DURRES

Një atmosferë e ngrohtë festive, në kuadër të festave të fundvitit, është organizuar sot në ambientet e “Prestige Resort”, në Durrës, për fëmijët jetimë. Festat e fundvitit për kompaninë “Hysenbelliu Group” dhe Fondacionin FAB kthejnë gjithnjë vëmendjen te fëmijët jetimë, për t’i kthyer atyre buzëqeshjen, në mënyrë që festat të trokasin njësoj edhe për ta, si për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Në një ceremoni e dedikuar e gjitha për ta, fëmijët jetimë përjetuan një ditë ndryshe, ndërsa shijuan ushqimet e ngrohta të gatuara me shumë dashuri për to nga stafi i ‘Prestige Resort’, kërcyen e festuan nën ritmet e këngëtarëve të dashur, të cilët në krijimtarinë e tyre u kanë kushtuar shumë këngë fëmijëve, si Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, etj.

Për të përcjellë mesazhin se nuk janë vetëm, e gjithnjë do të kenë mbështetjen e sigurt, në këtë drekë festive, organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve dhe Fondacioni FAB, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, zv/presidenti i kompanisë Hysenbelliu Group”, Fatmir Hysenbelliu, kreu i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, Ilir Çumani, drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, si edhe shumë artistë e këngëtarë të njohur që përcollën te këta fëmijë atmosferën festive.

“Unë në emrin tuaj dua të falënderoj prezencën e Presidentit të Republikës, i cili me një vëmendje të veçantë e ka përqëndruar axhendën e tij në këtë aktivitet me prezencën e fëmijëve pjesëmarrës. Veçanërisht kjo ditë iu dedikohet atyre fëmijëve që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit. Dhe për t’iu dhënë një mesazh jo vetëm solidariteti, por për t’i thënë që nuk mund t’i lëmë asnjëherë dhe në asnjë moment vetëm. Ata kanë praninë tonë, mbështetjen tonë, gjithë dashurinë e njerëzve që kujdesen për ta, por që mund të bëjnë gjëra të mira për të ndryshuar jetën e tyre.

Me këtë rast falënderoj Presidentin e fondacionit FAB,  z.Fatmir Hysenbelliu, i cili disa herë ka qenë i vëmendshëm për të qenë i pranishëm në veprimtari të tilla për të ndryshuar sado pak jetën e tyre, veprimtarinë e tyre të përditshme. Një mirënjohje të thellë komunitetit të artistëve, do kalojmë disa cashte të paharrueshme për ju. Uroj një vit me shumë lajme të mira  për të gjithë ju, e suksese në mësime.”- tha Ilir Çumani drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve.

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij bëri apel për më shumë përgjegjësi, ndërsa apeloi që shoqëria të respektojë më shumë njerëzit e ditur dhe me vlera, pasi sipas tij, vetëm kështu sigurohet mirëqenia e përgjithshme: “Doja t’ju uroja së më shumë suksese për vitin që vjen, sepse çfarë na treguan këto ngjarje? Këto ngjarje treguan se atje ku ndërtohet me përgjegjësi i rezistohet këtyre goditjeve, atje ku ndërtohet pa përgjegjësi, ku ndërtohet me lakmi, ku ndërtohet pa menduar pasojat për të ardhmen, kemi pasoja tragjike, të cilat u marrin jetën njerëzve në mënyrën më të padrejtë. Dua të falënderoj edhe zonjën Luljeta që e keni ftuar sot këtu. Edhe nuk është mirë që për shoqërinë tonë  që të ndodhin tërmete se njerëz të tillë, personalitete të tillë të bëhen publike dhe të kemi nevojë që t’i dëgjojmë. Nëse do t’i dëgjojmë  shkencëtarët dhe njerëzit tanë më të ditur çdo ditë në të gjitha fushat, ne do t’i kemi të gjitha punë shumë më mirë se sa i kemi. Ndaj iu uroj të gjithë fëmijëve të mësojnë sa më shumë, në mënyrë  që ata ta çojnë vendin tonë në nivele më të larta të zhvillimit, por u kërkoj gjithashtu  që ta duan sa më shumë njëri-tjetrin, sepse një vend dhe një shoqëri pa solidaritet nuk mundet kurrsesi të përballojë sfidat që sjellë jeta , që sjellë  e ardhmja.  Suksese dhe faleminderit për këto momente të gëzueshme, që kalova edhe unë sot me ju, jam i sigurt se viti 2020 do të jetë një vit më i mirë dhe më i mbarë për të gjithë ne”-tha Meta.

Ndërsa uroi për një vit të mbarë, kreu i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali siguroi se do të jetë gjithmonë një mbështetje për këta fëmijë.

“Falenderoj z. Ilir Meta, gjithashtu edhe Presidentin e “Prestige” z.Irfan Hysenbelliu për mbështetjen që na ofruan. Ju urojmë një fundvit sa më të mbarë, gjithmonë do jemi pranë kësaj shtrese. Në emrin tim dhe të stafit tim ju uroj gëzuar.” u shpreh Krali.

Një personazh i veçantë i cili në ditët e vështira të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit ngrohu zemrat e shumë shqiptarëve, ishte gjithashtu e pranishme në këtë ceremoni festive. Znj. Luljeta Bozo, e cila me shumë dashuri uroi fëmijët për më shumë shëndet e suksese në mësime.

“E kam kënaqësi të veçantë të jem mes jush. Uroj me gjithë shpirt, na ndodhi një fatkeqësi natyrore por ne do ta marrim veten shumë shpejt. Uroj që ju që jeni të vegjël, ta doni sa më shumë njeri-tjetrin, ta ruani këtë miqësi dhe kur të rriteni. Ju uroj shumë shëndet, suksese ne punë në të ardhmen e ju dua me gjithë zemër.” u tha Bozo fëmijëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb