TIRANE

Sajad Sepehri është një këngëtar iranian i martuar me një vajzë shqiptare. Ai ka jetuar për shumë vite në Iran, në një regjim diktatorial ku u shpall dhe armik i popullit. Më pas ai u largua në Irak ku dhe kërkoi azil politik dhe nga atje erdhi në Shqipëri.

Sajad Sepehri ka disa vjet që jeton në vendin tonë ku dhe është martuar me një vajzë shqiptare dhe kanë një fëmijë. Në Shqipëri ai qëndron vetëm me një lejë qëndrimi, nuk i është dhënë asnjë lloj dokumenti tjetër. Sajad ka hapur dhe një studio regjistrimi në vendin tonë madje është dhe një fotograf shumë i mirë dhe flesh disa gjuhë të botës.

Ai u shpall armik i popullit pasi mendja e tij, shpirti i tij i lirë nuk mund të pranonin diktaturën dhe jo thjesht diktaturën në jetën e përditshme por atë në shpirt dhe në mendje. Një artist kur nuk është i lirë të shprehet çfarë artisti mund të jetë, megjithatë ai dha shumë për vendin e tij.

Por sot ai adhuron edhe vendin tonë Shqipërinë. Sajad Sepehri i bashkohet këngëtarëve shqiptar që kanë zgjedhur ‘Festën e këngës shqiptare” për të prezantuar muzikën e tij. Ai do të këndojë shqip në këtë festival që është dhe aktiviteti më i ri muzikor në “News24”, nën drejtimin e artistit Gjergj Leka.

“Unë jam Sajad Sepehri, jam poet, muzikant, kompozitor dhe këngëtar. Jam një artist iranian në mërgim, kam qenë anëtar i opozitës iraniane si artist për 14 vjet, kam bërë më shumë se 200 këngë dhe kam performuar afërsisht në 300 evente. Më pëlqen jeta dhe kultura shqiptare dhe po ndërtoj një jetë këtu. Jam martuar me një grua të mrekullueshme shqiptare dhe jetoj në Tiranë që prej vitit 2016 bashkë me familjen time të bukur. Tani ne jemi një familje ndërkombëtare. Unë nuk jam pajisur me një pasaportë shqiptare, po mësoj shqip dhe premtoj që do të përmirësohem sa më shumë. Vitin e kaluar njoha një artist të madh tashmë një shok Gjergj Lekën. Ai më ka ftuar në këtë festival të këngës shqiptare dhe i jam mirënjohës. Kënga imë e fundit titullohet “E di” dhe është shkruar nga gruaja ime, shoqja ime më e mirë që e shumë. Ajo e shkroi këtë këngë për mua dhe historinë time por duke qenë se unë njoh historinë dhe sakrificat e saj e bëra këngën për t’ia dedikuar vetë asaj. Ajo nuk është një këngë e thjeshtë është lidhje mes dy të dashuruarve, kjo është mënyra që i flasin njëri- tjetrit. Kjo këngë do të thotë shumë për mua dhe ia kushtoj gruas sime. Ajo është shpëtimtarja ime e përjetshme, është arsyeja që unë po këndoj sërish. Jam më fat që m’u dha mundësia të marr pjesë në edicionin e parë të “Festës së këngës shqiptare” dhe të ndaj një pjesë me ju”-ka thënë këngëtari nga Irani me një shqipe të pastër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb