NGA ENIDA HIMAJ*

Kohët e fundit mesa duket është bërë “e modës” që çdonjëra që gëzon linja seksi, mund të bëhet këngëtare. E veçmas anës profesionale, ajo që ka joshur edhe më shumë publikun, ka qenë jeta private e këtyre këngëtareve të reja, por që kanë marrë mjaft famë.

E para që e nisi këtë “lojë”, ishte Xhesika Ndoj, e cila bëri publike se një deputet i djathtë i kishte ofruar jetë përrallore në këmbim të seksit. E pas kësaj të shumta ishin koleget e saj, që ndoqën këtë rrugë, e duke bëri një zhurmë mediatike. Por e gjitha kjo u shoqërua edhe me këngë të re, që shumë shpejt u shndërrua në hit.

Jo kaq mirë e kanë pritur këtë fenomen edhe artistët që kanë disa vite në tregun muzikor, dhe kanë zgjedhur të bëjnë muzikë larg asaj komerciales. Më poshtë ju sjellim vetëm disa prej tyre që japin një reagim sesi duken në sytë e një profesionisti këngëtaret që zgjedhin të zhvishen.

Eli Fara
Prej disa vitesh në treg, Eli Fara ka treguar se nuk di të bëjë kompromise, e sidomos kur vjen puna tek arti. Artisja të vetmin sekret që ka në karrierën e saj është zëri i veçantë dhe identifikues. Por teksa e pyesim sesi i ka parë Eli këngëtaret e reja që “po pushtojnë” tregun, këngëtarja na thotë se për efekt të kohës nuk i ka ndjekur dhe në kohën e lirë që i mbetet, shijon vetëm muzikë të mirë. “Të them të drejtën nuk është se i kam parë shumë, nuk kam kohë. Nuk është se kam krijuar ndonjë ide rreth tyre. Gjithsekush është i lirë të bëjë çfarë të dojë me karrierën, nuk di se çfarë të them rreth tyre jam totalisht indiferente”, përfundon këngëtarja e mirënjohur.

Rosela Gjylbegu
Edhe Rosela Gjylbegu nuk kishte sesi mos të shprehte indinjatën e saj për nivelin se ku ka arritur sot muzika shqiptare. “Të them të drejtën më vjen keq për ta, dhe si femër ndihem keq sepse ato shihen e trajtohen si objekte përdoren dhe më pas… Në Shqipërinë tonë të vogël i ngatërrojmë shpesh konceptet. Nuk dimë të bëjmë dallimin mes të bukurës dhe ordineres. Vajza të bukura ka plot, por artiste të mira pak. Në këtë jetë nuk arrihet asgjë pa punë, pa sakrifica, pa mund, pa vuajtje dhe këto vajza zgjedhin rrugën e shkurtër që shpesh duket joshëse, por që nuk garanton jetëgjatësi, por vetëm zhurmë momentale. Fatkeqësisht këto fenomene bëhen edhe si modele për shoqërinë tonë plot halle e probleme e të rinjtë konfuzë që nuk dinë akoma se çfarë rrugë duhet të zgjedhin”, përfundon këngëtarja.

Kastro Zizo
E kur vjen puna për kritika, Kastro duket se nuk i kursen. Mesa duket i kemi bërë pyetjen e duhur pasi para se të përgjigjet, na buzëqesh me ironi. “Këto kështu kanë qenë gjithë jetën e kështu do jenë, derisa të ketë muzikë të mirë. Pastaj këto e bëjnë dhe një të mirë. Sepse pas tyre ka njerëz që paguajnë kreditë e kompozitorëve që bëjnë këngë për këto. Në Shqipëri nuk është çështja që mungojnë këngëtarët këtu në Shqipëri, por këtu më shumë sesa gjithçka mungon muzika e vërtetë dhe ky është një kolaps. Është mirë që të ketë edhe nga kjo kategori, pasi vetëm kështu ka larmi. Fakti që këta jo profesionistë gjejnë mbështetje edhe nga publiku, do të thotë se janë ata që i pranojnë që në fillim. Ato janë shumë në rregull me të vetën”, shprehet këngëtari, që nuk mund ta mbyllte pa një batutë si vetëm ai di ti bëjë. “Po mendoj që edhe unë të nxjerr ndonjë shalë”.

Orgesa Zaimi
Gjithnjë është treguar “e ashpër” në mbrojtje të muzikës së vërtetë. Orgesa jo rrallë herë është shprehur se muzika po pëson një degradim, nëpërmjet këtyre figurave komerciale. “Gjithmonë e kam pasur si përshtypjen time edhe personale që vetëm koha do ta tregojë vlerën e këtyre artistëve. Sot më shumë famë bëjnë ata që edhe sponsorizohen, por ikin dhe vinë. Këto që vet quhen “këngëtare” nuk mund të mendojnë se mund të konkurrojnë dhe të jenë në të njëjtat po themi nivele me këngëtarët që e kanë shfaqur aftësinë e tyre jo me playback po me live dhe festivale prestigjioze. E rëndësishme është që s’ka filtra në të cilët të cilësohet këngëtar dhe këngëtaruc ose njerëz që me fjalën “këngëtar” mbulojnë një zanat krejt tjetër.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: