TIRANË- Denoncimi i deputetes së Partisë Demokratike, Voltana Ademi në lidhje me kërcënimet që i janë bërë në adresë të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë që Prokuroria e Krimeve të Rënda të thërrasë për të dëshmuar Emiljano Shullazin.

Burime nga organi i akuzës pohojnë se 37-vjeçari Emiljano Shullazi dhe shoku i tij Gilmando Dani do të thirren javën e ardhshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për tu pyetur në lidhje me denoncimin e bërë nga deputetja e PD-së. Mbetet për tu parë, nëse Shullazi, një personazh i shumëpërfolur do ti përgjigjet kësaj thirrjeje apo jo.

Deputetja e PD-së për qarkun e Shkodrës, Voltana Ademi ka depozituar në Prokurori një denoncim ku tregon se si është kërcënuar nga Shullazi, ndërsa ndodhej në një ambient publik. Sipas saj, personi i identifikuar si Emiljano Shullazi i është drejtuar me fjalët: Thuaji kryetarit tënd, të mos e përmendë më emrin tim. Nuk do t’i ketë mirë punët me mua. T’i bëjë mirë llogaritë!”.

Pas kësaj ngjarjeje, Partia Demokratike thuajse çdo ditë ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me Shullazin, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u vu në mbrojtje të policisë.

Ndërkaq mësohet se në lidhje me çështjen do të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë që kanë qënë të shoqëruar me Shullazin ditën që ka ndodhur ngjarja, si dhe personat me të cilët ka qenë e shoqëruar vetë deputetja Ademi.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani por edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka akuzuan ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se mbron 37-vjeçarin Shullazi, madje sic u shprehën ata “e fsheh nën sqetull”

Ndërkohë që shoku i Shullazit, Gilmando Dani tashmë është në kërkim pasi akuzohet për një ngjarje tjetër kriminale të ndodhur në kryeqytet pak ditë më parë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb