Kenia ka paralajmëruar nëpunësit publik se kanë afat deri më 23 gusht për t’u vaksinuar kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ose do të përballen me veprime disiplinore.

Në një memorandum drejtuar të gjitha zyrave, shefi i Shërbimit Publik, Joseph Kinyua, theksoi se ofrimi i shërbimeve publike është penguar për shkak se disa nëpunës publik nuk pranuan dozën.

“Të gjithë nëpunësit civilë do të kenë përparësi në kryerjen e vaksinimit dhe ata që nuk do të marrin dozën e parë deri më 23 gusht do të disiplinohen”, tha Kinyua.

Kinyua tha se po ashtu është vënë re se disa nëpunës publik qëllimisht kanë shmangur vaksinimin në mënyrë që të qëndrojnë larg punës.  Sipas tij, kjo ka ndikuar negativisht në ofrimin e shërbimeve për publikun.

Së fundmi, në Kenia pozitiv me COVID-19 rezultuan gjithsej 1.183 persona nga 8.144 teste të të dyshuara për virusin. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend ka arritur në 213.756 nga gjithsej 2.205.159 teste të kryera për virusin.

32 pacientë të tjerë u raportuan se humbën jetën nga virusi, duke e çuar në 4.211 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga COVID-19.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb