Të ftuar në studion e emisionit “Pikat mbi I” “News 24”, ishin analisti Artur Zheji dhe deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj.

Në fokus të bisedës, ishte vizita e Gjekmarkajt në SHBA, në cilësinë e nënkryetarit të PD dhe Kuvendi i Berishës, i programuar për të shtunën e 30 prillit në orën 10:00.

Vizita e Gjekmarkajt në SHBA:

Zheji: Në realitet kemi një PD e cila dominohet nga doktori dhe nga të vetët. Ndërkohë kemi një Grup Parlamentar të drejtuar nga Alibeaj me disa deputetë. Nuk dihet nëse ai do të shkojë në Kuvend. Ndërkohë Berisha ka marrë në telefon Murrizin, njerëz të çuditshëm duke i ftuar në Kuvend. Këtu vazhdon një teatër absurd politik. Vërtet Berisha është e shkuara, është e shkuar që është rikthyer fuqishëm. Unë kam qenë gjithmonë kundër rikthimit të Berishës. Ndoshta koha do më japë të drejtë, ndoshta jo. Por ai është rikthyer, çfarë do të ndodhi tani? Këtë e kanë në dorë deputetët e PD duke bërë politikë reale.

Gjekmarkaj: Unë isha i ftuar nga një organizatë e rëndësishme Open GAV. Në këtë kontekst jam pritur edhe në DASH. Ka qenë diçka e programuar muajin e fundit ku më ka ardhur kjo ftesë. Unë e kam ditur cila është pesha e Sali Berishës. Ai është personi, lideri historik i identifikuar më PD-në dhe i kam bërë llogaritë e mia. Kur kam parë lëvizjet e Berishës në terren e kam pritur që kjo ditë edhe mund të vijë. Është një pjesë e rëndësishme që Berisha shpallet non grata por kjo beteje duhej të ishte bërë që në 2013 nga Basha. Nuk ka arsye që Berisha të rikthehej, e ka mbyllur ciklin e vet. Vetë Basha nga 9 shtatori hezitoi gjatë, ndenji 2 muaj në zyrë dhe nuk dha shenja se do të ndahej kulturalisht nga SHBA-ja

Analisti Zheji, iu drejtua deputetëve që kanë mbajtur një qëndrim kundër me ish-kryeministrin Berisha si “pa atdhe”. Pjesë të kësaj liste ai bëri edhe Agron Gjekmarkajn, por ja si u përgjigj deputeti.

Zheji: Është një përpjekje serioze për të treguar forcën e Kuvendit nesër. Dihet që do të zgjidhet Berisha për kryetar. Do të jenë figurat që do të përfaqësojnë PD në forumet partiake. Zoti Basha është përpjekur që disa nga deputetët të zgjidhen me frymën e re, një frymë të distancuar nga koncepti për deputet që kishte Berisha. Ai ka qenë gjithmonë një prani mbytëse e doktorit. Tani ne këtë kemi. Kemi dy kategori njerëzish, ata që kanë qenë besnik të Sali Berishës. Kemi njerëz hibridë që shkojnë me shumicën. Ka një pjesë që tani mbeten pa atdhe, pa një atdhe politik. Në Kuvendin e nesërm nuk e di nëse do të jeni?

Gjekmarkaj: Jo, nuk kam marrë ndonjë pjesë. Por prapë nuk do të shkoja, unë kam dhënë dorëheqjen nga nënkryetari i PD dhe them se bashkimi duhet të bëhej jo si nënshtrim. Bashkimi nënkupton disa procese. Kryetarët e partive, strukturat e tjera të pafundme s’mund t’i lesh jashtë. Duhet t’i jepej mundësia të bëhet një garë e vërtetë. unë nuk mbetem pa atdhe. Unë në politikë idetë e mia kam. Unë e di që në PD s’jam shumicë. Në partitë politike shqiptarë statusi i folësit të pavarur është i goditshim. Unë jam njeri që flas me gojën time, mendoj me kokën time.

Zheji: Ekuacioni mbetet i pa plotë. Politika është arti i veprimit, këtë Saliu e dinë. Ai e di që forca është te njerëzit të cilët nuk janë aq të sofistikuar dhe të cilët kanë raport interesi. Partia është grup interesi, nuk është tempull. Sa më e madhe të jetë partia aq më shumë interesa përfaqëson.

Gjekmarkaj: Çështja e PD është ende në proces gjyqësor. Në politikë problemet i zgjidh politika. Çështja është që Berishës s’i intereson të bëj politikë, por forcë dhe ai forcë ka. Nuk e di nëse është Berisha, por është e turpshme peticioni ndaj ambasadores së SHBA. Problemi është që kjo vret frymën. Berisha ka militantët, por ata nuk mjafton për të sjellë PD në pushtet. Me këtë që po bën Berisha po e mbyll, po bën parti që e ndjek nga pas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb