Ish-kryeministri Sali Berisha ndër seritë e akuzave që lëshoi nga Vlora për Lulzim Bashën, përmendi dhe se nuk ka thënë asnjë fjalë për “Ballkanin e Hapur”.

‘’Por mbi të gjitha çfarë humbëm tjetër, jemi parti e interesit kombëtar, e djathta është parti e patriotëve, nuk mund të jetë i djathtë ai që nuk është patriot. Ne bazohemi në disa vlera, në disa parime që kanë bërë të mëdha shoqëritë e lira.

Vetëm se fundmi, keni dëgjuar PD-në të thotë një fjalë për minishengenin, për “Ballkanin e hapur”? Ja ku janë rezultatet, janë tanket në kufijtë e Kosovës, bombarduesit e Beogradit në kufijtë e Kosovës.”- tha Berisha.

Përveç eksponentëve të PD që kanë sulmuar vazhdimisht këtë nismë, kryetari Lulzim Basha ka qenë vetë që adresoi këtë çështje në Kuvend vetëm një javë më parë, saktësisht më 16 shtator.

Për Bashën, bashkëpunimi rajonal nuk nis nga Novi Sadi i Serbisë, por Mitrovica e Kosovës. Ai bëri thirrje që Shqipëria të ketë detyrë vetëm mbështetjen e Kosovën dhe se fqinjësia e mirë nuk ngrihet mbi baza vasaliteti, por proporcionaliteti.

‘’Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, sic janë per Vuçiçin ato të serbeve të Kosovës. Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti.
Në këto procese Shqipëria ka vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk mund të jetë e mirë ajo që nuk është e mirë për Kosovën”- deklaronte Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb