SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kërkon zyrtarisht bllokimin e pasurive për personat që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave përfshihet edhe Shqipëria.

Në një letër drejtuar Kreut të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kreut të Senatit mbi Bllokimin e Pronës dhe Pezullimin e Hyrjes në SHBA të Personave të Caktuar, që Kontribuojnë në Situatën Destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Biden deklaron se persona të tillë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengojnë progresin drejt një qeverisje efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, kam përcaktuar se është e nevojshme të bllokohet prona e çdo personi që përcaktohet nga Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, se minon proceset demokratike ose institucionet, minon çdo siguri rajonale, paqen, bashkëpunimin ose marrëveshjen e njohjes reciproke, përfshirë abuzime serioze të të drejtave të njeriut, ose përfshirë drejtpërdrejt apo indirekt në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, shkruan mes të tjeras presidenti i SHBA.

Letra e plotë:

E nderuara Kryetare:
Në zbatim të aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave, raportoj se kam lëshuar një urdhër ekzekutiv për të zgjeruar fushën e emergjencave kombëtare të deklaruar në Urdhrin Ekzekutiv 13219, të 26 Qershorit 2001, për “Bllokimin e pronës të personave që kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor”, ndryshuar me urdhrin ekzekutiv 13304, të 28 majit 2003, (Përfundimi i Emergjencave në lidhje me Jugosllavinë dhe Modifikimi i Urdhrit Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001), duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri zgjeron fushën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, përfshirë Shqipërinë, dhe rrit kriteret e përcaktimit për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengojnë progresin drejt një qeverisje efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, kam përcaktuar se është e nevojshme të bllokohet prona e çdo personi që përcaktohet nga Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, se minon proceset demokratike ose institucionet, minon çdo siguri rajonale, paqen, bashkëpunimin ose marrëveshjen e njohjes reciproke, përfshirë abuzime serioze të të drejtave të njeriut, ose përfshirë drejtpërdrejt apo indirekt në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Të gjithë departamentet dhe agjencitë ekzekutive janë të drejtuar të marrin të gjitha masat e duhura brenda autoritetit të tyre për të zbatuar dispozitat e urdhrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb