TIRANE

Personat me aftësi të kufizuara intelektuale janë përballë një realiteti të vështirë, siç është izolimi. Nevoja për të patur një jetë aktive dhe integrimi sa më shumë në komunitet, qëndron pezull për shkak të rrezikut nga infektimi me COVID-19. “Special Olympics Albania” drejtuar nga Roland Hysi, i njohur si Landi i grupit “West Side Family” ka tashmë një projekt vital për të dhënë sinjale optimizmi e për të ofruar interaktivitet për këtë kategori, por edhe me persona të moshës së tretë.

Profesionistë të fushave të sportit kanë regjistruar video instruktimi me ushtrime fizike për t’u ndjekur on line me qëllim që të nxisin sa më shumë praktikimin e palestrës në kushtet e karantinës. Ky projekt do shfaqet në rrjete sociale duke u shoqëruar me këshilla për ushqimin, dehidratimin, ku misioni synon menaxhimin e kohës së lirë dhe ndërgjegjësimin mbi shëndetin. Hysi gre shqetësimin se për këtë kërkohet mbështetje financiare nga faktorë të ndryshëm dhe legjislatura e duhur me qëllim që të sigurohet garanci e qëndrueshme për persona më aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre që nuk e kanë të lehtë të përballojnë këto sfida.

Angazhimi i tij vullnetarisht në “Special Olympics Albania”, thotë se e bën të ndihet mirë kur ndihmon dikë që nuk ka mundësi t’ia shpërblejë. Optimist për daljen nga kriza dhe kthimin në normalitet, Hysi thotë se deri tani projektet janë lënë pezull për shkak të izolimit, por pret që gjithçka të rimarrë udhë. Sa i përket aktivitetit fizik personal, Hysi thotë se përpiqet të ushtrojë sport për të larguar mendjen nga stresi dhe ngarkesa, madje i përgjigjet kuriozitetit të moderatores Androniki Kolka duke thënë se formula për një ushqim të shëndetshëm qëndron tek perimet, karbohidratet dhe proteinat, po ashtu edhe pirja e 2 l ujë në ditë. Lidhur me projektet muzikore, Hysi thotë se është vetëm në fazë diskutimesh për shkak të karantinës, ndërsa mesazhi i tij për ndjekësit është se duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin duke shtuar se më e mira nuk ka ardhur akoma për shqiptarët për fat të keq. “Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt!”-thotë ai në lidhjen direkte me Skype në “News24” në emisionin “Vila 24” nën moderimin e Androniki Kolkës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb