Marília Mendonça, një nga këngëtaret më të famshme braziliane, njekohësisht fituese e një Grammy Latine, ka humbur jetën në një aksident me avion, teksa ishte duke shkuar për në një koncert.
Ylli 26-vjeçar i popit vdiq së bashku me producentin dhe xhaxhain, i cili punonte si këshilltar i saj. Nga rrëzimi i avionit kanë ndërruar jetë dhe dy pilotët e avionit.

Zyra e saj e shtypit tha se avioni i tyre u rrëzua midis qytetit të lindjes së Mendonçës, Goiânia dhe Caratinga, një qytet i vogël 220 milje në veri të Rio de Janeiros. Avioni ishte rreth shtatë milje destinacioni për koncertin e asaj mbrëmjeje.

Përpara se të ndahej nga jeta, Mendonça postoi një video për 38 milionë ndjekësit e saj në Instagram, në të cilën shfaqej ajo duke ecur drejt aeroplanit teksa mbante një kuti kitare në dorë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ylli në rritje performoi muzikë country, në Brazil, të quajtur sertanejo. Ajo ishte e njohur për trajtimin e çështjeve feministe në këngët e saj, të tilla si denoncimi i burrave që kontrollojnë partnerët e tyre dhe thirrje për fuqizimin e grave.

Policia civile e shtetit Minas Gerais konfirmoi gjithashtu vdekjen e Mendonçës, pa dhënë detaje për shkakun e aksidentit, i cili ndodhi pak para uljes së avionit. Një hetim ka nisur nga autoritetet për rastin në fjalë.

Politikanë, yje të sportit dhe fansa kanë bërë homazhe për këngëtaren.

“Refuzoj ta besoj, thjesht refuzoj”, shkroi sulmuesi brazilian Neymar në Twitter për vdekjen e mikeshës së tij.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, përdori gjithashtu rrjetet sociale për të shpërndarë një mesazh ngushëllimi për vdekjen e këngëtares, të cilën e cilësoi si “një prej artistëve më të mëdhenj të brezit të saj”.

“I gjithë vendi e merr lajmin i tronditur,” shkroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb