TIRANE

Alban Ramosaj nxori “thikat e tij” dhe fitoi “Kënga Magjike 2021”. E thënë në mënyrë figurative, artisti 25-vjeçar fitoi zemrat e publikut me një këngë, për të cilën dëgjuesit u ndanë në dy pjesë, ata që menduan se i këndon asaj nga pozitat e të lënduarit dhe ata që mendojnë se i drejtohet nga pozitat e narcizistit.

Por një kantautor plot stil si Alban Ramosaj ( jo për faktin se është dhe aktor, por më shumë për lirshëmrinë skenike) do t’i çudiste të gjithë me reagimin pasi u shpall fitues, pasi po i dukej e pabesueshme që kupa e lakmuar nga BIG-ët e muzikës, de facto kishte rënë në dorën e tij.

Gjendja e ëndërrt sipas vetë Albanit vazhdoi për orë të tëra, deri të nesërmen e “postfestivalit”, pas të cilit plasi dhe një betejë virtuale mes producentit të “Threedotsave”, Flori Mumajesit, dhe anëtarëve të jurisë, veçanërisht Kozeta Kurtit, e cila me pak fjalë u shpreh se “Albani nuk e kishte mbrojtur dot këngën”.

Në atë moment ndërhyri Flori me një reagim në “Instagramin” e tij, ku bashkë me një foto me Albanin u përmend me kunjë edhe “Eurovizioni” si skena e ardhshme e Albanit. CEO-s, së “Threedots”, iu bashkuan në mbrojtje të Albanit dhe të gjithë artistët e studios, të cilët realizuan video thumbuese ndaj anëtares së jurisë, me këngën e Albanit në sfond shkruan Panorama.

Pavarësisht kësaj zhurmanje pas festivalit, fakt ishtë që fitorja e Albanit i gëzoi të gjithë kolegët në skenë, të cilët ndryshe nga rastet e mëparshme, u duk se ishin në një mendje që Albani ta fitonte. Pas pjesëmarrjes së tij në “Kënga Magjike 2016” me këngën “Aurora” nga ku doli fitues i Çmimit Tendencë, Alban Ramosaj fiton kështu kupën e madhe.

Në vetëm dy javë, “Thikat e mia” u kthye në këngën e preferuar të publikut shqiptar, që i dha artistit më shumë vota nga çdo artist tjetër, mbi 400 të tilla. Por le të ndalojmë te fabula e këngës dhe ndoshta lidhja e fortë e tij me krijimin që e çoi te destinacioni i fitores.
Sipas rrëfimit të vetë Albanit, këngën me të cilën mori pjesë e ka shkruar gjatë kohës që ka qëndruar në Spanjë, por e përfundoi si produksion në studion e “ThreeDots”. Kënga është kompozim i tij, ndërsa produksioni është realizuar nga Bruno.

Sa i përket tekstit, e ka shkruar së bashku me Fifin. Ai ka treguar se kjo këngë është shumë personale, sepse i dedikohet një historie dashurie të përfunduar tashmë me një vajzë spanjolle.

Në momentin që lexon titullin “Thikat e mia” mendja krijon skenare nga më të ndryshmet, për të cilat këngëtari jep përgjigje: “Kënga lindi nga një histori e imja në Spanjë, pra mund të them me plot gojën që është dedikim. Si çdo histori spanjolle, fundi është dramatik. Të gjithë kemi pasur lidhje të çuditshme, të gjithëve na ka mbyt xhelozia, por jo me shije latine. Thikat janë një metaforë për të treguar posesivitetin, dramat, xhelozinë, por edhe kënaqësinë e dashurisë, edhe pse toksike. Në këtë rast, posesivi jam unë, e kur do pa hile, pa dashur kthehesh në dominant”.

Sipas tij ai beson se bota e tij krijuese është goxha mistike dhe se ka ende shumë për të zbuluar nga vetja, përpara se të punojë për dikë tjetër. Ndërkohë vargjet e këngës: “Këto thikat e mia, Ty të vrisnin, unë shumë mirë e dija, E mu’ m’pëlqente të shihja, Kur dilje nga vetja për ne, Këto thikat e mia”, janë bërë hit në rrjetet sociale dhe përdoren nga fansat e tij, sa herë duan të shprehin një revoltë.

Alban Ramosaj që lëvron zhanret muzikore si Pop, RnB dhe Soul, hapat e para në muzikë i hodhi në kanalin “Youtube” me covera kryesisht nga Madonna. Zyrtarisht filloi një karrierë në talentshow-n “The Voice Of Albania 3”. Ishte motra e tij, Beatrix, që u bëri kërkesë fansave që të mbështesnin Albanin në spektaklin “The Voice”, duke theksuar se është i vetmi mashkull në familjen e tyre që këndon dhe është shumë i talentuar.

Ai e kaloi fëmijërinë në Dortmund të Gjermanisë për t’u kthyer me familjen në Shqipëri e për t’i kushtuar kohën dhe energjinë e tij spektrit të gjerë të temave të artit, nga drejtimi dhe shkrimi, deri te kompozimi dhe prodhimi i këngëve. Kantautor, producent, regjisor dhe krijues i shtëpisë filmike “RA Film House”, ai doli gjysmëfinalist në “The Voice of Albania 3” dhe “Dance with me 3”.

Ndër të tjera, ai ishte “Opening act” i këngëtares Emeli Sande në turin e saj europian në Shqipëri dhe aktor në serialin “Love Likes Tirana”. Ndërkohë, një pjesë e angazhimeve të tij lidhet me modën, duke u bërë imazh i brandeve të ndryshme botërore si D&G, Tarik Ediz etj. Në vitin 2018, Alban Ramosaj publikoi albumin “Hiraeth Ep”, ndërsa përveç disa klipeve të tij në maj 2020, publikoi videoklipin “I Nat Ma Fal”, si kantautor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: