Gjatë vitit 2022 lajmet nuk kishin të bënin vetëm me luftën, politikën apo krizën globale të energjisë. Këpucët e prodhuara nga mbetjet e kafesë apo qentë që u bënë të famshëm në mediat sociale, sollën histori të çuditshme dhe të mrekullueshme që ofruan një argëtim nga jeta e përditshme.

Një ndërtesë e çuditshme u shfaq në bregun e qytetit Brajton në jug të Anglisë. Shtëpia me kokë poshtë është tërheqëse për vizitorët. Mobiljet janë ngjitur në tavan, kështu që njerëzit mund të pozojnë poshtë tyre për fotografi. Një rrotullim i thjeshtë i fotos, dhe duket sikur je varur me kokë poshtë.

Mbetjet e kafesë nuk shkojnë dëm në Helsinki.

Firma finlandeze Rens gjeti një mënyrë krijuese për ta kthyer nënproduktin e kafenesë në atlete të papërshkueshme nga uji. Një palë atlete përmbajnë rreth 300 gram mbeturina kafeje, ekuivalente me 21 filxhanë.

“Në fillim, kuptuam se në botë ricikloheshin vetëm pesë përqind e mbetjeve të kafesë. Dhe ato janë në fakt mbetje bio, që çlirojnë gaz metan, i cili është 32 herë më i dëmshëm sesa gazi i dioksidit të karbonit që shkakton efektin serë. Pra, ajo që ne bëjmë është thjesht zgjasim përdorimin e jetës së mbetjeve,” thotë Jesse Tran, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Rens.

Në Hong Kong, një shitëse lulesh krijoi një alternativë për buqetën tradicionale të Shën Valentinit.

Kombinimi i perimeve në buqetë nga Katie Kwok redukton mbeturinat dhe ofron një vakt të shijshëm për një darkë romantike. Ajo i rrit perimet e saj në një kopsht të vogël që ndodhet në veri të Hong Kongut.

Familja e saj e filloi biznesin me një fermë organike, por gradualisht zgjodhi perimet më tërheqëse vizualisht për biznesin e saj të buqetave. Ajo shpreson të krijojë një prirje të re dhe të ndihmojë në përhapjen e prodhimeve lokale organike sezonale.

Një punishte në Spanjën veriore po e vjetron verën në fund të detit.

Kompania Crusoe Treasure i mban shishet e verës në kosha, 20 metra nën sipërfaqe e detit në Gjirin e Plentzias. Verërat e bardha vjetrohen për rreth gjashtë muaj, ndërsa verërat e kuqe zakonisht kalojnë 12-15 muaj në det.

Analizat nga laboratori i verërave Excell Iberica kanë treguar se ato janë kimikisht të ndryshme nga verërat që vjetrohen në tokë.

“Shija është absolutisht e veçantë. Nuk është e ëmbël, por në të njëjtën kohë, nuk është as e hidhur. Është e vështirë për t’u shpjeguar. Duhet ta provoni për ta kuptuar”, thotë Alan, një turist nga Majami që vizitoi kantinën e verës këtë vit.

Kafshët shtëpiake ishin argëtuese dhe të mrekullueshme gjatë vitit 2022.

Një qen i quajtur Marsel u bë i famshëm në rrjetet sociale, pasi pronarja e tij ndau postime që dokumentonin jetën e katër këmbëshit. Pronarja francez Aurélie Four poston në Instagram foto dhe video të tij duke udhëtuar, duke vizituar monumente, madje edhe vende të tjera.

Falë ndjekësve të shumtë të Marselit – pothuajse 140,000 njerëz – kompanitë e punësojnë tani qenin për reklama. Ai fiton mijëra euro në vit si një yll i mediave sociale.

Shumica e parave shkojnë për sigurimin shëndetësor dhe trajtimet e Marselit, si dhe për ushqimin e tij. Një pjesë e vogël shkon për bamirësi për qentë.

Qentë tani mund të identifikohen nga gjurmët e hundës, falë një teknologjie të re të krijuar nga një kompani koreano-jugore.

Teknologjia funksionon duke skanuar hundën e një qeni me një kamerë të celularit të lidhur me një aplikacion të quajtur ‘Anipuppy’. Kompania biometrike dhe e inteligjencës artificiale iSciLab Corporation me bazë në Seul thotë se hunda e çdo qeni është po aq unike sa gjurmët e gishtave të njeriut.

Sistemi mund t’i ndihmojë njerëzit të gjejnë kafshët shtëpiake nëse humbasin dhe të provojnë pronësinë e tyre.

“Është një teknologji e njohjes biometrike të modeleve të hundës për kafshët si qentë dhe macet, dhe gjithashtu lopët dhe drerët. Është një algoritëm biometrik 3D i bazuar në Inteligjencën Artificiale që kemi zhvilluar në mënyrë që të mund të bëni fotografi të modeleve të hundës për të identifikuar çdo kafshë”, thotë Sujin Choi, drejtore e kompanisë iSciLab Corporation.

Në San Francisko, një shef kuzhine hapi një restorant me gatime për qentë.

Për 75 dollarë çdo këlysh mund të hajë një darkë me disa pjata që përmbajnë gatime me lëkurë pule apo fileto bifteku me tartar dhe vezë thëllëze, në restorantin e quajtur Dogue.

Rahmi Massarweh e krijoi restorantin pasi la punën e tij stresuese në një restorant të zakonshëm.

“Gatimi i ushqimit këtu, është një proçes që kërkon shumë kohë. Ka shumë teknikë. Ka shumë metoda dhe detaje për atë që krijojmë. Ëmbëlsirat tona, për shembull, duan mesatarisht dy ditë të përgatiten, pavarësisht se hahen për dy sekonda”, thotë kuzhinieri.

Peshqit e kuq shpesh konsiderohen më pak inteligjentë sesa kafshët.

Por studiuesit në Universitetin Ben Gurion në Izrael treguan se këto qenie ujore kanë aftësi unike navigimi. Ata stërvitën një peshk të kuq për të “ngarë” një platformë robotike me një enë me ujë të vendosur mbi të.

“Peshku që lëviz në një mjedis tokësor nuk është shumë i ndryshëm nga një person që përpiqet për shembull, të navigojë në hapësirë, që është një mjedis shumë i huaj për qeniet njerëzore. Pra, mund të jetë shumë e dobishme të kuptojmë nëse hapësira është me të vërtetë e përfaqësuar në një mënyrë universale në specie të ndryshme,” thotë Prof. Ohad Ben-Shahar, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike të universitetit.

Ndërsa Britania e Madhe pati një vit të trazuar politik, me tre kryeministra të ndryshëm, brenda vetëm pak muajsh, një banor që jeton në adresën “10 Downing” vazhdoi ta mbajë vendin e punës.

Maçoku Larry u soll në ndërtesë nga kryeministri i atëhershëm David Cameron për të zgjidhur krizën e minjve në një nga adresat më të famshme në botë. Maçoku hyri në shtëpinë e tij të re më 15 shkurt të viti 2011 dhe qysh atëherë ka qenë një banor shumë i dashur i saj.

Por a do të dalë ai për të mirëpritur një tjetër kryeministër të ri në vitin 2023?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb