Prej sheshit “Skënderbej” dëgjoheshin zërat e turmave. Sapo kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës dhe po e tërhiqnin zvarrë nëpër shesh. Krerët e Partisë Demokratike ende nuk e kishin mësuar këtë fakt, deri sa e vërtetuan përmes një telefonate.

Nuk do të kalonte shumë kur drejtuesit e partive të reja do të thirreshin në një takim me Ramiz Alinë, Adil Çarçanin, Dritëro Agollin e të tjerë.

Ramiz Alia kishte menduar të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, çka u kundërshtua nga Godo, Berisha e Dritëroi, i cili sugjeroi që vetë familja Hoxha të dilte në një deklaratë publike duke pranuar disa gabime të Enverit.

Ndërkohë, një valë thashethemnaje ishte përhapur në Tiranë dh turma kishte vërshuar drejt Bllokut. Të gjitha këto i rrëfen në librin e tij “Fillimet”, botim i UET PRESS, poeti, publicisti e politikani Preç Zogaj.

PREÇ ZOGAJ

MINUTAT DHE ORËT PAS RËNIES SË MONUMENTIT TË HOXHËS

Në selinë e Partisë Demokratike, në “Rrugën e Kavajës”, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Demeti, po dëgjonin brohoritjet e forta që vinin nga sheshi “Skenderbej”. Asnjëri prej tre drejtuesve të lartë të PD-së nuk e dinte akoma ç’kishte ndodhur. Gramozi u lidh me telefon me një të njohurin e tij në Ministrinë e Bujqësisë, prej nga shihej çfarë ndodhte në shesh. Foli shumë pak më të, i ndërroi fytyra, e lëshoi telefonin si një send që nuk vlente më për asgjë dhe thirri me zë të lartë:

– E hodhën, more, e hodhën!

Berisha, Demeti dhe gjithë sa ishin aty u ngritën nga vendi dhe filluan të përqafoheshin si në një festë. Prej aty u nisën drejt qytetit “Studenti”.

Ndërkaq, në sheshin “Skënderbej” qindra mijëra njerëz kishin nisur zvarritjen e monumentit të Enver Hoxhës për t’ua çuar si trofe studentëve të grevës së urisë.

Ndërtesa ku ishin ngujuar ata vazhdonte të ishte e mbyllur, e heshtur si një sfinks, pavarësisht se lajmi për rrëzimin e monumentit kishte marrë dhenë dhe qyteza po ziente nga festa dhe hareja e njerëzve që mbërrinin atje valë-valë. Ishin ngujuar për heqjen e emrit, jo të monumentit. Mes zallamahisë dhe rrëmujës që po pushtonte mbarë qytetin “Studenti”, Berishën e njoftuan se në orën 15:00 duhej të shkonte në Presidencë, në një mbledhje urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Mori me vete Blerim Çelën dhe u nis menjëherë.

* * * Përveç krerëve të partive politike, në atë mbledhje ishin thirrur edhe drejtuesit e organizatave të masave. Alia ishte i zbehtë, nervoz dhe i prerë. Blerim Çela mbajti shënim çfarë u tha.

– Kam dy ditë me radhë që bëj përpjekje me PD dhe PR për të mos arritur puna deri këtu me rrëzimin e monumentit të komandantit të Luftës Nacionalçlirimtare, – ia nisi Alia. Ky është një akt vandal i turpshëm e fashist, prandaj unë do të vendos gjendjen e jashtëzakonshme si dhe mobilizimin ushtarak, pasi asgjë nuk do të tolerohet. Ky është një skenar i përgatitur nga PD dhe ne do t’i gjejmë autorët, patjetër që do t’i gjejmë. Me këtë rast t’i bëhet thirrje popullit të rrijë në shtëpi, pasi po dolën në rrugë do të fillojë gjakderdhja.

Kryetari i Partisë Republikane, Sabri Godo, ndërhyri me takt:

– Para se të vendosni gjendjen e jashtëzakonshme, na merrni mendimin edhe neve. Krijoni një këshill presidencial dhe një qeveri pune si dhe dilni me një komunikatë në TV, – vazhdoi Godo me të folurën e tij të ngadalshme, por të rrjedhshme e të saktë. Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, të cilit i lejohej kudo ushtrimi i vesit robërues të duhanpirjes, thithi cigaren dhe lëshoi tymin para se merrte fjalën. Tha:

– Jam i mendimit të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme, pasi kjo do ta acarojë më tepër popullin. Duhet të hiqet emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, të dëgjohet zëri i masës. Do të ishte mirë që familja e tij të dalë në TV me një deklaratë, ku të pranohen disa gabime të Enver Hoxhës për hir të shpëtimit të kombit. Të krijohet një këshill presidencial e një qeveri pune. Po nuk dhanë rezultat këto, të vendoset gjendja e jashtëzakonshme.

– Pra, të vendos gjendjen e jashtëzakonshme pasi të jetë varrosur gjithçka, replikoi Alia. Mbështetësit e vijës së ashpër morën zemër nga ky qëndrim.

– Këtu duket fytyra juaj, ju i keni organizuar të gjitha, – shpërtheu Kryeministri Adil Çarçani në drejtim të Berishës. – Ata në qytetin “Studenti” bërtisnin duam gjak.

Shpërfillës ndaj shpërthimit të Kryeministrit, Sali Berisha iu drejtua Ramiz Alisë:

– Ju bëjmë thirrje të merren masa të tjera para se të vendoset gjendja e jashtëzakonshme, pasi gjithçka po bëhet për të ruajtur pushtetin e Partisë në pushtet.

Ramiz Alisë i mbërriti një pusullë, përmbajtjen e së cilës ua bëri me dije të pranishmëve.

– Studentët kërkojnë të dalë një dekret për heqjen e emrit të Enver Hoxhës, ndryshe do të shkatërrohet me forcë varri i tij dhe Blloku.

– Ne distancohemi nga ky veprim pasi nuk është në zakonet e shqiptarit,- reagoi Blerim Çela.

Spiro Dede, personi që përfaqësonte zyrtarisht Partinë e Punës në atë takim, mori fjalën dhe tha:

– Mendoj të dalim në një deklaratë të përbashkët për qetësi. Sot nuk duhet të mendojmë për parti, por për popullin. Rendi të forcohet pa derdhur gjak dhe të hiqet emri i Enver Hoxhës nga universiteti.

– Ju jap tri ditë afat, – tha Ramiz Alia duke shikuar nga Spiroja, ndërsa në fakt e kishte me Berishën, me Partinë Demokratike. – Po nuk u sigurua qetësia, gjendja e jashtëzakonshme do të vijë duke u shkallëzuar… Do të shikojmë mundësinë e një Këshilli Presidencial dhe të një qeverie pune. Po qe se TV jep në orën 18:00 dhe 20:00 ngjarje nga këto të sotmet për monumentin, do të ndodhë katastrofa sonte në Shqipëri. Këto ka mundësi të jepen, se në TVSH ka seksion të PD-së dhe ata do ta organizojnë.

-Drejtori i TVSH-së është anëtar i PP-së, Sefedin Cela, – saktësoi Berisha.

– Ashtu është, por ai është treguar liberal, – ia ktheu Ramiz Alia dhe vazhdoi me ton: -Në orën 18:00 unë do të shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktin do ta quaj vandal, këtë ta dini të gjithë. Problemin e veprës së Enver Hoxhës ta bëjmë me kulturë, me të mirat e të këqijat e tij.

Spiro Dede nxitoi të merrte edhe njëherë fjalën para se mbledhja të shpërndahej në shenjën e një kërcënimi si ai që kishte bërë shefi i tij.

-Në qoftë se jepet deklaratë në emër të PP-së, – tha me qetësinë dhe vendosmërinë e dikujt që nuk di të luajë dhe nuk ka ndërmend të luajë kukafshehtazi,- nga ana ime do të kërkoj të hiqet emri i Enver Hoxhës.

Mbledhja u shpërnda pa një tërheqje të qartë të Alisë nga ideja e tij për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por kishte hasur kundërshtime me peshë që nuk mund t’i injoronte. Edhe po ta kishte përnjëmend.

* * *

CEKA DHE PD NDALOJNË TURMËN TEK URA NË BULEVARD

Mëngjesi i 21 shkurtit shpalosi një ditë të hirtë dhe inkandeshente në Tiranë. Në sheshin “Skenderbej” dhe në trotuarin para hotel “Dajtit” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po grumbulloheshin njerëz, kundërshtarë të vjetër dhe të rinj të Enverit, antikomunistë, mbështetës të opozitës, qytetarë të lirë. Shumë prej tyre, për të mos thënë të gjithë, kishin qenë një ditë më parë në qytetin “Studenti” dhe në sheshin “Skenderbej”. Por nuk dukeshin më të qeshur e të shpërblyer, a thua se ua kishin vjedhur natën ngadhënjimin e madh apo e kishin shoshitur me nge atë që kishte ndodhur dhe kishin mbërritur në përfundimin se dikush, në mënyrë hileqare, u kishte dhënë me demek shumë për të mbajtur atë që nuk u duhej dhënë.

Shqipëria e rretheve, ndryshe nga ajo e kryeqytetit, ishte zgjuar në shenjën e zemërimit dhe revanshit të enveristëve. Këta po rropateshin të ngrinin në këmbë kundërpërgjigjen e tyre për të vënë në vend kujtimin, nderin dhe lavdinë e “udhëheqësit të pavdekshëm”. Po mobilizoheshin në kazerma, po lëviznin andej-këndej me bustet e vegjël të Enverit në duar, në një lloj procesioni dhe anabasi të përbetimeve pesëdhjetëvjeçare, që s’dinin ku t’i shkarkonin dhe si.

Po organizoheshin në Jug dhe gjithandej me kushtrimin e gjëmës që kishte ndodhur, po trokisnin derë më derë për të ftuar e regjistruar njerëzit në “Bashkimin e Vullnetarëve të Enverit”, një lëvizje që ishte themeluar dhjetë ditë më parë, si një paralajmërim i ngjarjeve që po ndodhnin dhe njëkohësisht edhe si një karshillëk i themeluesve të saj ndaj drejtuesve të shtetit. “Nëse ju, në emër të parimit borgjez të pluralizmit, nuk doni ta mbroni shokun Enver me ligjet dhe armët e shtetit nga sulmet e rrugaçëve dhe agjenturave të huaja, shoku Enver ka vullnetarët e tij që janë gati të japin jetën për të mbrojtur figurën e tij”.

Lajmet e freskëta se enveristët po përgatiteshin gjithandej për marrshim dhe lajmet e kundërta të vënies në shënjestër të Bllokut nga turmat e mbledhura në sheshin “Skënderbej” paralajmëronin një javë shumë të vështirë për Shqipërinë. Profetët e luftës civile, ata që kishin klithur kundër pluralizmit “mosni se do të vritemi vëlla me vëlla”, ndoshta po qanin ose po fërkonin duart.

-Nuk ka përleshje po nuk deshën të mëdhenjtë,- më tha Shpëtim Nazarko, përgjegjësi i zyrës së informacionit, që kishte talentin e lindur t’u jepte një lustër sarkazme lajmeve që mbërrinin në PD. Siguria supreme e Nazarkos ishte argëtuese, shpresëdhënëse. Nganjëherë godiste në shenja të epërme dhe të padukshme, që ne të tjerët nuk i dallonim fare. Unë e pëlqeja, por edhe i bëja bisht sepse kisha një funksion në PD dhe ajo e tij nuk ishte kurdoherë mënyra ime e të shikuarit të gjërave.

Shkova në zyrën e Komitetit Drejtues. Berisha po fliste në telefon. Me shumë po dëgjonte sesa po fliste. Fytyra e tij përcillte ngjyrimin e ngrysur të kumteve që po merrte.

-Po nuk ndodhi gjë kësaj jave, nuk ka për të ndodhur më, – tha duke i nxjerrë fjalët me zor teksa po ulte telefonin. Nga mënyra e të folurit më shkoi mendja se kishte dashur të thoshte “po nuk u derdh gjak kësaj jave”.

Njerëzit në sheshin “Skenderbej” ishin zhvendosur ndërkohë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me mjetin për të marshuar drejt Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Bllokut. Një punonjës i Ministrisë së Ndërtimit, dritaret e së cilës shikonin nga bulevardi, i kishte raportuar Blerim Çelës se turma po mbante në krah një njeri që mund të ishte i vrarë. Blerimi ia solli lajmin me një frymë Berishës. Ky urdhëroi nisjen e menjëhershme të katër-pesë njerëzve nga selia e PD-së për të kontaktuar e qetësuar demonstruesit në bulevard.

Një turmë e madhe syresh kishte ndaluar në hyrje të urës së madhe përballë një gardhi policësh me skafandra, prapa të cilëve rrinin në gatishmëri tanket dhe trupat e gardës së Republikës. Një oficer po përpiqej të prapësonte turmën me megafon, përfaqësuesit e PD-së po rrekeshin të bënin të njëjtën gjë me lutjet e tyre, por shtytjet dhe kakofonia e thirrjeve në turmë nuk premtonin tërheqje. Sakaq, nga ana veriore e unazës mbërriti me makinën e Institutit të Arkeologjisë, Neritan Ceka. Me paruken e flokëve të bardhë që stoliste një pamje fisnike, ai ishte prej atyre burrave që nuk harrohen pasi e ke parë njëherë. Mbërritja e tij krijoi për momentin një stepje në turmë.

-Ç’po ndodh?, – pyeti Ceka njërin prej njerëzve të PD-së, Pëllumb Karametën. Ky e sqaroi se flitej për një grusht shteti, sikur Sulo Gradeci ka vrarë Ramiz Alinë dhe pushtetin e ka marrë Nexhmije Hoxha me grupin e saj. Ishte një thashethem kundërthënës, që kishte vënë në lëvizje lloj-lloj njerëzish dhe ndjesish. Por ishte edhe një alibi e gjetur për të sulmuar Bllokun. Neritani shkoi drejt gardhit të policëve dhe kërkoi të fliste me komandantin e tyre. Oficeri që mbante megafonin në dorë hoqi skafandrën:

-Unë jam, -tha.

-Pse jeni vendosur në këtë mënyrë, ç’ka ndodhur?, – e pyeti Neritani.

-Diçka krejt banale, -iu përgjigj tjetri.- Dy djem me motoçikletë u futën me shpejtësi në rrugën e Bllokut të ruajtur nga garda. Gardisti u thirri “ndal”, po ata vazhduan rrugën. Atëherë, gardisti qëlloi në ajër.

Kaq kishte mjaftuar, sipas oficerit të Policisë, që Garda, në gatishmëri numër një prej njëzet e katër orësh, të vihej menjëherë në alarm dhe të dilte në bulevard. Në kontekstin e vigjilencës së kohës, shpjegimi kishte logjikë, por kishte edhe të çara.

Si të të besoj?,- i tha Neritani.

-Më quajnë Sejdo Brahimaj dhe jam shok i Faik Dinos, mikut tënd nga Ballshi, – ia ktheu aty për aty komandanti, duke shtuar: -Nuk kam garanci tjetër të më besosh, të lutem tërhiqeni popullin, ne jemi të paarmatosur, ndërsa pas nesh është Garda e Republikës. Mund të na vrasin nëse tërhiqemi dhe do të shtinë mbi popullin.

Kishte gjetur mënyrën më të mirë shqiptare për t’u bërë i besueshëm. Neritani e kishte vërtet mik personin e përmendur, Faik Dinon, mësuesin nga Ballshi. Pa humbur kohë, i kërkoi komandantit t’i jepte megafonin, u kthye në drejtim turmës, hipi mbi kofkën e një veture të bardhë, që do të shndërrohej sakaq në piedestalin e momentit të parë epik të këtij njeriu, dhe thirri me zë të lartë:

-Jam Neritan Ceka, anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Demokratike. Duhet të largohemi prej këtu që të mos u japim shkas provokimeve. Ne dje kemi fituar sepse rrëzuam monumentin e Enver Hoxhës. Tani do të fitojmë kauzën tonë jo me dhunë, por me vota. Le të shkojmë në sheshin “Skënderbej”, aty ku fituam dje.

Njerëzit u shushatën, por nuk po lëviznin nga vendi, mu sikur busulla e kthyer drejt Bllokut t’i kishte mbërthyer në një mision pa kthim. Në minutin delikat të asaj dileme dikush hodhi një gur në drejtim të Policisë me qëllimin e qartë që kjo të provokohej, të kundërpërgjigjej dhe të fillonte përleshja. Disa qytetarë e vunë re atë që kishte hedhur gurin dhe u turren ta kapnin. Ishte një mesoburrë me pardesy gri, që e paditi veten e tij si provokator teksa nxitoi me vrap të gjente strehë në hotel “Dajti”, që njihej nga të gjithë si një rezidencë e Sigurimit të Shtetit. Ky fakt dhe ndërgjegjësimi i menjëhershëm i shumë njerëzve për rebuset e momentit bënë që turma të fillonte të lëvizte pas Neritan Cekës drejt sheshit “Skënderbej”, duke hedhur parulla e duke kënduar këngë. Vazhduan kështu deri sa mbërritën aty ku një ditë më parë ishte regjistruar ngjarja e madhe, rrëzimi i monumentit të Hoxhës. Disa njerëz e ngritën Neritan Cekën në bazamentin bosh të përmendores. U ngjitën edhe të tjerë në krah të tij dhe filluan të mbajnë fjalime. Por intriga dhe keqkuptimet kishin shumë kokë atë ditë. Dikush solli lajmin se pranë urës së Lanës kishte përsëri grumbullime. Siç do më thoshte më vonë, Neritan Ceka e ndjeu se po luftonte me një kundërshtar të padukshëm që kërkonte t’i çonte njerëzit patjetër drejt tankeve të Gradës. U kthye dhe njëherë në bulevard ku pati ndjesinë sikur turma që sapo kishte udhëhequr drejt sheshit i kishte rrëshqitur si hije e stërmadhe dhe ishte kthyer sërish aty ku e kishte marrë.

-Të sulmojmë! Policia nuk na ndalon dot, do të tërhiqet!, – po thoshin disa.

-Mund të tërhiqet Policia, por Garda do të qëllojë. Perse na duhet gjakderdhja, – replikonin disa të tjerë.

Njerëzit e ndarë në dy grupe po i kryqëzonin arsyet e tyre me zë të lartë, në ritmin e kohës që shtrëngonte. Nuk dihej cili opsion do të fitonte. Neritani dalloi mes grumbullit të njerëzve, aty ku lidhej ura me unazën e Tiranës, të shoqen, Angjelinën, që mbante në krahë djalin e tyre te vogël Redonin, të cilin e kishte marrë nga çerdhja. Saora i shkoi në mendje një gjë, që do të dukej e kërkuar dhe teatrale duke u treguar një natë dimri pranë zjarrit, por në rrethanën e dhënë ishte epike dhe patetike deri në çmenduri. Mori djalin nga krahët e gruas, e ngriti lart dhe u thirri atyre që po shtyheshin përpara:

Shikoni! Ky është djali im. Ju thoni se ata nuk shtinë, por unë ju them se janë të etur për gjak. Po shkoj unë i pari dhe le të sakrifikohet edhe djali im!

Për një çast njerëzit ngrinë në vend, pastaj me hapin e parë çmendurak të Cekës në drejtim të Bllokut, shpërthyen si në një urdhër gjëmimtar “te sheshi, te sheshi”, thirrje që do të shndërrohej për shumë vite në një lloj fjalëkalimi për çdo protestë popullore në Shqipëri. U kthyen dhe vazhduan si një procesion drejt sheshit “Skënderbej”, duke kënduar në kor “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”. Mitingu i dytë, që ngjante të isha mesha e dytë për popullin e urës, u zhvillua para shkallëve të Muzeut Kombëtar. Folën shumë njerëz, u zbrazën shumë dufe, u çliruan shumë shpirtra.

Pati edhe një edicion të tretë të tërheqjes së një grumbullimi të ri pranë urës, por ky qe më i lehtë sepse njerëzit qenë shumë më pak dhe alibitë e sulmit drejt bllokut ishin hapërdarë. Mbeten si përfundim rreth dyqind vetë që rrinin këmbëkryq në trotuarin afër urës dhe nuk flisnin. Vetëm atëherë, pasi kishte kaluar rreth dy orë duke marrë demonstrues nga bulevardi e duke i çuar në sheshin “Skënderbej”, Neritan Ceka u kthye në PD.

E pritën krahëhapur, iu hodhëm në qafë të gjithë. Atë ditë tek Ura e Lanës ai mori dhe mbajti për disa muaj shenjat e heroit që kishte shmangur një masakër të pasionit. Shumica e njerëzve ia dinin për nder gjithashtu që kishte evituar shkatërrimin e lagjes më të bukur të Tiranës, e cila do t’i kthehej pas pak javësh publikut.

(Nga libri “Fillimet”, botim i UET PRESS, 2014)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb