Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të transfertës së Korçës, me bindje ka pohuar se do të ketë “estradë” në tri javët e fundit për sa i përket shpalljes së golashënuesit më të mirë të Superiores. Për momentin është një garë dyshe mes Guindosë së Laçit dhe Seferit të Tiranës. Duro pohoi se kurbinasit dëshirojnë që sulmuesi i tyre të jetë “Këpuca e Artë” e Superiores, pasi e meriton, por nuk e kanë çështje. Trajneri kryeqytetas tha se tri javët e fundit do të jenë në funksion të finales së Kupës, si dhe preku me keqardhje situatën ku përfundoi Skënderbeu, kundërshtari i sotëm i Laçit. Sa i përket merkatos, Duro përsëriti sërish largimin e 2-3 lojtarëve, por për këtë proces do të flitet pasi të kenë mbyllur sezonin me finalen e Kupës.

Me objektivin e arritur para kohe në kampionat, për çfarë luan Laçi në tri javët e fundit?

Objektivi i skuadrës, që ishte shumë i rëndësishëm, vendi i dytë, e kemi arritur në ndeshjen me Kastriotin. Tani kemi tri ndeshjet e fundit, ku do të kërkojmë një paraqitje të mirë si ekip. Tri ndeshjet e kampionatit do të jenë në funksion të finales së Kupës. Kjo periudhë do të na vlejë për rikuperimin e lojtarëve dhe për të bërë një rrotacion me futbollistët që kanë mbajtur peshën në ekip në muajt e fundit. Këta lojtarë që kanë pasur ngarkesë na del për detyrë që t’i qetësojmë dhe t’i ruajmë për finalen. Pra, do të përdorim forma të ndryshme loje në funksion të finales me Vllazninë.

A keni filluar të mendoni për finalen dhe sa shanse ka Laçi për ta fituar Kupën?

Dihet që finalja është me një takim dhe në përballje të tilla nuk ka favoritë. Përqindjet unë mund t’i përcaktoj 50 me 50, pasi në një ndeshje mund të ndodhë çdo gjë.

Mos ndoshta të gjithë si ekip do të jeni në shërbim të Guindosë, që ai të shpallet golashënuesi më i mirë i Superiores?

Unë e them me bindje që Guindo ka qenë lojtari më i mirë, madje e konsideroj edhe si zbulim në Superiore për paraqitjen që ka bërë këtë sezon. Ai është një futbollist që u dallua që në ndeshjet e para në Europë me Laçin, gjatë kampionatit është golashënuesi më i mirë deri në këto momente. Duke pasur parasysh këto tregues, është grumbulluar edhe me kombëtaren e Malit, që ka shumë futbollistë që luajnë në Francë. Pra, është një arritje, por që Guindo e ka merituar. Ne si ekip kemi dëshirë që Guindo të dalë golashënuesi më i mirë i Superiores, por nuk e kemi çështje. Më vjen keq ta them, por me sa lexoj dhe kuptoj, mund të ndodhë një estradë për sa i përket golashënuesit më të mirë të kampionatit në tri javët e fundit. Pak a shumë shikohen skuadrat që nuk kanë objektiva. Shpresoj që të mos ndodhë diçka e tillë, por unë kam një parandjenjë që do të ndodhë.

Luani në Korçë ndaj Skënderbeut që tashmë ka rënë një kategori më poshtë. Si ish-trajner kampion me Skënderbeun si e shikoni përballjen e sotme dhe fatin e korçarëve në vazhdim?

Më vjen shumë keq që pas një dekade të suksesshme të shikoj Skënderbeun në Kategorinë e Parë. Më vjen shumë keq pasi isha i pari në vitin 2011, që hapa serinë e suksesshme të titujve kampion në Korçë. Atë sezon nuk do ta harroj kurrë, sidomos ndeshjet e fundit kur stadiumi çdo javë mbushej plot me tifozë, madje të pranishëm kishte edhe nga rrethinat e stadiumit. Nuk do ta harroj kurrë atë titull kampion me Skënderbeun në 2011- ën. Më vjen keq që klubi është në situata të tilla, por shpresoj të gjendet një mundësi për t’u ringritur përsëri.

Çfarë pret Laçi nga merkatoja e verës dhe çfarë synimesh keni këtë vit në Europë?

Sigurisht ne po mendojmë kryesisht tani për ndeshjen finale të Kupës dhe përmbylljen e javëve të fundit në kampionat. Patjetër që mund të largohen 2-3 lojtarë, sigurisht për më mirë. E thashë se ku e kemi fokusin për momentin, pastaj do të shikojmë se si do të zhvillohen situatat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: