Gjatë një operacioni policor në rajonin e Gjilanit, policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Siç raportohet nga mediat serbe, të arrestuarit janë Radovan Stojkovic, drejtor i zyrës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjilan, Jovan Denic zyrtar komunal si dhe Nenad Stojanovic mekanik me profesion por i punësuar në Ushtrinë e Serbisë me bazë në Vranjë.

Stojkovic dhe Denic u arrestuan në ambientet e Qendrës Kulturore ‘Bozidar Mitrovic Sandor’ në Shillovë.
Aksioni i policisë filloi në orët e hershme të ditës së sotme.

Përpos shtëpive të tyre policia ka bastisur edhe zyret e shërbimeve dhe ato të kryetarit të bashkisë së Shillovës

Mediat serbe raportuan se ky aksion ka të bëjë me largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar policia e Kosovës.

Sipas RTS-së, Stojanovic u arrestua nën dyshimin se ushtronte presion mbi anëtarët serbë të FSK-së për t’u larguar nga shërbimi.

Theksohet se në javët e fundit janë larguar më shumë se 30 pjesëtarë serbë të FSK-së kryesisht të rrethinës së Gjilanit.

Ndërkohë Serbia vazhdimisht kërkon nga qytetarët serbë të mos i bashkohen FSK-së pasi kjo e fundit kërkon të shnërrohet në Ushtri të Kosovës. Në lidhje me këtë drejtori i Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuric pritet të mbajë një konferencë për media.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: