I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” ishte këngëtari i njohur Altin Goci.

Këngëtari e nisi rrëfimin nga fëmijëria e tij për të cilën tha se ka kujtime shumë ta bukura.

Teksa në studio u shfaq një fotografi me grupin e parë, ai zbuloi se Ritfolk është formuar në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Ai tha se ata vinin pas periudhës komuniste dhe dëshira për të bërë diçka ishte e madhe, teksa shtoi se suksesi i tyre i parë ishte kur morën pjesë në Festivalin e Këngës dhe u vlerësuan me çmimin e parë.
Në 2019 grupi Ritfolk u rikthye me një koncert në kryeqytet, ku çdo gjë shkoi më së miri dhe jashtë pritshmërive të tyre. Këngëtari tregoi se planifikuan të bënin edhe një koncert më të madh, por për shkak të pandemisë nuk është realizuar ende.

Gjatë programit ai foli edhe për pjesëmarrjen në EuroVoice në Athinë, ku kënga e tij u pëlqye shumë. Goci rrëfeu se pavarësisht se kishte kërkuar mbështetje financiare nga shteti nuk kishte marrë diçka të tillë, dhe të gjitha shpenzimet i kishte mbuluar vetë, vetëm nga dëshira e madhe që kishte për të përfaqësuar vendin e tij.

I vetmi që e mbështeti pjesëmarrjen e tij në EuroVoice ishte miku i tij Klodi, i cili është edhe pjesë e grupit të tij, por së fundmi jeton në Australi dhe prej andej dërgoi një videomesazh surprizë për mikun e tij, duke i dhuruar emocione të veçanta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb