lodrave. Mësohet se punonjësit janë dërguar në shtëpi. Ndërkohë, forca të shumta policie i kanë ardhur në ndihmë policisë bashkiake.

PROTESTUESIT QËLLOJNË ME VEZË GODINËN E KRYEMINISTRISË
Ora 11:01-Teksa marshonin mes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, disa protestuese kanë qëlluar me vezë drejt godinës së Kryeministrisë.
100 EFEKTIVË POLICIE NË GATISHMËRI TEK KODRA E LIQENIT
Ora 10:57-100 efektivë policie janë vënë në gatishmëri për mbarëvajtjen e situatës tek Kodrat e Liqenit Artificial, pasi turma e protestuesve, tubim i organizuar nga opozita, do të transferohen drejt kësaj zone. Forcat policore do të jenë në mbështetje të Policisë Bashkiake. Sipas informacioneve që përcjell Dorjana Bezat, gazetarja e News24, aktualisht në kantierin e ndërtimin po vijon puna, në të cilën ndodhen rreth 10 punonjës.
STRAZIMIRI: JO BETONIZIMIT TE LIQENIT, TË NDALIM NJË AKT TË PALIGJSHËM
Ora 10:49-Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Gent Strazimiri, i cili ka konfirmuar edhe njëherë se opozita nuk do të jetë pro ndërtimit të një këndi lojërash tek kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. “Të ndalim betonizimin, të shkojmë të gjithë bashkë atje ku jemi rritur”, ka qenë thirrja e Strazimirit.

BOGDANI: VELIAJ DO PËRBALLET ME MOSBINDJEN E QYTETARËVE, “JO” BETONIZIMIT TË LIQENIT
Ora 10:34- I pari që mori fjalën para përfaqësuesve dhe mbështetësve të opozitës, ka qenë deputeti Gert Bogdani. Ligjvënësi i djathtë tha se kjo protestë është kundër kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj. Sipas tij, Veliaj po rëndon çdo ditë jetesën e qytetarëve.

“Sot po protestojmë kundër këtij kryebashkiak. Se tha se do ulte taksat dhe sot po rëndon në kurrizin biznesit të ndershëm. Nga 30 mijë lekë që paguante një biznes i ndershëm për një bar, sot paguan 300 mijë lekë. Sot u bëhet gjithçka atyre që shesin në Tiranë, nga 5 mijë lekë në 15 mijë lekë për metër katror. Ai shton fitimin e biznesmeve në kurrizin e qytetarëve. E mbani mend se çfarë tha për biletën e autobusit kur tha; ‘sa të jem unë kryetar bashkie nuk ka për tu rritur çmimi i biletës’.”, tha Bogdani. Teksa u ndal tek projekti për ndërtimin e një këndi lojërash tek liqeni Artificial i Tiranës, deputeti i PD-së tha se nuk do të lejojnë zbatimin e planit. “I kanë ardhur rroturll parkut të liqenit, por ky sot guxon të bëjë diçka sot. Ai do të bëjë pikërisht atje tek liqeni se ka në plan të betonizojë Tiranën. Ne nuk do lejojmë ti bëjnë punimet dhe do ti themi ‘jo’ ndërtimit të atij projekti tek Liqeni Artificial. Fitore, fitore, se humbësi është vetëm një; ky manekin i bashkisë së Tiranës.”, tha Bogdani.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb